Është jetike që të paktën të mos i besojmë

Postuar në 12 Janar, 2017 10:21

Ka disa ditë që qytetarët shqiptarë, ata që lexojnë mediat, po informohen se janë gjetur të dhëna të reja nga disa fusha që implikojnë pozitën juridike të Sali Berishës. Çështja është (bërë) shumë serioze dhe kjo mund të kuptohet nga protagonistët, ku spikat Taulant Balla. Një nga dy komisionet hetimore parlamentare për CEZ-in paska gjetur të dhëna të reja.

Për këto Balla, që e drejton një nga komisionet, njofton edhe në Facebook, kur si deputet duhet ta dijë se sa kohë nuk ka një vendim gjykate, çdokush përfiton nga prezumimi i pafajësisë. Raporti i komisionit që drejton zotëria mund të krijojë kushtet dokumentare për hetim penal të ish-kryeministrit shqiptar, pra mund ta çojë atë drejt dënimit. Ndaj publikimi i dokumenteve është një veprim më së paku jo etik për një deputet të Parlamentit shqiptar, qoftë ky edhe parlamenti i tanishëm.

E dhëna konsiston në identifikimin e atij që Balla e quan “sekseri i martesës së qeverisë shqiptare të asaj kohe të drejtuar nga Sali Berisha me kompaninë CEZ”. Personi në fjalë ka qenë kontakti dhe lidhja e djalit të Sali Berishës, Shkëlzen Berishës. Pas publikimit të këtij dokumenti, ka reaguar djali i Sali Berishës dhe mandej edhe personi i cilësuar si sekser duke mohuar akuzat. 

Një tjetër hapje për drejtësinë e munnguar ishte një intervistë e familjarëve të viktimave të 21 janarit(jo të gjithëve) që si në çdo janar flisnin për 21 janarin dhe edhe ata “për disa të dhëna të reja që janë zbuluar). 

Në një tjetër plan, disi më pa rëndësi, vazhdon të zhvillohet me të njëjtat akuza të ricikluara odiseja e Izet Haxhisë që e identifikon Sali Berishën, antiamerikan të bindur, urdhërues vrasjesh etj..

Kanë kaluar 25 vjet dhe përralla është e njëjtë, atë e kanë mësuar përmendësh të gjithë. Por në 26 vite kanë ndodhur kaq shumë gjëra dhe po ndodhin akoma të tjera, saqë nuk ka një logjikë normale që të pranojë se burimi, përçuesi dhe fajtori i vetëm është një njeri. Qoftë ky edhe me pushtet. Do të mjaftonin disa hollësi për të zbardhur se kjo djallëzi shkon kundër interesit të qytetarëve: Komisioni për CEZ-in që zbulon sot të dhëna, erdhi si reagim ndaj luftës që Sali Berisha bëri për Marrëveshjen e Mirëkuptimit që qeveria e Edi Ramës firmosi me kompaninë çeke. E dimë të gjithë aferën që u përfol gjatë vitin e kaluar. E kapur ngushtë dhe në konflikt me aleaten e vet, LSI-në, PS-ja dhe Edi Rama, menduan të pushonin akuzat duke i hapur Berishës një komision hetimi për aktet e tij. Pra këtë hetim me të cilin sot Taulant Balla mburret dhe bën diversione, në fakt e nxiti vetë Berisha. Nëse gjyqësori është i kapur siç thonë socialistët, kush i ndaloi këta të fundit të nisnin hetimin parlamentar që në vitin 2013? Njësoj mund të pyesim: kush i pengoi socialistët e Edi Ramës të nisin hetimin tatimor për konçesione që shiten për 500 lekë kur vlejnë 300 milionë euro?

Së dyti, intervistat e Izet Haxhisë nuk janë kontribut as mirëpriten nga PS-ja. Ato janë iniciativë e një njeriu privat që ka një të shkuar me pushtetin e Berishës. Asgjë nuk është vënë në lëvizje nga deklarimet e tij që thjesht riprodhohen nga disa media për të mbajtur gjallë një mendim fiks. Sa për 21 janarin, këtu cinizmi arrin kulmin, kur kjo ngjarje bëhet ngjarje mediatike çdo janar për t’I ënë vendin shkurtit ku tribun bëhet Berisha më datë 20. 

Është e qartë se qeveria - parti që u mburr me reformën në drejtësi, përmes së cilës tentoi të kapte të gjithë gjyqësorin, nuk udhëhiqet nga vullneti për drejtësi, as për gjykim të krimeve, as për t’i dhënë fund tranzicionit. Kjo provohet qoftë edhe nga kjo mikro-lojë me Berishën, provohet nga penetrimi i organizuar dhe i qëllimshëm i elementit kriminal në Parlament, por edhe nga fakti se kjo qeveri nuk ka një vizion për të ardhmen.

Fundi i tranzicionit vjen nga një vizion tjetër, jetësimi i të cilit do të godiste ekuilibra dhe interesa. Qeveria e tanishme e interierëve, ekspozitave personale, koncerteve të stisura dhe menaxhimit të shesheve, nuk bën pjesë te to: ajo ka po ata klientë që kishte qeveria e kaluar e ca më keq: ajo po dorëzon në mënyrë korruptive , 90% të shërbimeve publike sektorit privat, ndonëse u mburr për Rilindje dhe ndryshim. Kjo qeveri që sillet si kastë, po tjetërson në thelb kontratën sociale apo të besimit me shtetin, duke u shpallur në të vërtetë shtresa e pasur e shoqërisë që u pasurua vetëm në pushtet.

Ndaj edhe nuk e inicioi ajo gjykimin e Berishës, as edhe të Ilir Metës për të cilët dërgoi njerëzit drejt plumbave.

Ndaj edhe ekspozimi i gënjeshtrave të saj, i mashtrimit që ia ka dalë ta kthejë në interes, është hapi i parë i goditjes së saj. Ajo qëndron në këmbë me diversione si ky i Berishës, pa mendim të strukturuar dhe pa ide, pse interesi i saj është i lidhur me Shqipërinë vetëm sa kohë ka diçka që duhet zhvatur.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.