A i ka mbjellë vërtet 100 mijë pemë Bashkia e Tiranës?

Postuar në 21 Mars, 2018 22:16

Që prej muajit shtator të vitit të kaluar Bashkia e Tiranës ka nisur një fushatë intensive për gjelbërimin e kryeqytetit.  Objektivi ishte mbjellja e 100 mijë pemëve deri sot më 21 Mars, datë që përkon me Ditën Ndërkombëtare të Pyjeve.  Përmes profilit të tij në “Facebook”, Veliaj falenderoi sot çdokënd që kontribuoi në këtë nismë  përmes albumit fotografik “100 mijë” dhe shpërndau sloganin e ri “TreeRana”.

Në pamundësi për të verifikuar shifrën prej 100 mijë pemësh, po bëjmë një llogari për treguar se si këto pemë do të përktheheshin në një pyll, meqenëse jemi në Ditën Ndërkombëtare të Pyjeve. Fillimisht na duhet të sqarojmë se çfarë nënkuptojmë më pyll. Sipas përkufizimit të “Food and Agriculture Organization” FAO, pyll quhet një hapësirë prej minimumi 0.5 hektarë e mbuluar prej pemëve në jo më pak se 10% të sipërfaqes.

Kjo na çon në pyetjen e radhës: “Sa pemë duhen për të krijuar një pyll?”

Nëse bazohemi tek përkufizimi i mësipërm FAO rezulton se nevojitet një minimum prej 50 pemësh që një sipërfaqe prej 0.5 hektarë të quhet pyll.

Rrjedhimisht, pyetja tjetër është: Sa sipërfaqe pyjore krijohet me 100 mijë pemët e mbjella nga Bashkia e Tiranës?

Nëse 50 pemë na japin 0.5 hektarë pyll, 100 mijë pemë na japin 1000 hektarë pyll. E përkthyer në kilometra katrorë kjo hapësirë pyjore do të ishte e mjaftueshme për të “shndërruar në pyll” një pjesë të konsiderueshme të Tiranës.

Për ta thjeshtuar po japim një ilustrim grafik që tregon se cila pjesë e Tiranës do të mbulohej nga pylli i 100 mijë pemëve të mbjella.

Ashtu si duket edhe nga harta, 100 mijë pemë konvertohen në një hapësirë pyjore që shtrihet nga fillimi i rrugës Teodor Keko deri në afërsi të sheshit “Shqiponja” duke vazhduar në Kinostudio, më pas në afërsi të Saukut e do të mbyllej sërish tek Teodor Keko, zona e njohur ndryshe si “pallati me shigjeta”.

Në këtë rast bashkia duhet përgëzuar vërtetë, pasi paska arritur të mbjellë aq pemë sa për të krijuar një pyll më të madh se Parku i Liqenit, i Kasharit dhe i Paskuqanit të marrë së bashku, të cilët sipas matjeve të përafërta në hartë rezultojnë të kenë një sipërfaqe prej vetëm 6.85 Kilometra katror.

Burimi: http://historia-ime.com/2018/03/21/a-i-ka-mbjelle-vertet-100-mije-peme-b...

Comments

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.