Një bunker në zemër të Tiranës historike

Postuar në 27 Nëntor, 2016 10:36
Diana Ndrenika

Në qendrën historike, të prishur rishtazi për të disatën herë në disa vite rradhazi, të Tiranës nuk kuptohet pse qeveria ia doli të ngrinte një bunker, ndërtim nga e para një imitim i origjinalëve të periudhës komuniste. Në sheshin midis Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Transportit dhe më afër kësaj të fundit, për muaj me radhë u punua për ngritjen e një bunkeri të betontë që shërben si hyrje në një muze të pretenduar të periudhës komuniste. Ajo çka gjen aty do të ishte e denjë për një pavion të diktaturës në muzeun kombëtar ose në një nga ambientet e Piramidës nëse kjo nuk do të braktisej në rrënim.

Zhgënjimi vjen ngaqë veç bunkerit as vendndodhja nuk është autentike. Kështu jo vetëm ngrehina e betontë e hyrjes që është dekoruar me një mori fotosh te vendosura pa ndonjë kriter a kronologji, pa spjegues e emërtim por edhe më tej në kthinat e mëposhtme të pretenduara të periudhës komuniste nuk ka asnjë material origjinal a objekt autentik që të lidhet me ato ambiente që të provojë se janë përdorur gjatë periudhës komuniste për qëllime hetuesie, torture apo qoftë edhe vendstrehimi në rast bombardimi nuklear. Jepen stenda me objekte e tabela me informacion për periudhën komuniste, fakte për hetuesi e tortura pa lidhje me këto ambiente gjë që çon në bjerrjen e interesit të shikuesit. Diku vendoset nje brumatriçe që në mos po gje tjeter të kujton se ato çka mund të kene shpëtuar prej gojës se saj të lubinjtë nga arkivat e Ministrisë aty pranë janë shumë shumë të pakta. Ca më tutje një instalacion tregon mënyrën si përgjohej nga muri i fqinjit te fqinji në apartamentin ngjitur. Kjo gjithashtu nuk përbën ndonjë rijësi për më tëpër në ditët e sotme… kur po ngrihet një muze i tërë dedikuar përgjimeve në shtëpinë me gjethe, ose siç quhet në gjuhën e folur, shtëpinë misterioze të sigurimit të shtetit.

Këto ambiente që padyshim lidhen me katet e nëndheshme të godinave ministrore të projektuara e ndërtuara që në themel të tyre nuk ofrojnë ndonjë informacion për këtë periudhë. As për ministritë as për historikun e ndërtimit të tyre, as për autorët e projektit por në të kundërt nis historia vetëm me ngritjen e një vendqëndrimi aty gjatë periudhës komuniste. Objektet, dhe shpjegimet e vendosura në stendat në dhomat në brendësi të tuneleve janë të sjella dhe nuk kanë asnjë lidhje me atë ambient. Asnjë rrëfim për historikun e komunikimit të nëndheshëm të ministrive përgjatë bulevardit dhe destinacionin origjinal të përdorimit të tyre.

Vendndodhja pranë bashkisë dhe qendrës së Tiranës do të përkonte me një ekspozitë aq të munguar për historikun e ngritjes së qendrës historike të qytetit, për projektuesit dhe realizuesit italianë, për idenë autoriale të konceptimit të bulevardit dhe ministrive sheshit qendror, sot Skënderbej, dhe lulishtes të projektit origjinal brenda tij. Çka do të ngjallte shumë kurreshti e shikues. Nuk kuptohet pse mbahet në terr qytetari për qëndrën historike, e cila bëhet e ribëhet në mënyrë kaotike këto 15 vitet e fundit, asnjë fjalë apo info, kur teorikisht bëhen dëgjesa publike me eksperte e qytetarë. Në të vërtetë kjo nuk ndodh. Mendimi i ekspertëve dhe qytetarëve nuk merret në konsideratë. Nuk ekziston asnjë lloj grupimi i tipit “mendimi të pavarur ”opinioni i të cilit të ketë VOTË në vendimarrjen e qytetit. Nuk merret mendimi as i forumit të trashëgimisë as ojf-ve të specializuara në këtë fushë. Aq më pak dëgjohet zëri i qytetarëve të cilët janë aksionerë historikë dhe shpirtërorë të qytetit.

Një bunker të tillë simbol të izolimit e të mbylljes Tirana nuk ka nevojë ta ngrejë nga e para. Është një imazh që lidhet me te shkuarën me mbylljen me betonin e hedhur pa kriter që nuk i ngazëllen shqiptarët. Ca më keq u bën asosacion me ditët më të këqija të një ekonomie tejet të centralizuar kur betoni hidhej me shumicë në rifuxhio e bunkere, por jo me të njëjtin ritëm në rrugë e pallate banimi.

Atëhere përse sot shpenzohet për këtë beton? Në një kohë kur prish e shkatërron monumente historike si shtëpia e themelimit të Partisë Komuniste, që do të ishte vendndodhja ideale për një muze të luftës nacional-çlirimtare. Kur shqiptarët janë alergjikë ndaj bunkereve të betonta ku është derdhur me pa të drejtë mundi i punës së tyre të përbashkët në pronën e ashtuquajtur të përbashkët?

Nuk janë të pakta qendrat historike monumentet autentike të periudhës komuniste në Tiranë, piramida, shtëpitë e ish bllokut, rezidenca e Enver Hoxhës apo shtëpia me gjethe e shpallur si muzeu i përgjimeve, bunker art (vendstrehimi antinuklear i udhëheqjes komuniste dhe shtabit të përgjithshëm) ku të tilla muze a ekspozita, ngritur në ambientet e tyre origjinale qëndrojnë të mbështetura fort në histori dhe kanë interes për vizitorin vendas e të huaj. Mirëmbajtja e mirëadministrimi i tyre janë jo pak të kushtueshme për t’i kthyer në qendra historike të vizitueshme e fitimprurëse. Ndërkaq të vazhdosh të spekulosh pafundësisht me kujtesën emocionale të një pjese të popullsisë me objekte torturash e flokë të prerë a qoftë me pajisje përgjimi përdorur në apartamente banimi ndërkohë që nuk ua merr mendimin në asnjë formë apo anketim për ngritjen e një simboli të betontë në zemër të qytetit nga e para…me fondet e tyre në zemrën historike të qytetit, të spekulosh me historinë e tyre nuk është pafundësisht e tolerueshme sado ta duash qeverinë e vendit tënd dhe të shkuarën tënde. Sepse e tashmja dhe e ardhmja, për fat të mirë kanë më shumë vlerë. Është koha që qytetarët të marrin pjesë në bërjen e qytetit të tyre.

Comments

Submitted by Plaku Xhuxhumaku (not verified) on

Masakrimi i pare i Tiranes filloi me ngritjen e cibaneve te Pallatit te Kultures dhe mender Muzeut Historik Kombetar. Cdo Qeveri qe erdhi me pas me egoizmin supernarcisist per te lene vulen e vet shtoi e hoqi mender mut sa i desh qejfi derisa e shnderruan Tiranen ne nje qytet pa fizionomi te veten, si puna e atij robit fatkeq qe i bejne transplant te surratit dhe nuk esht i zoti te njohe vehten e vet ne pasqyre. Ky piktori i deshtuar me gjithe shitesin e fiqve i kane dhene shkelmin perfundimtar identitetit te Tiranes duke e shnderruar ne nje grumbull shemtirash prej betoni. C'eshte me e keqja, kete shkaterrim po mundohen ta paraqesin si modernizim. Kudo te shkosh ne Europe, jo vetem ne kryeqytete, por edhe ne qytete te vogla, qendrat historike i gjen te paprekura, e shumta qe behet, ato restaurohen duke ruajtur sa te jete e mundur karakterin deri edhe materialet per te mos humbur identitetin. Modernizimi kryhet ne sheshe ndertimi qe nuk ndodhen ne qendren historike.

Ne Tirane, po ndodh edhe nje paradoks tjeter. Edhe ne kohen e Hoxhes, kur bunkeret mbinin si kerpudha gjithandej, deri edhe neper plazhe, ne Tirane nuk u ngriten te tille, te pakten te tille qe te shemtonin peizazhin. Sot e kesaj dite na e ngrene shemtiren mu ne mes te qytetit e na thone qe ky na qenka art dhe behet keshtu qe njerezia te mos harroje. Kesaj i thone jo vetem qe ta fus sa me thelle qe mundem (zaten kete e ka thene piktori qe s'na ka mbetur gje tjeter veç t'ia fusim njeri tjetrit) por duhet edhe pa tjeter te thuash qe po me pelqen shume.

Nejse, si shume fatkeqesi te tjera edhe kete do ta gelltitim. E keqja eshte qe kesaj pune nuk i duket fundi.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.