Ministri i ri i Jashtëm ka cenuar besueshmërinë e Shqipërisë. Kritika e parë publike për eksperimentin “Cakaj”

Postuar në 07 Gusht, 2019 21:01

Kritikat për mënyrën sesi qeveriset në Shqipëri dhe sesi ushtrohet pushteti politik vijnë së fundmi edhe nga ShBA. Përtej faktit se kriza politike dhe korrupsioni artikulohen si pjesë e pushtetit, kësaj radhe në vëmendje vjen besueshmëria e Shqipërisë për partnerët e vet dhe në raport me angazhimet që ka marrë. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Këshilltari i Komisionit Amerikan të Helsinkit, Robert Hand, thotë se me situatën e tanishme Shqipëria ka vënë në pikëpyetje besimin se mund të çojë deri në fund angazhimet e veta, ndonëse sipas tij hapja e negociatave duhet rekomanduar për vendin tonë. 
Teksa apelon për hapjen e ngociatave për vendin tonë, ai flet edhe për “disa prirje shqetësuese të kësaj qeverie”. 

Kjo e tanishmja është një krizë e shumëfishtë, paksa e paprecedentë, ndoshta e krahasushsme me ato të fillimit të viteve 1990. Uroj që mes elitave politike shqiptare do të ketë vullnet për të biseduar dhe për të gjetur zgjidhje për mosmarrëveshjet…Disa prirje të kësaj qeverie janë shqetësuese. Është shqetësuese nisma lidhur me median në internet dhe masat që mund të merren kundër portaleve të lajmeve, pasi mund të jenë vendime arbitrare nga një ent administrativ. Jo vetëm OSBE-ja, por shumë organizata të tjera që merren me lirinë e shtypit, brenda ose jashtë Shqipërisë, apo shoqëria civile, kanë shprehur shqetësim për të

Hand është ndoshta zyrtari i parë i huaj që ngre shqetësime për vendimin e z. Rama për zëvendësimin e bërë në Ministrinë e Jashtme. Partnerët e Shqipërisë kanë aq inteligjencë sa të kuptojnë dredhitë e vogla të kryeministrit shqiptar që nëse donte të bënte lëvizje në atë dikaster, do të duhet të gjente si pasues të Bushatit dikë që ka cilësitë për ministër të Jashtëm. Zoti Rama ka mbrojtur me forcë z. Gent Cakaj, por mesa po duket ai mund të ketë bindur vetëm veten në këtë apologji të gjenialitetit. Në fund të fundit të huajt shqetësohen për mbarëvajtjen e një pune dhe institucioni që do t’i besohet Gent Cakajt, ndaj të cilit nuk ka atë verbëri siç po do të transmetojë z. Rama.  

Komisioni i Helsinkit, ku unë punoj, e ndjek nga shumë afër OSBE-në. Ne bashkëpunojmë me Departamentin e Shtetit dhe ndihmojmë për t’i dhënë formë politikës amerikane ndaj OSBE-së. Mund t'ju them se vitin e kaluar, kur dëgjuam për herë të parë që Shqipëria propozoi të kryesonte OSBE-në në vitin 2020, unë u tregova jashtëzakonisht mbështetës. Është një mundësi e mire për Shqipërinë që të mos jetë një importuese e sigurisë dhe stabilitetit nga jashtë, por të kontribuojë në fakt për sigurinë në të gjithë rajonin e OSBE-së. Dhe unë mendoj se ajo mund ta bënte këtë shumë mirë.

Ajo ka një trup diplomatik shumë profesional, ministri i Jashtëm që po e mbështeste këtë ide, ishte kompetent, ai kishte shumë vite përvojë. Por ishte shumë zhgënjyes fakti që brenda një muaji pasi OSBE-ja u pajtua me idenë, në ministrinë e jashtme pati ndryshime. Ju e dini: tani ka një pikëpyetje nëse kjo përvojë është ende aty për të arritur ta shtyjë përpara OSBE-në. Siç e përmenda më lart për shkak të agresionit rus në Ukrainë, por edhe të ndërhyrjeve diku tjetër në Evropë, situatën në Kaukaz, etj., OSBE-ja ka nevojë për udhëheqje të fortë, dhe unë vërtet shpresoj se Shqipëria do të jetë akoma në gjendje ta sigurojë atë udhëheqje, por sot jam pak më shumë i shqetësuar sesa isha vitin e kaluar kur u bë oferta e parë

shprehet Hand. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.