Whistleblower-i Berisha

Postuar në 27 Mars, 2018 23:35
Skerdilajd Zaimi

Ndoshta është hera e parë që Sali Berisha po bëhet i bezdisshëm. Ndaj tij ka patur mllef, urrejtje, inat, kundërshti, admirim apo edhe frikë. Por bezdi vështirë të thuash se ka patur ndonjëherë. Duket se kjo kohë ka ardhur.

Dhe këtë ndjesi ta krijon sa fakti se mikrofoni për të vihet në një kohë kur ai po humbet rolin real publik për të kaluar në rolin e avokatisë së interesave personale, aq edhe për faktin se teknika e tij e sulmit politik është e vjetëruar dhe jashtë kohe saqë mund të quhet e papranueshme.

Në një intervistë dhënë për FaxNews, ish-presidenti i Republikës dhe ish-kryeministr flet qesim siç thotë populli për të vdekurit dhe të gjallët. Zbulon komplote dhe hap dosje spiunësh përherë në autoreferencë të plotë dhe pa asnjë mbështetje minimale dokumentare.

 Z. Berisha është në një moshë në të cilën ka shumë rëndësi që të kuptohet se për çfarë ka respekt.  Për historinë e jetës së tij publike ka dëshmuar shumë pak respekt, përderisa ai nuk konsideron si të denjë periudhën para viteve ’90 të cilën e ndan në para dhe pas daljes së Shqipërisë nga Traktati i Varshavës. Është për të qeshur përpjekja për periodizimin e jetës së një njeriu me këtë kut në një Shqipëri si ajo e viteve ’60-’70.

Z. Berisha ka dëshmuar se nuk ka respekt as për historinë si të tillë, për gjykimin e saj, as për institucionet, pasi nuk ndalet në akuza dhe lloj lloj versionesh personale që kanë ndikim kur përhapen në publik. Por edhe fyejnë. Një njeri që di kaq shumë gjëra delikate e di shumë mirë sesa e vështirë është t’i thuash ato publikisht nëse janë të vërteta. Por e vërteta me të pavërtetën, sensacionin, janë bërë njësh në një vend ku gjithkush mund të bëjë historianin dhe gjykatësin.

Vetëm në intervistën e sotme, z. Berisha ka akuzuar pesë persona, tre të vdekur dhe dy të gjallë si spiunë(katër të rusëve dhe një të jugosllavëve). 

Sigurisht që rreziku rus është një rrezik real për Ballkanin, por më pak se kudo është në Shqipëri. Mos harro trashëgiminë e Ramës në raport me Rusinë. Ramiz Alia, e ndjera bashkëshorte e tij dhe Kristaq Rama që të tre kanë qënë celulë e KGB në Shqipëri. E vërteta kjo është, e them me siguri. Mund të thoja për Nexhmijen por nuk e them. Ajo ka qënë agjente e Mugoshës, kurse këta kanë qënë agjentë të KGB. Kjo në atë kohë ka qënë fare e njohur, plus dhe të dhëna të tjera…

është shprehur ai.

Spiuni tjetër është Artur Meçollari, të cilit z. Berisha ia vendos mbiemrin si Muçollari.

Përveç spiunit, u përzunë dy diplomatë rus por Muçollarin nuk ja dhanë me vete. Ata u përzunë …

Po thoni që Muçollari është spiun i rusëve?

Sali Berisha: Po them që është spiun i fuqive jo të NATO-s

Nuk dihet nëse ka ndonjë politikan tjetër në Europë që flet në këtë mënyrë dhe që ka kaq pak respekt për fytyrën e vet në publik. Z. Berisha ka qenë në pushtet, ai mund të ndihmonte në ndriçimin e shqiptarëve duke ofruar dokumente për aktivitetin e Ramiz Alisë në favor të KGB-së, të Semiramis Alisë, bashkëshortes së tij që sot, 32 vjet pas vdekjes përmendet si agjente e shërbimit rus, apo edhe për Kristaq Ramën. Dikur z. Berisha është shprehur se hapja e dosjeve të Sigurimit të Shtetit do të sillte përplasje dhe plagë sociale. Por për këta të tre dhe për Nexhmije Hoxhën nuk do të kishte kush qeder në Shqipëri. Pushteti i z. Berisha i gjykoi dhe dënoi Ramiz Alinë dhe Nexhmije Hoxhën për abuzim me detyrën me pasojë shkeljen e të drejtave të njeriut, por nuk tha asnjë rresht për aktivitete të tilla.

Cilado qoftë e vërteta ajo duhet hulumtuar dhe nuk është aspak pa vlerë që një sqarim të tillë ta japë edhe Autoriteti për Dosjet. Përndryshe, kjo sjellje e këtij njeriu është një turp më vete dhe një gërmërr televiziv që nuk ka më asnjë efekt veçse atë të një palimpsesti që zbulon përditë e më shumë se ka vetëm një teskt të shkruar mbi vete e të cilin e reciton pa ndalim.

Por për t’i bërë qejfin kësaj loje retorike, i kujtojmë z. Berisha se ka harruar Sofo Lazrin, “Rezidentin” e Ramiz Alisë siç e ka quajtur shpesh. Shpresojmë që të jetë vetëm çështje e moshës dhe jo ndonjë aryse tjetër që do kompromentonte rëndë besueshmërinë e këtij Whistleblower – apo Fishkëllyesi - Fishkëllimxhiu vullnetar të çdo "sekreti"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.