Bisedimet me Greqinë për kufirin detar, Presidenca: Nuk kemi kërkesë për plotfuqinë e ekspertëve

Postuar në 30 Janar, 2018 15:20

Çështja e kufijve detarë është një nga temat e diskutuara në bisedimet mes ministrave të Jashtëm të Shqipërisë dhe Greqisë, Nikos Kocias dhe Ditmir Bushati. Takimet e zhvilluara në dhjetor në Kretë dhe disa ditë më parë në Korçë janë përqendruar në disa pika, përfshirë edhe marrëveshjen e detit. Një ditë më parë në një raportim mbi bisedimet në Komisionin e Jashtëm, ministri Bushati tha se e ka informuar presidentin e Republikës në lidhje me këto bisedime dhe theksoi se gjatë tyre është shprehur bindja për t’i qëndruar vendimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me paktin detar me Greqinë. 

Kam biseduar me presidentin e Republikës. E kam informuar për hapat që mund të ndërmerren në parim në lidhje me Greqinë. Ne do t’i përmbahemi vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, tha Bushati. 

Ndëtrkohë ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias, ka deklaruar në televizionin shtetëror grek, se me palën shqiptare është rënë dakord për ndryshim të vijës kufitare, pra të marrëveshjes së parë dhe madje se Shqipëria i njeh Greqisë të drejtën për ta shtrirë kufirin në 12 milje detare. Ky është një aspekt politik që ka dhënë dakordësi në parim për njohjen reciproke të disa koordinatave të përgjithshme, pasi puna konkrete u takon ekspertëve. Mirëpo këta ekspertë duhet që të marrin plotfuqinë nga Presidenca, jo vetëm pse kështu e thotë ligji, por sepse kjo është një nga çështjet për të cilat është shprehur edhe Gjykata Kushtetuese në rastin e rrëzimit të vendimit të parë.

Burime nga Presidenca, thanë për Tema Tv se nuk ka ende një kërkesë të tillë nga qeveria.

Takimet e deritanishme mes dy ministrave kanë qenë politike dhe nuk është ngritur një grup pune për të punuar konkretisht me këtë çështje”, citohen burime në Presidencë.

Çka do të thotë se dakordësia politike me palën greke duhet të gjejë shprehje konkrete mbi hartë dhe nga ekspertët. Ky është një vendim që kalon nga Presidenti, partia e të cilit sot ka dalë kundër diskutimeve me palën greke. Mbetet për t’u parë çfarë do të bëhet, por pakti i shumëpritur i muajit prill do të kërkojë gjithësesi firmën edhe të Ilir Metës.

TemaTV

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.