Shupenza e “Opozitës që Duam”!

Postuar në 17 Nëntor, 2017 21:01

60 nxënës të gjimnazit të Shupenzës rrezikuan jetën për shkak të rrjedhjes nga sistemi i kaldajës, të paktën siç janë dyshimet e para, derisa hetimet të përcaktojnë edhe shkakun e vërtetë. Ngjarja mund të ishte me pasoja edhe më tragjike, por fatmirësisht përfundoi pa pasoja.

Përtej përgjegjësive që mund të kenë të bëjnë me firmën kontraktore apo pushtetin lokal, ngjarja nuk i ka shpëtuar ngjyrimeve politike dhe ajo çfarë tërheq vëmendjen është si u është përgjigjur qeveria kritikave të opozitës.

Vetë ministria e Arsimit, Lindita Nikolla replikoi në distancë me kryetarin e PD-së Lulzim Basha, duke i kujtuar standardet e ish- opozitës socialiste për ngjarje si ajo e Gerdecit ku vihej në diskutim përgjegjësia e qeverisë. Dhe çfarë thotë zonja Nikolla.

“Disa vite më parë, u vranë 26 vetë dhe u hodhën në erë qindra shtëpi zoti Basha dhe koha më pas, tregoi edhe si edhe pse u shkrumbua një fshat i tërë, 15 minuta larg qendrës së Tiranës. Por atë ditë, në ato orë tmerri kombëtar, Edi Rama, atëherë në rolin që ju keni sot, u tregua njeri normal i një bashkësie njerëzish normalë dhe nuk u mor me hesapet e veta politike. Besoj ju kujtohet! Madje armiku që ju ka verbuar sytë dhe errësuar komplet arsyen, mori në kurriz edhe shumë akuza e shpotitje të pamerituara për “rrahjen e shpatullave” të kryeministrit në deren e spitalit”.

Askush nuk çuditet me tepritë e opozitës në rastin e Shupenzës apo ngjarjeve të tilla, ku mund të bëhet më shumë zhurmë nga sa realisht meriton. Por detyrë e qeverisë është të japë përgjigje edhe për kuriozitetet e tepruara të opozitës dhe jo të flasë për modele që opozita duhet të adoptojë.

Në përgjigjen e saj ministrja e Arsimit, flet për terma të bashkëjetesës mes njerëzve normalë  teksa perifrazon aktin e ish-kreut të opozitës Edi Rama për t’i rrahur shpatullat Sali Berishës dhe për të mos kërkuar llogari politike për ngjarjen e Gërdecit ku mbetën 27 të vrarë.

Ajo që kërkon të thotë ministrja është se kjo qeveri dëshiron të ketë përballë pikërisht një model të tillë opozite, ku çudia më e madhe të zgjasë tre ditë dhe ku me ndihmën e opozitës gjërat të konsiderohen si bashkëjetesë normale për të mos u shkuar deri në fund sipas përgjëgjesive politike që derivojnë nga ngjarje që lidhen me veprimet apo mosveprimet e strukturave shtetërore.

Opozita e djeshme e trajtoi Gërdecin me “rrahje shpatullash” dhe në fund kur mori pushtetin e sanksionoi si “aksident teknologjik”. Në slloganin “Shqipëria që duam” mesa duket përfshihen të gjitha, për qeverinë që duan edhe opozitën që duan ata që nga protestues kthehen në ministra dhe nga ministra në protestues.  

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.