Arkeologët polakë pretendojnë se kanë zbuluar pallatin e mbretërve ilirë në Rhizon të Malit të Zi

Postuar në 15 Gusht, 2016 14:10

Arkeologët polakë të universitetit të Varshavës deklarojnë se kanë zbuluar pallatin mbretëror të mbretërve ilirë në Rhizon të Malit të Zi. Njoftimin e ka bërë prof. Pyotr Dyczek sipas të cilit zbulimi ka rëndësi kardinale. Rhizoni ishte kryeqyteti i Teutës, e cila njihet në histori si mbretëresha që u përball me Romën në luftën e parë iliro-romake në vitin 229 p.e.s.. Gërmimet dhe studimet e arkeologëve polakë kanë nisur në vitin 2000 dhe kanë sjellë ndër të tjera edhe disa korrigjime historiografike: kështu mbreti Ballaios daton 1 shekull më herët nga sa dihej deri më tani dhe ai është në fakt parardhës i Teutës. 

Në sitin arkeologjik u zbuluan ndërtime monumentale. Kompleksi i parë u ndërtua në vitet 260 p.e.s, kurse i dyti në vitet 250 p.e.s..

“Të gjitha të dhënat që kemi mbledhur tregojnë se kemi zbuluar një kompleks helenistik të sunduesve të Rhizonit. Këto janë strukturat e para të këtij lloji të zbuluara në hapësirën e Ilirisë, që mund t’u përkiste mbretërve Ballaios dhe Teuta”, është shprehur prof. Dyczek. Sipas tij ndërtimet janë unike për hapësirën ilire.

Nëse këtë zbulim e vendosim në kontekstin e periodizimit që ka bërë historiografia shqiptare apo edhe e huaj për ilirët, rezulton se pallati i përket dinastisë së ardianëve, që e kishte qendrën në Shkodër, apo në Rhizon të Malit të Zi. Kemi të bëjmë me periudhën e fundit të një monarkie ilire – përkufizimi historik për të cilën ka qenë shumë i debatuar – ndërkohë që në Shqipëri janë zbuluar monedha të mbretit Monun në Durrës, apo edhe varret monumentale të Selcës që i përkasin mbretërisë enkelease, e cila është entiteti i parë që del në histori nga ilirët.

http://scienceinpoland.pap.pl/en/news/news%2c410708%2cpalace-of-illyrian...

 

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.