Çfarë di më shumë SHBA për partneritetin e politikës me krimin ?

Postuar në 07 Shtator, 2016 16:32

Paralelisht me angazhimin e kryeministrit në punët e artit dhe replikat në facebook, ambasada amerikane tregoi vendosmërinë e saj për t'i dhënë fund lidhjeve të politikës me krimin. Për këtë temë kryeministri ynë dhe aleati i tij në qeveri nuk kanë folur asnjëherë hapur me publikun dhe as që duken të preokupuar ta bëjnë.
Ilir Meta pati një shqetësim nga muaji korrik, kur paralajmëroi destabilizim të vendit nëse do të përfundonte në burg, por më pas reforma u mbyll me happy end dhe rikonfirmim të koalicionit. Muaj më parë, kryeministri u detyrua të bënte një hartim për dallgët e Elvis Roshit dhe të jepte një shpjegim për futjen në parlament të personave me precedentë penalë, por kjo nuk solli asnjë ndryshim në strukturën kriminale të dy partive që qeverisin vendin.
Ambasadori amerikan përmendi Emiljano Shullazin si shembull të botës së krimit të lidhur me politikën, madje duke e krahasuar atë me Al Kaponen, por nuk na tha me kë politikan ishte i lidhur dhe kush hallkë e politikës lokale apo e asaj qëndrore i ofroi imunitet. Opozita ka artikuluar disa herë akuza për lidhjet e Shullazit me ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, por ambasadori Lu nuk tha asgjë për prapavijën politike të Al Kapones shqiptar. Arsyet pse nuk bën publike emrat e politikanëve i di vetëm ambasada amerikane.
Rrjeti i politikës me botën e krimit është i mpleksur shumë më tepër sesa lidhjet e Emiljano Shullazit. Rasti më flagrant është ish-drejtori i Transporteve të Sarandës, Klement Balili, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për përfshirje në trafikun ndërkombëtar të drogës, pas hetimeve ku ishte e përfshirë edhe zyra e DEA-s amerikane në Athinë.
Ish-zyrtari i LSI-së, arriti t'i shpëtonte arrestimit me ndihmën e Prokurorisë, e cila hezitoi të lëshonte urdhër-arrestin për të. Në dritën e këtyre fakteve dhe pavarësisht partneriteteve kriminale të LSI-së ambasadori amerikan nuk hezitoi ta deklarojë Ilir Metën si partner të Shteteve të Bashkuara.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.