Kongresi i parrullave

Postuar në 23 Mars, 2019 12:00

Tubimi masiv i socialistëve nëse mund t’i quajmë kështu ata që u derdhën rrugëve të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, të kujton tubimet e vitit 1990 të organizuara nga Byroja Politike e Partisë së Punës së Shqipërisë.

Tubime nga të cilat qytetarët të cilët hapën dyert e ambasadave u quajtën vagabond dhe të përjashtuar.

Nuk ka patur kongres partie të organizuar në këtë formë demonstrimi. Njerëz që vinin rrugës përtë mbërritur para sheshit Nënë Tereza ku flitet për suksesin e qeverisë dhe shtetbërjes. Ku shërbehet përralla e Shqipërisë që Duam, ku për financat flet me gojën plot ish-drejtoresha e Doganave Elisa Spiropali.

Kongresi i pushtetit dhe i drejtorëve të mbytur në luks pas të cilave rend turma e socialistëve që nuk dallojnë në asgjë nga demokratët e protestës së një jave më parë.

Ne jemi forca e vetme që mund të qeverisim vendin sot,- tha Taulant Balla.

Po për çfarë qeverisje është fjala? Atë që zbraz Shqipërinë nga shqiptarët dhe mbush bulevardin me socialistë? Apo qeverisjen e pesimizmit dhe shndërrimit të vendit në çiflig të katër pesë njerëzve?

Luksi dhe dukja e shokëve socialistë me origjinë të përbashkët nga doku dhe golfi sintetik, është në fakt ideja më e qartë emancipuese në këtë politikë të këtij lloji. Ai tradhëton çdo retorikë, demaskon çdo premtim dhe përgënjeshtron çdo angazhim. Qeveria e parrullave është rikthyer në Shqipëri pas gati 30 viteve, me ndryshimin se ajo është jo vetëm më e pasur, por edhe më arrogante edhe se ata që e mbajtën Shqipërinë nën pushtetin e dhunës për dekada.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.