“Kemi Kushtetutën më idiote në botë. Heshtëm se na u premtua ftesa për hapjen e negociatave”

Postuar në 10 Tetor, 2017 21:24

Kushtetuta e Shqipërisë është e pangjashme në rruzullin tokësor, për shkak të disa ndërhyrjeve idiote. Shqipëria nuk ka bërë reformë në drejtësi, por spektakël. Kemi heshtur të gjithë, edhe unë gjuhëgjati. Ka shumë juristë me mend në këtë vend që kanë shprehur rezervat e veta në korridore, por heshtëm sepse na u premtua ftesa për hapjen e negociatave. Kur kam qenë ministër i Drejtësisë u arrit deri aty sa më thuhej “mos e prek këtë, mos e lexo se e ka lexuar Brukseli. Se përndryshe nuk na japin ftesën

Këtë deklaratë e ka bërë sot në emisionin Top-Story ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, që ka zbuluar diçka nga ato premtimet e një politike perverse që gjenerohet në zyra burokratësh në Bruksel dhe riprodhohet nën diellin mesdhetar të Shqipërisë, bashkë me buzëqeshjet brenda standardi të ndonjë ambasadori/je.

Politika shqiptare pra ka bërë edhe njëherë “sakrificën” e uljes së kokës, duke shpërfillur dhe injoruar çdo zë profesionist, çdo kritikë dhe çdo argument për ta mbyllur veten në guackën e frazës lypëse: “E ka thënë BE-ja”.

Ky pohim i ish-ministrit është i rëndë pse zbardh banalitetin e të ashtuquajturës marrëdhënie strategjike me Europën që mesa duket, në Shqipëri dhe vende si ne, pastron budallallëqet e veta duke kërkuar shlodhje dhe argëtim. Por kjo është Politikë, e madhe madje…të thonë në Shqipëri.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.