Në kërkim të një 17 maji për Teatrin Kombëtar

Postuar në 26 Korrik, 2019 13:45

Kryeministri Edi Rama ka një ligj të Parlamentit, ka një Bashki të Tiranës të gatshme që të veprojë si njësit guerril, ka një Parlament shurdhmemec që mund të votojë si të dojë ai, ka ndërkombëtarët që i bëjnë amin çdo tekë, nuk ka edhe gjykatat përballë. Sërish për Teatrin Kombëtar zotëria preferon të mos i referohet ligjit, por ndotjes propagandistike.

Dje nxori në Facebook e vet kërkesën e Rajmonda Bulkut për një teatër të ri, më vonë Leka Bungon, sot Drita Haxhirajn.

Të gjithë kërkojnë një teatër të ri, askush nuk ka thënë që teatri ekzistues është i shkëlqyer. Çështja të cilës z. Kryeministër i ikën është debati se teatri ekzistues duhet ruajtur si godinë historike, si vlerë arkitektonike dhe duhet restauruar. Teatro të reja mund të ndërtohen ngado, pse vallë duhet kushtëzuar detyrimisht një teatër i ri me prishjen e një godine?

Zoti Rama e ka shumë të lehtë të manipulojë fjalët e disa aktorëve, apo edhe vetë artistët në fjalë, pa përjashtuar se disa prej tyre të kenë me të vërtetë mendimin se godina aktuale duhet shembur.

Por një kryeministër që ka një përvojë personale të mëhershme me debatin për këtë godinë, nuk mund të veprojë si në bahçen e vet vetëm e vetëm se kërkon që të diktojë fyytyrën urbanisitike të Tiranës, si shenjë të pashlyeshme personale në historinë e saj. Nuk e plotëson kjo gjë defiçencën e të qenit askush në historinë e këtij vendi, për faktin se z. Rama nuk i ngjan në këtë rast as edhe autokratëve të iluminuar të shekujve të mëparshëm, për faktin se pas çdo projekti ku vë dorë krijon dyshime të mëdha për korrupsion.

Kush i garanton z. Rama se edhe sheshi “Skënderbej” nuk do të zhbëhet në të ardhmen, se nuk do të ketë një vullnet për të rikthyer në origjinë Tiranën e arnuar sipas tekave të pushtetarëve që uzupojnë karriget e pushtetit?

Lodrat propagandistike me Facebook nuk nderojnë askënd. Një kryeministër që kërkon të fitojë debatin për Teatrin me deklarata të 10 viteve më parë, është në pozitë jo të mirë. Si kryeministër, si njeri që qëndron personalisht pas kësaj që po ndodh dhe si artist që pretendon se është, z. Rama do të duhet të ishte në krye të diskutimit publik. Ka zgjedhur të kundërtën duke luajtur të njëjtën lojë që luan me z. Basha në politikë. Fatkeqësisht!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.