“Agrokor”, vrima e zezë kroate që po thith miliarda

Postuar në 13 Maj, 2017 21:13

“Bloomberg” raporton tri ditë më parë për shkërmoqjen e “Agrokor”, kompania më e madhe e ish-Jugosllavisë që menaxhohet me drejtim kroat. Shifrat e "Agrokor" flasin qartë për një perandori që ka shtrirë lidhjet dhe ndikimin në disa vende: totali i punësimit 60 mijë, të ardhurat për vitin 2015 ishin6.6 miliardë euro ndërkohë që të ardhurat totale në Kroaci nga turizmi në vitin 2016 ishin 9.5 miliardë euro. Fjala është për një gjigand që po kthehet siç shkruan “Bloomberg” në një vrimë të zezë. Janë 5000 biznese të lidhura në një mënyrë apo tjetër me “Agrokor” ndërkohë që disa hua të dhëna nga kompania apo fonde të huaja, afektohen direkt këtu. Në lojë janë edhe aktorë të njohur si “Fidelity International” dhe “Axa Investment Managers”, aksionerë në kompani. Qeveria kroate ka ndërhyrë për të mbrojtur interesat e biznesit vendas, por çështja është më e ndërlikuar se kaq. Pesha e kompanisë është në thelb e tillë që e çon krizën për ekonominë kroate në krizë sistemike, siç vlerëson ekonomisti i “Morgan Stanley”, Georgi Deyanov. Ndërhyrja e qevëerisë kroate konsiston në dhënien e garancisë shtetërore për borxhet afatshkurtra apo detyrimet e prapambetura ndaj furnizuesve.

Në rrezik është edhe vetë qeveria, ministri i Financave të së cilës, Zdravko Mariç ka qenë dikur drejtor për kapitalet e tregut i “Agrokor” deri vitin e kaluar. Me këtë rast kryeministrit Andrej Plenkoviç, i duhet një tjetër partner në koalicion pasi një prej partnerëve të tij tërhoqi mbështetjen për ministrin e Financave. Shpëtimi i kompanisë, sidomos degës kryesore të shitjes fundore “Konzum”, merr rëndësi pasi kështu mbrohen prodhuesit vendas, mes të cilave prodhuesi “Kras” që punëson 2 500 njerëz në Kroaci. Drejtimin e kompanisë aktualisht e ka marrë një komisioner i qeverisë, Ante Ramljak, i cili pason në detyrë themeluesin Ivica Todoriç. Parlamenti kaloi një ligj të posaçëm që miraton ndërhyrjen e qeverisë, pasi përndryshe aktualisht do të shihnim kolapsin në Kroaci. Ministri i Bujqësisë, Tolusiç ka deklaruar se faturat e papaguara të “Agrokor” ndaj furnizuesve të vegjël do të paguhen të gjitha. Por kjo sjellje vendos një kriter pabarazie mes kreditorëve që janë shumë dhe mund të çojë në penalizim dhe gjyqe për qeverinë që merr këtu përsipër të zgjidhë një situatë të ndërlikuar. Bëhet fjalë për shifra të mëdha; “Bloomberg” raporton se investimet në formë bondi të  “Axa IM” dhe “Fidelity” u zhvlerësuan me 70% ndërkohë që një kredi prej 520 milionë euro lëshuar mes të tjerash nga “Invesco Ltd”, “Canadian Pension Plan Investment Board” thuajse u zhbë fare.

Kompanitë kanë ngritur grupe pune për të marrë situatën në kontroll ndërkohë që ekspozimi është shumë infektues: Banka ruse “Sberbank PJSC” deklaron se ka parashikuar ekspozimin me 550 milionë euro nga 1.1 miliardë që është borxhi i akorduar prej saj, kurse grupi rus “VTB” parashikon 300 milionë euro nga ana e vet. Me interes këtu është kryqëzimi i interesave, ose më saktë konflikti: një përfaqësues i grupit “VTB” i tha “Bloomberg” se interesat e “qeverisë jo gjithnjë përkojnë me tonat. Shqetësimet e tyre orientohen nga kritere sociale që mund të mos përkojnë plotësisht me prioritetet tona”. Flitet për një borxh total të “Agrokor” që mundet të shkojë deri në rtreth 4 miliardë euro. Një dhimbje koke serioze. Por kompania u ka bërë thirrje aksionerëve që “të mos u besojnë llogarive financiare të së shkuarës deri sa të mbyllet hetimi administrativ, pasi mund të ketë gabime”.

Lëmshi është i madh dhe si zgjidhje e vetme shihet gjetja e sa më shumë  parave në mënyrë që biznesi vendas të mos mbetet në vend, me gjasë që kështu palët e interesuara të marrin kontrolin e procesit të ristrukturimit.

Situata është shumë komplekse, sidomos po të mendosh se “Agrokor” ka operuar në bursë, ose ka qenë e hapur për blerje aksionesh. Mirëpo rrëzimi dhe tolerimi i një situate monopol çon në këtë shkërmoqej katastrofike. Shqipëria nuk ka analogji këtu, pasi monopolet në Shqipëri janë shërbime ekskluzive të dhëna nga shteti. Mirëpo rasti i ARMO-s apo i Albpetrol, bashkë me konçesione të tjera kuadri rrugullues për të cilat është shumë liberal për privatët, nuk e përjashton një situatë groteske ku shteti shqiptar edhe sikur të kërkojë të dalë garant nuk e merr kush në refene në kushtet e këtij borxhi.  

https://www.bloomberg.com/news/articles/2017-05-10/billions-are-sinking-...

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.