Milioneri socialist!

Postuar në 08 Qershor, 2017 10:06

Në fushatë duhen thënë gjëra të mira, pozitive. Pushteti e ka më të thejshtë të karikojë emocionalisht turmën: spektakël, ngjyra, “modernizëm”, lirshmëri, sportivitet, pse jo edhe luks qeveritarësh. Paradoksi i përshfaqjes së një Shqipërie që shumica nuk e arrin dot, por e duartroket si model për veten, na provon se sëmurë është e gjithë shoqëria. Njerëz që ksehasen dhe kënaqen me piruetat e kryeministrit në piacë, sodisin veshjet dhe pëshpërisin për gjatësinë.

Në këtë kuptim gara është e thjeshtë për pushtetin që ka me vete një popull që njësoj si shekuj më parë e përjeton fushatën si atë vizitën e papritur dhe shumë të rrallë të një vizitori në një fshat ku nuk shkel njeri. Kështu që hajde të marrim sazet dhe të këndojmë.

Kryeministrit nuk I pëlqen kur i kujton ndonjë gjë të hidhur në një vend që është përmbytur nga vjedhja dhe abuzimi. Të thuash vjedhje sot, apo hajdut për një pushtetar, nuk bën më as aktin e shpifjes së kazanit mediatik, pasi si kryeministri, ashtu edhe partneri i tij në koalicion, e pas tyre edhe Luli me zilkën e tij opozitaare, i thonë njëri tjetrit se çfarë ndërmarrjeje hajdutërie drejtojnë.

Shkoni në burg të gjithë”, i komenton dikush kryeministrit në Facebook e vet.

Më merr të keqen, po s’të vë faj! Je një viktimë e politikës së baltës”, ja kthen kryeministri në mënyrë automatike. Sepse të thuash sot “z. kryeministër je për në burg”, patjetër që je i çmendur, ose aq di. Duke harruar se këtë baltë dhe këtë pleh na e hedh në fytyrë politika përditë, me zullumet dhe të pabërat e veta. Ta zëmë LSI-ja sapo është zbuluar, Blushi u zbulua ca kohë më parë, ndërkohë që meqë Tahiri dhe të tjera si ai bëjnë lepe peqe, ata janë reformatorë.

Mirëpo Qerimi që flet troç në Facebook thotë edhe këtë:

viktime jane qytetaret shaqiptar qe kane socialistet me kaptalist ne tere boten.Mua nuk ma shet dot perrallen qe opanga socialiste, behet milioner nga politika brenda nates, ne vendin me te varfer te Evropes, e ai na qeka socialist. Jo jo Milioneri nuk mund te jet politikan socialist. Nuk mundte.

Një tjetër e zgjeron atë që thotë kryeministri në mënyrë intuitive:

Kemi vjedhur dhe do vjedhim" do ju pershtatej me shume si sllogan. Megjithese dhe "Shqiperia qe duam", nuk eshte keq. Keshtu e keni dashur Shqiperine dhe po pasuroheni dita dites me shume

Natyrisht pika në oqeanin e fjalëve të mira dhe përgëzimeve të cilat bëjnë shumicë. Pika të cilat me siguri që janë farë e një realiteti që nëse sot mohohet dhe nuk bën pjesë në asnjë ligjërim, shpejt do ta gjejë veten të shpërfaqur në një formë apo në një tjetër. Shqipëri është vend i vogël dhe ndoshta nuk ka hije për të gjithë, sado pemë të mbjellësh. Dhe ndaj edhe ca gjëra dihen dhe merren vesh shpejt sado që cirku ambulant i politikës bën çmos të shtojë harenë e harresës.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.