Garë amerikano-gjermane për zgjidhjen e krizës

Postuar në 10 Maj, 2017 11:46

Të huajt dhe më  konkretisht Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania duken shumë më të interesuar për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri sesa vetë politika jonë e brendshme, madje duke shfaqur edhe një lloj rivaliteti.Teksa dy gjelat duken të vendosur për të mos hapur rrugë, faktori ndërkombëtar vazhdon të investohet për të shpëtuar zgjedhjet në Shqipëri. 

Në Tiranë ka mbërritur një delegacion anëtarësh të Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të kryesuar nga Kryetari Bob Goodlatte. Takimin e parë e zhvilluan me presidentin ende në detyrë, Bujar Nishani, zyra për shtyp e të cilit konfirmoi përpjekjen  e amerikanëve për të rivendosur dialogun mes pozitës dhe opozitës.  
Në njoftim thuhet se "Presidenti i Republikës, dhe kongresmenët amerikanë diskutuan dhe ndanë mendime e pikëpamje mbi çështje të ndryshme si: situata politike në Shqipëri, zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ecuria e reformës në drejtësi, rëndësia e shtetit ligjor, shqetësimi për dukurinë e kanabisit dhe trafikut të drogës, krimit të organizuar si dhe rreth buxhetit financiar për shpenzime ushtarake dhe mbrojtjen, duke pasur parasysh që Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe aleat besnik e i ngushtë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës". 
Përtej vëmendjes mediatike edhe partia e kancelares Merkel vijon përpjekjet për të afruar palët në një tjetër tryezë dialogu, të cilin e konsideron si shansin e fundit për palët. 
Andreas Lammel, deputet i CDU-së, dhe Walter Glos, përfaqësues i fondacionit ”Konrad-Adenauer Stiftung” për Shqipërinë u takuan të martën me përfaqësues të Partisë Agrare Ambjentaliste, të cilëve iu bë e qartë se opozita duhet të lëvizë në qëndrimet e saj. Përmbajtja e bisedës është zbardhur nga Genc Juka, Sekretar i Përgjithshëm i PAA-së në një intervistë për gazetën "Panorama".

"Z.Lammel shprehu gatishmërinë e CDU-së për të kryer për herë të fundit negociata midis palëve, pasi nuk e gjykojnë të arsyeshme mospjesëmarrjen e opozitës në zgjedhje. Gjithashtu z.Lammel theksoi se opozita duhet të propozojë disa variante për zgjidhjen e krizës, duke përjashtuar qëndrimet maksimaliste. Pra, mesazhi që morëm ishte se ka ende kohë për të shpëtuar zgjedhjet"-theksoi Juka, duke shtuar se 
"Ne u treguam të gatshëm për të zhvilluar negociata në mënyrë institucionale. U treguam të gatshëm të pranojmë propozime konkrete dhe jo ultimatume. U treguam të hapur për të krijuar një marrëveshje gjithëpërfshirëse, pasi politika është dialog dhe asnjëherë monolog. Pra, me vullnetin e mirë të palëve mund të krijojmë një moment të ri shprese për qytetarët tanë" 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.