Loja me dosjet e pronave në Strasburg merr përgjigje në shtator

Postuar në 19 Gusht, 2017 11:02

Miratimi i ligjit të ri të pronave dhe kalimi i ngërçit që erdhi pas rrëzimit të pjesshëm nga Kushtetuesja, duket se e ka bërë qeverinë të nxitojë për kompensimin e ish-pronarëve me metodologjinë e re që parashikon ky ligj. Në vetëm 7 muaj, rezulton që të jenë shpërndarë 98% e parave të parashikuara në buxhet.

Në këtë zë, qeveria kishte llogaritur shpërndarjen e 3.8 miliardë lekëve dhe sipas treguesve fiskalë rezulton që deri në korrik të jenë shpërndarë 3.71 miliardë lekë. Deri në fund të vitit, mbeten edhe 90 milionë lekë për dosjet e radhës. Kjo rezulton në statistikat fiskale të Financave për periudhën janar-korrik 2017.

Në fakt, janë dhjetëra dosje që janë stokuar tashmë në Gjykatën e Strasburgut, që presin vendimin. Deri tani çështje e pronave nga Shqipëria janë trajtuar sipas një vendimi të unifikuar” Manushaqe Puto dhe të tjerë kundër Shqipërisë”, që e ka ngarkuar buxhetin me detyrime marramendëse.

Ligji i ri për pronat, thelbi i të cilit është pagesa e tokave sipas kategorisë që kishin kur u shtetëzuan dhe jo sipas kategorisë aktuale, përfundoi në Kushtetuese, e cila e rrëzoi pjesërisht atë, por ndërkohë procesi ka hyrë në shina. Kohët e fundit, në përputhje me këtë ligj, kanë filluar edhe pagesat e rasteve të veçanta, ku ish-pronarët mund të heqin dorë vullnetarisht nga një përqindje e caktuar e dëmshpërblimit, në favor të pagesës me këste të përshpejtuara të pjesës së mbetur.
 
Këshilli i Evropës
Vendimi i unifikuar i Strasburgut, që u caktua si vendim-pilot për t’u aplikuar në çdo rast të dosjeve të pronave për Shqipërinë, duket se do të rishihet edhe një herë. Ekziston mundësia që qeveria shqiptare të ketë alarmuar Gjykatën e Strasburgut, duke iu lutur të mos marrë më vendime sipas dosjes pilot Manushaqe Puto, pasi kështu buxheti i shtetit do të kalonte në faliment total.

Dhe, në fakt, prej një viti e gjysmë pagesat e rënda janë ndërprerë, pas vendimeve më të fundit që u jepnin deri në 6-8 milionë euro familjeve të ish-pronarëve.

Ndërkohë, edhe disa dhjetëra dosje, të cilat tashmë kanë kaluar procedurat e shqyrtimit dhe presin vetëm vendimin nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, po mbeten në pritje.

Kjo, pasi Strasburgu e ka çuar kërkesën këmbëngulëse të qeverisë shqiptare në gjykim të Këshillit të Evropës. Ky i fundit në shtator do të vendosë nëse Gjykata do të marrë parasysh ligjin e ri, apo do të vazhdojë me vendimet automatikisht siç u veprua me dosjen Manushaqe Puto. Kjo do të hapte dritën e gjelbër për të vijuar me vendimet lidhur me dosjet e pronave.

Ajo që i tremben më shumë pronarët është se ndoshta Këshilli i Evropës vendos që të kthejë nga e para për shqyrtim ato dhjetëra dosje, të cilat tashmë presin vetëm vendimin, por që janë trajtuar sipas ligjit të vjetër shqiptar.

Pra, një tokë, që më parë ishte kullotë, por tani është brenda vijës së verdhë të një qyteti, pra kushton dhjetëra herë më shtrenjtë, Strasburgu, sipas vendimit pilot Manushaqe Puto, e trajtonte me kategorinë aktuale-truall dhe jo me kategorinë e vjetër-kullotë.

Diferenca është shumë e lartë mes metodologjisë së re, të miratuar tashmë në Shqipëri dhe asaj të mëparshme. Kështu, psh në Sarandë, një metër katror kullotë do të dëmshpërblehet nga shteti me 80 lekë, ndërkohë që një metër katror brenda qytetit kushton 10.000 lekë të reja. Me ligjin e ri, shteti shqiptar një sipërfaqe që tashmë është brenda vijës së verdhë të qytetit bregdetar po që dikur ishte kullotë nuk e paguan me 10.000 lekë, por me vetëm 80 lekë.

Duke qenë se fjala tanimë është për një vendim strategjik, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka rënë dakord që atë t’ia kalojë Këshillit të Evropës, si organi i saj epror.
 
Legalizimet
Kompensimi i ish-pronarëve shihet si i lidhur me procesin e legalizimit, pasi paratë që vijnë nga ky proces kalojnë te fondi i posaçëm ku përfshihen edhe fondet që vijnë nga privatizimet. Gjithsesi ky zë në buxhet rezulton me një realizim të dobët prej 40 për qind. Sipas parashikimit fillestar, qeveria priste që të arkëtonte deri në fund të vitit 2017 2 miliardë lekë nga ky zë, por, në fakt, deri në korrik janë realizuar vetëm 809 milionë lekë.
 
Ish-të përndjekurit
Ndërkohë, qeveria është treguar më e matur në dëmshpërblimet që parashikon ligji për ish-të përndjekurit. Gjithnjë sipas shifrave të publikuara dy ditë më parë nga ministria e Financave, që ende janë jopërfundimtare, rezulton që të jetë shfrytëzuar deri në fund të muajit korrik 2017, 64 për qind e fondit të parashikuar në buxhetin e shtetit për këtë kategori qytetarësh.

Me sa duket, në muajt në vijim, pagesa për dëmshpërblimin do të kryhet në mënyrë periodike. Por, ekspertët e dikasterit pohojnë edhe diçka tjetër në këtë drejtim: shumë personave apo trashëgimtarëve që u takon të tërheqin dëmshpërblimin, nuk kanë dosje të rregullta, apo u mungojnë llogaritë bankare. Në këto kushte, për ata nuk mund të procedohet normalisht.

shqiptarja.com

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.