Kanabisi dhe dështimi i policisë/Një propozim për angazhimin edhe të Këshillit të Sigurisë

Postuar në 19 Tetor, 2016 19:38

Partia Demokratike e ka kthyer kanabisin në argument kryesor politik të saj. E ndërkohë që qeveria po përpiqet të bëjë dicka, pasi e mohoi përmasën e problemit, në sfond duket se mund të ketë zhvillime të reja.

Pak ditë më parë, Presidenti i Republikës, Bujar  Nishani, deklaroi në takimet që pati me zyrtarë italianë, se “kanabisi është një kërcënim për të dyja vendet”. Deklarata kaloi si pa vëmendje, për vetë dinamikën politike shqiptare.

Një hap më tej në pohimin se lufta ndaj kanabisit kërkon pjesëmarrje tjetër, u bë nga ministri i Drejtësisë, që sugjeroi futjen e ushtrisë. Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, një njeri i afërt i Edi Ramës e hodhi poshtë këtë opsion. I cili vjen në vështrim në kushtet kur tema e kanabisit po i afrohet kufirit që ndan një çështje trafiqesh në një çështje të sigurisë kombëtare.

Tritan Shehu, një njeri aktiv pranë PD-së, dikur drejtues i saj, sugjeron që Këshilli i Sigurisë Kombëtare duhet të angazhohet për ta trajtuar seriozisht këtë problem, në menaxhimin e të cilit policia ka dështuar.

Nga Ministria e Mbrojtjes sot deklarohet se FA dhe përmendja e tyre janë "çështje serioze"! Dakord, janë shumë "serioze", ashtu siç është e tillë edhe siguria e stabiliteti i vendit. Por po kaq "serioze" është edhe kultivimi masiv i kanabisit te ne me pasojat e tij: forcimi i grupeve kriminale, pasurimi i tyre, kriminalizimi i institucioneve, shkatërrimi i ekonomisë legale, dëmtimi masiv i shëndetit të qytetarëve etj.. Këto kanë të bëjnë me destabilizimin e vendit, pra me cenimin e  sigurisë sonë kombëtare. Ushtria jonë është përdorur me të drejtë edhe për pastrime të territorit a diçka të ngjashme!! Mos valle të tilla përfshirje kanë qenë më "serioze" se lufta e sotme me kanabisin e krimin?! Forca më aktive në Itali kundër krimit e luftës me trafiqet është Karabineria, që është pjesë e FA dhe varet nga Ministria e Mbrojtjes. Ky model duhet implementuar te ne. Pra le t'i lëmë arsyetimet jo produktive dhe të mobilizojmë të gjitha institucionet e strukturat e mundshme për të përballuar këtë "gjendje të jashtëzakonshme" të krijuar, pikërisht nga mosfunksionimi i atyre që duhej ta ndalonin e përballonin atë, përpara se të jetë tepër vonë për të gjithë shoqërinë. Pse jo, mund të shpallet edhe gjendja e jashtëzakonshme ndaj këtij fenomeni tragjik. Askush nuk mund ta konsiderojë veten të papërfshirë tashmë, që nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare”, thotë Shehu.

Mbetet për t’u parë nëse Presidenti do të lëvizë në këtë drejtim. Por një fakt është i pakundërshtueshëm: Kanabisi është kthyer në problem shtetëror, përballë të cilit Ministria e Brendshme nuk po ka rezultate bindëse dhe nuk krijon më besimin e dikurshëm. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.