Haradinaj i përgjigjet Erdogan

Postuar në 02 Prill, 2018 20:13

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i është përgjigjur në distancë kërcënimeve të presidentit turk Erdogan. Kreu i qeverisë së Kosovës ka shfrytëzuar një aktivitet për promovimin e gatesave tipike shqiptare “Shije Shqiptare”, në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, për t’i kërkuar Turqisë të mos ndërhyjë në punët e brendshme të Kosovës.

“Duke përkujtuar Gjergj Kastrioti Skenderbeun dëshmojmë se i kemi rrënjët e thella, edhe Kosova dhe krejt shqiptarët kudo që janë. Për ata që prej larg na gjykojnë, e para që mund t’u them se nuk na njohin, iu mungon njohja për shqiptarët, në trojet e tyre, në atdheun e tyre, bëjnë mirë me na njoft, se kurrë nuk është në traditën tonë me hi në punët e shtëpisë të dikujt tjetër. Kosova dhe unë s’kemi hyrë në punët e brendshme të Turqisë, as në të kaluarën, as sot, as në të ardhmen, por po ashtu punët tona të shtëpisë nuk do të mund t’i bëjë dikush në emër tonë në Kosovë, kemi me i bërë vetëm ne kur i bëjmë ne. Këtë le ta dinë të gjithë”- tha Haradinaj.

Mbetet ende i paqartë roli i Haradinajt në arrestimin dhe dorëzimin e 6 shtetasve turq, por shkarkimi i menjëhershëm prej tij i ministrit të Brendshëm dhe kreut të Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës nuk është pritur mirë nga Ankaraja.  Falenderimi i presidentit turk për homologun e tij kosovar Thaçi ka shtuar dyshimet se institucionet kanë vepruar në dijeni dhe kordinim me të.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.