Kriza e heshtur e mikrobiomës

Postuar në 04 Mars, 2018 19:30
Tobias Rees - McGill University/ Nils Gilman - Berggruen Institute

Është një krizë që nga shumë shkencëtarë besohet se ka përmasa të ngjashme me ndryshimet klimaterike, por ka shumë më pak mbulim mediatik: mikrobet po zhduken nga trupi ynë.

Mund të keni dëgjuar se triliona mikrobe – baktere, kërpudha, viruse, protiste(mikroorgnaizma) – jetojnë në çdo sipërfaqe të trupit sikurse brenda gojës, në zgavra të tjera dhe në zorrë e stomak. Mund të keni dëgjuar po ashtu se këto mikrobe përbëjnë shumicë e qelizave të trupit.

Por pak njerëz e dinë sesi këto mikrobe dhe genet e tyre ndikojnë drejtpërdrejt në funksionimin e trupit tonë. Genomi njerëzor i gjendur në bërthamën e qelizave tona, përmban rreth 20 000 gene, por mikrobioma – shuma totale e materialit genetik në mikroorganizmat që jetojnë në apo mbi ne – përmban më shumë sesa 20 milionë gene, që të gjithë që ndërveprojnë drejtpërdrejt ose tërthorazi me genet tona, duke i kontrolluar ato në disa raste.

Genet tona mikrobike janë kritike për rregullimin e metabolizmit tonë, për aftësinë e sistemit tonë imunitar në luftën kundër infeksioneve dhe në prodhimin e neurotransmetuesve që fuqizojnë trurin tonë dhe sistemin nervor. Mikrobioma, njësoj si genomi i bërthamave qelizore, është i trashëgueshëm. Shumica e mikrobeve transferohen nga nëna te fëmija gjatë lindjes, në një zinxhir transmetimi që shkon pas te kafsha më e hershme që evoluoi – që duket se kanë qenë mikrobet.

Pse pra atëherë ka krizë?

Ajo që po hamë

Çështja e parë kryesore është dieta moderne. Paraardhësit tanë që ishin gjuetarë – mbledhës  kishin një dietë bazuar kryesisht në bimë dhe të pasur me fibra, që mbështeste një popullatë të ndryshme mikrobiale në zorrët tona, që mund të prodhonte të gjitha metabolitet që nevojiten nga truri dhe trupat tanë për t’u rritur dhe për të qenë të shëndetshëm. Në të kundërt me ta, shumica e njerëzve modernë kanë një dietë të varfëruar në vlera ushqimore dhe në fibra. Kjo shkakton uri në pjesë të mëdha të mikrobiomës sonë dhe shkatërron shëndetin tonë përmes sëmundjeve tipike të modernitetit si obeziteti dhe diabeti.

Diversiteti mikrobial i gjendur në zorrë në individë të shoqërive që aktualisht vijojnë jetën e gjuetarit dhe mbledhësit, si popullsia Hadza në Tanzani dhe Yanomami në Afrikën e Jugut, është gati dy herë më e lartë sesa mesatarja e gjetur në zorrën e një europiani dhe amerikani(pavarësisht nga etnia). Lajmi i mirë është se në shumicën e rasteve, nëse ne i kthehemi një diete të pasur me fibra përpara sesa të kemi humbur mikrobet esenciale, pjesë nga diversiteti i popullsisë mikrobiale në zorrë mund të rivendoset.

Mënyra si lindim

Një tjetër element i krizës së mikrobiomës është rritja e fortë e numrit të lindjeve me Çezarian. Kjo formë e ndërhyrjes mjekësore shpëton jetët e shumë nënave dhe bebeve. Por kur procedura nuk është e nevojshme nga ana mjekësore, ajo ndërhyn në mënyrë të panevojshme në një fazë të rëndësishme të zhvillimit.  Sot, një e treta e bebeve të lindura në SHBA dhe thuajse gjysma e bebeve në disa vende si Brazili dhe Turqia, lindin me Çezarian.

Pse kjo është problem? Sepse tradicionalisht, vaksinimi fillestar i një të sapolinduri me mikrobiomën e nënës ndodh kur një bebe kalon përmes kanalit lindës të nënës. Në fakt, gjatë tremujorit të tretë të shtazanisë, mikrobioma vaginale dhe fekale e nënës transformohet për të vaksinuar fetusin me mikrobet esenciale që ka nevojë për zhvillimin optimal.

Një ndërhyrje Çezariane ndërpret transmetimin e një procesi njëvjeçar dhe efektet janë reale dhe serioze. Një fëmijë i lindur me Çezarian ka shumë më tepër gjasa që të zhvilllojë alergji sesa fëmijët e lindur natyralisht për shkak të mungesës së mikrobeve që i duhen zhvillimit të sistemit imunitar.

Për t’i përkeqësuar gjërat: një bebe vajzë që lind me Çezarian humbet përgjithnjë mikrobet esenciale dhe si e rritur ajo nuk mund t’i kalojë këto mikrobe fëmijës së vet. Situata përkeqësohet nëse fëmija e saj lind edhe ai përmes Çezarianit dhe merr efekte të tjera negative nëse ai ushqehet në bazë të një diete të varfër me fibra. Efekti negativ eksponencial i të gjithë kësaj është i qartë. Çdo herë që një nënë humbet një specie mikrobiale – ndoshta një që është esenciale për shëndetin tonë – edhe fëmija i saj i ardhshëm do ta humbasë atë. Nëse nëna merr një seri trajtimesh serioze me antibiotik, ndoshta pak përpara apo gjatë shtazanisë, fëmija i saj do të privohet edhe nga mikrobe të tjera të dobishme. Kërkime të fundit sugjerojnë se një i sapolindur që humbet vetëm tre specie mikrobesh gjatë tre javëve të para të jetës, ka më shumë gjasa që të bëhet azmatik.

Kur ne sëmuremi

Megjithatë, përdorimi i shfrenuar i antibiotikëve duket se është shkatërruesi i vetëm kryesor i simbiozës njerëzore genom-mikrobiomë. Libri i dr. Martin Blaser mbi këtë çështje, “Të humbaësh mikrobet” mund të rezultojë për antibiotikët ai që ishte për industrinë kimike të pesticideve libri i Rachel Carson, “Pranvera e Heshtur”.

Antibiotikët me spektër të gjerë vrasin në mënyrë efektive shumë patogjenë që shkaktojnë sëmundje ndër ne, por ata vrasin po ashtu edhe shumë mikrobe që janë të domosdoshme për zhvillimin normal. Dhe ka prova të shumta që antibiotikët po mbipërdoren: një fëmijë amerikan merr mesatarisht pesë seri antibiotikësh me spektër të gjerë gjatë tre vjetëve të parë të jetës së tij.

Duke patur parasysh varësinë e ndërsjellë tonë ndaj mikrobeve, përdorimi i antibiotikëve për të luftuar infeksionet është sikur të përdorësh bombardime pafund për t’u përballur me një kryengritje. Është një funksion i papërpunuar që prodhon dëme shumë të mëdha kolaterale ndaj mikrobiomës së “mirë”. Më e keqja, sidomos nëse nuk ndiqet deri në fund, antibiotiku jo vetëm që mund të mos asgjësojë infeksionin, por mund të fuqizojë kundërveprimin që çon në rezistencë ndaj antibiotikëve. Njësoj si me strategjitë e dobëta kundër rebelimeve, përdorimi joselektiv i antibiotikëve mund të ketë pasoja shkatërruese dhe të paparashikuara.

Një nga këto ndodh për shkak se shumica e antibiotikëve përdoren jo te njerëzit, por te kafshët. Disa mijëra tonë u hidhen kafshëve çdo vit dhe përhapen në fusha në një nivel nënterapeutik. Kjo nuk është edhe aq për të parandaluar sëmundjet, por për të rritur peshën(apo për ta thënë ndryshe për të fituar obezitetin) në kafshët, duke rritur kështu prodhimin e mishit. Më pas ne konsumojmë këtë mish kafshësh të përmbytur në antibiotikë. Kafshët po ashtu e transferojnë antibiotikun në ujin e tokës të cilin ne eventualisht e pijmë. E gjitha kjo ndihmon në shkatërrimin e mikrobiomës sonë.

Përdorimi masiv i antibiotikëve koniçidon me rritjen dramatike të një numri fatkeqësish moderne, që të gjitha të provuara eksperimentalisht se kanë lidhje me shqetësimet e mikrobiomës: sëmundjet atopike, sëmundjet autoimmune, alergjitë, azma deri edhe skleroza e shumëfishtë dhe Parkinsoni. Shkencëtarët tani po eksplorojnë lidhjet mes çekuilibrimit të mikrobiomës dhe disa kancereve.

Ku po shkojmë?

Si individë ne mund të përgigjemi ndaj kësaj epidemie duke ndryshuar atë që hamë dhe gjithashtu duke iu afruar natyrës: kur punojmë në kopshtin tonë dhe bëjmë duart pis, trupat tanë thithin mikrobe të shëndetshme apo metabolite mikrobiale.

Pë rata që hartojnë politikat, kuptimi i rëndësisë së mikrobiomës njerëzore siguron edhe më shumë arsye për të ndalur përdorimin e shfrenuar të antibiotikëve. Politikëbërësit duhet gjithashtu të financojnë më shumë kërkime qoftë mbi ndërveprimin kompleks mes mikrobiomës njerëzore, mikrobiomës së disa kafshëve, dietës, faktorëve mjedisorë dhe praktikave publike dhe personale shëndetësore.

Shtuar kësaj, shkencëtarët duhet të krijojnë biobanka:  njësoj siç kemi krijuar depozita për bimët që janë në rrezik zhdukjeje, ne kemi nevojë të mbledhim mostra mikrobiomash nga popullsitë që nuk jetojnë sipas stilit modern të jetës dhe që kanë një mikrobiomë shumë herë më të pasur, më të diversifikuar sesa ne. Terapitë rigjenerative të mikrobiomave dhe transplanted mikrbiale po fitojnë shumë terren si ndërhyrje të rëndësishme mjekësore dhe shumë shkencëtarë mendojnë se është jetike për të ardhmen e mjekësisë.

Së fundmi dhe ndoshta më domethënësja, mësimi i mikrobiomës njerëzore është ajo na sfidon ne që të rishikojmë kuptimin që kemi për veten tonë si njerëz: Mikrobet jemi Ne. në fakt, është e pamundur që të përcaktohet qartë kur jeta e një njeriu mbaron dhe kur mikrobioma e tij fillon. Ka një padallueshmëri thuajse perfekte. Ne njerëzit nuk jemi asgjë më shumë sesa thjesht natyrë. Ne jemi vetëm kaq – një copëz natyre, thellësisht e ndërlidhur me mjedisin mikrobial për shkak të të cilit edhe ekzistojmë.  

Burimi: https://www.washingtonpost.com/news/theworldpost/wp/2018/02/26/microbes/?utm_term=.3337997312d4

Përkthimi: ResPublica

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.