Shantazh me gjobën e radhës. DPGJC flet për Vendbanimin, drejtori për Gjendjen Civile

Postuar në 12 Korrik, 2017 15:55

Ata qytetarë që nuk e zhvendosin gjendjen civile, brenda afateve të përcaktuara, të 28 korrikut, do të ketë penalitet prej 10 mijë lekësh më 29 korrik. Fillon penaliteti”.

Kështu është shprehur sot në një intervistë për “Report Tv”, drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Bledar Doracaj.  Me një dalje që thjesht shton keqkuptimin për qytetarët zotëria lë të kuptohet se shqiptarët e Shqipërisë mund të ndryshojnë gjendjen civile pa gjobë vetëm deri më 28 korrik. Kjo është absurde dhe antiligjore. Zotëria bën mirë të ketë kujdes me fjalët, jo vetëm pse lëshon nga goja gjëra që nuk thuhen në ligj, por përmbi të gjitha siç e dimë, të paguash gjobë në këtë lloj kazani që quhet Republika e Shqipërisë është budallallëk. Dhe budallallëk jo pse nuk i përgjigjesh një sanksioni, por sepse shumë shpejt do të vijnë zgjedhjet dhe do ketë amnisti.

Nga ana tjetër, në një njoftim të vetin, Drejtoria e Gjendjes Civile, nuk flet fare për NDRYSHIM TË GJENDJES CIVILE, por për DEKLARIM TË VENDBANIMIT.

DPGJC njofton: Deklarimi i ndryshimit të vendbanimit falas deri në 28 Korrik 2017 Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile njofton se më 27 Korrik 2017 përfundon pezullimi i masës së gjobës për mosrespektimin e afatit 1-mujor për deklarim të vendbanimit nga shtetasit. Kjo masë u pezullua me hyrjen në fuqi të ndryshimeve të miratuara në ligjin nr. 134/2016, datë 22.12.2016 “Për gjendjen civile”, i ndryshuar, sipas dispozitës kalimtare të parashikuar në nenin 24. Nisur nga data 28 Korrik 2017, pas periudhës 6-mujore të amnistisë për çdo mosdeklarim të ndryshimit të vendbanimit, DPGJC njofton se nga shërbimi i Gjendjes Civile, zyrat e Gjendjes Civile në bashki dhe në njësi administrative, do të aplikohet masa e gjobës prej 10. 000 (dhjetë mijë) lekësh. Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile u kujton të gjithë shtetasve shqiptarë të cilët nuk kanë deklaruar ende vendbanimin, ose nuk kanë kryer veprime të ndryshimit të vendbanimit në zyrën e Gjendjes Civile nën juridiksionin e së cilës ndodhet godina e vendbanimit të tyre, të kryejnë sa më shpejt veprimet në përmbushje të këtij detyrimi ligjor”.

Përdoren dy terma nga i njëti ent shtetëror. Njoftimi i DPGJC-së është i saktë, pasi ligji parashikon pikërisht këtë: detyrimin për deklarimin e vendbanimit. I cili nuk thuhet asgjëkund se çon në ndryshim të Gjendjes Civile të shtetasit, pasi në kuptim të ligjit aktual, venbanimi është vetëm NJË NGA elementët e identitetit që përfshihet në Regjistër. Zotëria në fjalë flet për Gjendje Civile. Ose kjo ka nevojë të sqarohet më tej, ose këtu kemi të bëjmë me dy terma të ndryshëm. Nga ana tjetër,

ligji detyron institucionet shtetërore dhe arsimore që në rastet e marrjes në punë, apo të regjistrimeve, të njoftojë njësinë e Gjendjes Civile përkatëse, e cila mandej njofton ME SHKRIM punëmarrësim për nevojën e deklarimit të Vendbanimit

Z. Doracaj thotë madje që ka shumë mënyra që shteti të provojë vendbanimin e qytetarit dhe kjo është e vërtetë. Por po kaq e vërtetë është se është njëra gjë, Provimi i faktit, dhe krejt tjetër karakteri Juridik të tij. Qytetarët kanë detyrimin që brenda 30 ditësh të deklarojnë vendbanimin e ri që rrjedh nga një kontratë apo dokument që të lidh me godinën ku jeton. Thuhet se kjo përputhje bëhet për të shërbyer më mirë për qytetarët, ndërkohë që është e kundërta. Kërkohet një adresë për të postuar gjobat. Asgjë më shumë.

Brenda këtij viti, printimi i çertifikatave personale dhe familjare, do të mundësohet përmes portalit unik qeveritar e-albania. Pra çdo shtetas shqiptar mund të printojë ngado, një çertifikatë dhe ajo t’i njihet zyrtarisht si dokument. Përpjekja e fundit është brenda suazës së ligjit dhe ky ligj ka qenë në fuqi prej vitesh. Asnjë nuk e ka zbatuar. Del befas Sajmir Tahiri dhe z. Doracaj dhe kërcënojnë shqiptarët me gjobën e radhës. Në emër të mbledhjes së disa të ardhurave më shumë dhe të pasurimit të regjistrit të qytetarëve në Tiranës, në funksion vetëm të TAKSIMIT.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.