Turizmi kulturor dhe Mozaiku i Katedrales Ortodokse në Tiranë

Postuar në 11 Shtator, 2016 14:08
Ylli Drishti*

Stina verore sivjet, gjatë vitit 2016, u mbështet fuqishëm nga Ministria e Kulturës me një program të pasur dhe të larmishëm veçanërisht në fushën e njohjes së vlerave të trashëgimisë kulturore & artistike. Nëse gjatë muajve të verës, trupat skenike e kishin mbyllur sezonin e tyre artistik – përkundrazi muzetë, galeritë e arteve, qëndrat e parqet arkeologjike e ato kombëtar në të gjithë Shqipërinë ishin të hapura për publikun “non stop” në të gjitha ditët e javës dhe punonin me orare relativisht të zgjatura.
Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë pati në programin e saj dy ekspozita të veçanta jashtë sallave të saj muzeale, por më pranë publikut dhe turistëve. Mbështetur në vizionin e Ministrisë së Kulturës për ta sjellë artin sa më pranë publikut edhe në muajt e pushimeve verore GKA, Tiranë organizoi dy ekspozita të rëndësishme me vepra të fondit të saj në qytetin e Krujës (“Skënderbeu në artin pamor shqiptar) dhe në qytetin bregdetar të Sarandës (“Artistë shqiptarë të shekullit 20 –të). Kjo politikë kulturore solli një risi në evidentimin e vlerave të trashëgimisë kulturore veçanërisht për turistët e shumtë që vizituan Shqipërinë gjatë muajve të verës.

Politika e muzeve të hapur për publikun gjatë stinës së verës mund të vlerësohet pozitivisht pasi rezultoi se ishte e suksesshme. Tirana si qëndra më e madhe social - kulturore e Shqipërisë ka disa muze dhe objekete të trashëgimisë kulturore që kanë vite që kanë hyrë në guidat e agjensive të ndryshme turistike. Kështu përveç Muzeut Historik Kombëtar, Galerisë Kombëtare të Arteve, Muzeut Arkeologjik, Mozaikut të Tiranës; turistët vizitojnë edhe dy monumentet e kultit në qendër të saj: Xhaminë e Ethem Beut dhe Katedralen Ortodokse “Ngjallja e Krishtit”. Xhamia e Ethem Beut (1830-1831) është një monument Kulture i veçantë dhe ruan brenda dhe jashtë saj pikturë murale dekorative ornamentale të një cilësie mjeshtërore. Piktorët kanë pikturuar duke u intonuar në ngjyrat e ngrohta, duke kombinuar pasqyrimin e natyrave të qeta dhe imazheve me përfytyrime piktorike të qytetit Stambollit. Për arkitektin e kësaj xhamie nuk ka të dhëna, ndërsa piktorët e saj mendohet të jenë Mulla Isuf Zorba dhe Mulla Halim Bulku. Katedralja Ortodokse “Ngjallja e Krishtit”, jo shumë larg saj i përket shekullit XXI dhe ruan brenda saj një sipërfaqe prej mbi 1000 m2 mozaik parietal (kupola dhe muret anësore). Sigurisht është mozaiku më i madh i Ballkanit dhe është vepër e dy artistëve shqiptarë Josif dhe Liliana Droboniku. Ata në vitin 2010 kthehen nga Italia në Tiranë, të ftuar si fitues të konkursit të organizuar nga Kryepeshkopi i Kishës Autoqefale Shqiptare Fortlumturia e tij Anastas Janullatos, për realizimin fillimisht të mozaikut të kupolës. Mozaiku i madh i kupolës së Katedrales, i prezanton këta artistë të mëdhenj italo – shqiptarë me një vepër moderne, gjigande për nga dimensionet (700 m2), mjeshtërore si cilësi realizimi dhe të papritur, magjiplotë, imponuese si zgjidhje kompozicionale. Besimtarët ortodoksë në Shqipëri të ambientuar me kishat e tyre bazilikale me tri aniata, të ndara nga kollona druri apo guri, u gjendën të befasuar nga zgjidhja arkitektonike e arkitektit amerikan Steven Papadatos (Steven Peter Papadatos), që i dhuroi Tiranës një vepër arkitektonike simbolike–moderne, unikale në Shqipëri si zgjidhje hapësinore, me volume dekorative dhe funksionale. Forma arkitekturore dhe vizioni filozofik i Katedrales Ortodokse të Ringjalljes së Krishtit, bazohet tek trajta e Kryqit, i cili është simboli qendror dhe thelbësor i jetës së krishterë. Pra Fortlumturia e tij Anastas Janullatos dhe stafi I tij I ngushtë – Arkitektja znj. Eva Papapetru realizimin e kësaj vepre madhështore arkitekturore ja besuan arkitektit Amerikan Steven Papadatos, dekorimi i brendëshëm me mozaikë – ju besua artistëve shqiptarë Josif dhe Liliana Droboniku, realizimi i dekoracioneve në material të fortë (çimento e bardhë dhe bronz) iu besua artistit shqiptar Taqo Mio dhe realizimi i ikonostasit prej mermeri – skulptorit grek Janis Kirarinis. Këta ishin dhe artistët kryesorë që mbajtën peshën kryesore në realizimin e veprave të artit dhe arkitekturës në Katedralen e Tiranës. Pa asnjë paragjykim ata bashkpunuan dhe i dhuruan besimtarëve ortodoksë shqiptarë një vepër unikale – moderne me një monumentalitet dhe bukuri të jashtëzakonshme.

Zgjidhja që artistët Droboniku i dhanë imazhit të Krishtit Pantokrator në mozaik ishte në harmoni me arkitekturën dhe vizionin e arkitektit amerikan Papadatos i cili, që gjatë projektimit, në kupolë përfytyronte qiellin dhe rrezatimin e tij nga figura e krishtit Pantokrator. Teknika e zgjedhur–mbulimi me mozaik i kupolës, i brezit poshtë saj dhe dekorimi i 52 dritareve me ornamente dekorative nga dy artistët Josif dhe Liliana Droboniku krijuan mundësinë e komunikimit të besimtarëve me imazhin qendror, që është mbizotërues në të gjithë hapësirën e sallës ku ata qëndrojnë. Me pak fjalë, Katedralja Ortodokse “Ngjallja e Krishtit” në Shqipëri, duke u mbështetur në konceptimin dhe projektimin arkitekturor, përbën në një farë mënyre Kishën e re të Shën Sofisë së Kostandinopojës. Ajo është një shprehje e qartë e simbolikës së Shenjtë në formë moderne. Katedralja është një ikonë e rilindjes së ortodoksisë në Shqipëri, pas rënies së komunizmit. Mozaiku me imazhin qendror të tij, dëshmon fuqinë dhe magjinë e një arti tashmë të harruar dhe ndaluar për 50 vjet në Shqipëri nga regjimi komunist, një art që u mbështet në traditën e mozaikëve të bukur paleokristianë në Shqipëri dhe në arritjet e jashtëzakonshme të realizuara nga ikonografët shqiptarë të shekujve XVI – XVIII si Onufri, biri i tij Nikolla, Onufër Qiprioti dhe pasuesit e shkollës ikonografike të tij. Me një pasion, këmbëngulje dhe përkushtim shpirtëror ndaj ikonografisë bizantine dhe teknikave të saj Drobonikët – Josifi dhe Liliana - kanë dekoruar me mozaikë, piktura dhe ikona mbi 60 kisha dhe ikonostasë në Italinë e jugut dhe atë qendrore: Kalabri, Siçili, Napoli dhe Romë. Arti i tyre, krijoi edhe në Itali (Kalabri) një ikonografi të re, të cilësuar “neo-bizantino” nga kritika. Këto vepra monumentale që harmonizoheshin bukur me arkitekturën e kishave ekzistuese apo atyre moderne tërhoqën vëmendjen e besimtarëve, artdashësve dhe drejtuesve të lartë të klerit ortodoks në Kalabri, të cilët u bënë dhe mbështetësit e tyre të përhershëm. Drita e fuqishme dhe pasuria koloristike e veprave të Drobonikëve rrezatojnë modestisht edhe në Italinë fqinje fuqinë e artit të jashtëzakonshëm të Onufrit (kryemjeshtrit të ikonografisë shqiptare të shekullit XVI), pasues modern të së cilit Drobonikët janë.

Arti i Drobonikëve
Kur hyn në sallën e Katedrales Ortodokse “Ngjallja e Krishtit”, Tiranë, ajo që të emocionon është sigurisht magjia e hapësirës gjigande që të krijohet në mënyrë të menjëhershme pas ngjitjes së shkallëve prej mermeri dhe kalimit të tre dyerve të rënda prej bronxi. Salla rrethore që të hapet para syve, plotësohet anash me kollona dhe 4 harqet madhështorë të zbukuruar me mozaikë. Një brez dekorativ ornamental sipër harqeve rrethon si një azhur i bardhë elegant gjithë sallën qendrore. Vizitori – besimtari i krishterë ortodoks, gradualisht, në qendër do të përballet me ikonostasin e bardhë të mermertë, të zbukuruar me ikona, pas të cilit ndodhet tryeza e altarit para apsidës - gjigande mbuluar me mozaikë (110 m2). Kupola madhështore e zbukuruar me mozaikun shumëngjyrësh me imazhin e madh të Krishtit Pantokrator të krijon të papriturën befasuese. Prania e mozaikut të madh të kupolës, me imazhin e Pantokratorit, të krijon ndjesinë e pranisë së tij mbizotëruese - absolute. Zgjedhja e përmasave të saj është në harmoni me funksionin artistik, liturgjik për besimtarët ortodoksë. Fuqia e ngjyrave, shkëlqimi veçanërisht i arit në sfondin e qendrës së kupolës dhe i rrezeve që dalin prej saj, i japin këtij mozaiku një vezullim dhe bukuri të jashtëzakonshme. Veprat monumentale në ndërtesat e kultit dhe ato publike kanë privilegjin e të admiruarit nga disa breza. Ato jetojnë gjatë sëbashku me veprat arkitektonike ku janë vendosur. Magjia, vlerësimi dhe madhështia e tyre rritet me kalimin e viteve. Rëndësia e këtyre krijimeve të veçanta lidhet me artin por edhe me besimin teologjik, nderimin ndaj zotit.

Katedralet e mëdha janë në ditët e sotme vende të vizituara nga turistët e ndryshëm, ato rrinë me dyer të hapura për çdo vizitor pasi bëjnë pjesë në jetën artistike – religjioze të qyteteve ku ato ndodhen. Katedralja e Tiranës, ndoshta më e reja si moshë është pjesë e arkitekturës moderne simbolike ortodokse botërore dhe e një arti që edhe pse religjioz e ortodoks shpreh vizione moderne teologjike dhe artistike.

Pas përurimit të Katedrales (Mozaikut të Kupolës) në qershorin e vitit 2012, ku morën pjesë autoritetet më të larta botërore të kishës Ortodokse nga Evropa dhe SHBA (si: Patriarku Ikumenik Bartolomeu I parë, Patriarku i Jeruzalemit,Theofili i III etj. )- Josifi dhe Liliana Droboniku me mbështetjen Fortlumturisë së tij Kryepeshkopit Anastas dhe arkitektes znj. Eva Papapetru vazhduan punën (2012-2016) për dekorimin me mozaikë e 4 harqeve që rrethojnë sallën e Katedrales si dhe apsidës kryesore dhe atyre dy anësore (rreth 400 m2). Tashmë ndjen se sa herë hyn në hapësirat e brendëshme të Katedrales, do të gjesh patjetër një vepër të re në mozaik nga e njëjta dorë mjeshtërore e artistëve Droboniku. Zbukurimi i saj lidhet padyshim me mbështetjen e vizionin modern të Fortlumturisë së tij Anastas Janullatos dhe arkitektes znj Eva Papapetru,të cilët janë padyshim mbështetësit kryesorë të vazhdimit të dekorimit të brendëshëm të Katedrales që sigurisht që do të vazhdojë për tu plotësuar edhe me 4 ungjillorët, që tashmë sipas tipologjisë byzantine i kanë vendet e tyre në pjesët e kurbuara të sallës kryesore.

Pra të vizitosh sot Tiranën do të thotë të vizitosh njëherësh 3 vepra në mozaikë: Mozaikun PaleoKristian të Tiranës (shek. V-VI), mozaikun e fasadës së Muzeut Historik Kombëtar me titull “Shqipëria” (1982) dhe me mozaikun më të madh të Ballkanit i realizuar në vitet 2012-2016 në interierin e Katedrales Ortodokse “Ngjalja e Krishtit”
*Studjues i artit bizantin

"Shqiptarja.com"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.