Faqe të panjohura nga Pjetër Budi

Postuar në 09 Gusht, 2016 11:54

Nga sot shtëpia botuese “Onufri” hedh në treg librin e ri të studiueses Blerina Suta, e cila na zbulon faqe të panjohura nga vepra e Pjetër Budit. Bëhet fjalë për një ekzemplar deri tanii të panjohur e veprës “Doktrina e Kërshtenë”, të përkthyer nga Pjetër Budi.

Dhe jo vetëm një ekzemplar i panjohur, por edhe më me interes: një ekzemplar që përmban një fashikull të ndryshëm nga ai që kemi njohur.

Ky botim bëhet e ditur, se është gjendur pas hulumtimeve të bëra në bibliotekat e Propagandës së Fides dhe të Vatikanit, përgjithësisht nëpër bibliotekat dhe arkivat e Romës, fillimisht për të gjetur gjurmë të shkrimeve shqipe dhe të autorëve të tyre “nëpër ato kthina të errëta, të vizituara nga shumëkush, po ndoshta jo rrallë edhe ende të paprekura”.

Rezultati i këtyre kërkimeve e ka çuar studiuesen drejt ekzemplarit deri tani të panjohur të veprës së “Doktrina e Krishtenë”, të përkthyer nga Budi. “Dhe jo vetëm ekzemplar i panjohur, por edhe më me interes: një ekzemplar që përmban një fashikull të ndryshëm nga ai që kemi njohur. Dhe shumë shpejt zonja Suta e bëri të njohur këtë zbulim në një konferencë shkencore. Pas kësaj, unë pata rastin të takohesha me znj. Suta në Tiranë pikërisht për të biseduar lidhur me këtë zbulim. Ajo pati mirësinë të më tregonte gjithë materialet që kishte në dispozicion, fotokopjet e fashikullit që nuk e njihnim të Doktrinës dhe tekstin studimor që kishte përgatitur ajo me këtë rast. Të gjitha materialet pata rastin t’i lexoja…” shënon për këtë punim studiuesi i Kosovës, Rexhep Ismajli, i cili është marrë me redaktimin e transkriptimit e tekstit të Budit.

Në anën tjetër, studiuesja Suta në përvojën e këtij kërkimi thotë se materialet e punimit e patën burimin në përgatitjen për Kuvendit albanologjik “L’Albania nell’archivio di propaganda Fide”, të organizuar nga Universiteti Papnor Urbanian në Romë, më 26–27 tetor të 2015-s. “Zbulimi i një ekzemplari të ri të veprës së njohur të Pjeter Budit, Dottrina christiana (1618), në një bibliotekë të Romës, i ndryshëm në një fashikull prej kopjes së njohur, entuziazmoi menjëherë specialistët e fushës. Nga ky këndvështrim, përvoja e kërkimit të materialeve te tjera, lidhur me figurën e Budit dhe të rrethanave të veprimtarisë të tij, vazhdoi të ishte stimuluese profesionalisht dhe e pasur me shkëmbim idesh, sidomos nga pikëpamja metodologjike, me specialistë, në kuadër të nevojës dhe të përpjekjeve që po bëhen për përgatitjen e botimit kritik të veprës së Budit”, shpjegon Suta.
Kërkimet në arkivat e Vatikanit kanë ndjekur burimet parësore, që tashmë njihen nga studiuesit e albanologjisë, siç është vëllimi VII i Illyrici Sacri, në të cilin gjendet dhe informacioni që i takon Budit, “Petrus il episcopus sardensis et sappatensis XIV”. Verifikimi i
dokumenteve të indeksit “garampi”, të arkivit Sekret të Vatikanit, dëshmoi një ndryshim të vendit në të cilin ruhen këto dokumente.
“Veç këtyre burimeve parësore, u thelluam në punime bibliografike, që trajtojnë veprimtarinë botuese të tipografive në shërbim të Selisë së Shenjtë. Burime te paeksploruara deri me tani nga “Reverenda Camera Apostolica” na lejuan të rindërtojmë fazën e veprimtarisë së Budit më 1621-1622, periudhë kur ai punonte në kontakt të ngushtë me shtëpinë botuese “Zanetti”, për botimin e veprave të tjera, Rituale Romanum dhe Speculum Confessionis. Në këtë kuadër, jemi munduar të rindërtojmë kronologjinë e përmirësimit dhe të zëvendësimit të fashikullit të parë të veprës Dottrina Christiana (1618), para se autori t’ia dhuronte Bibliotekës Apostolike të Vatikanit (janar 1622)”.

Nga ana tjetër, për të qartësuar më mirë kontekstin e veprimtarisë së një personazhi kompleks si Budi, Suta shpjegon se ndoqën edhe kanale të tjera kërkimore në arkiva papnorë, ku mundëm të gjente të dhëna për Shqipërinë dhe për kontekstin ballkanik, në kuadër të veprimtarisë shkollarizuese të Selisë së Shenjtë, në kapërcyell të shekujve XVI–XVII, nëpërmjet përhapjes së “doktrinës” në gjuhët vulgare. Ky punim, ku paraqiten këto të dhëna të reja, si dhe materialin gjuhësor deri më tani të panjohur të fashikullit “a” të botimit origjinal të veprës Dottrina Christiana (1618), është sipas studiueses vetëm një fazë e parë e kërkimeve, e cila mund të plotësohet në të ardhmen me të dhëna të reja. Suta është njohur më parë si studiuese e veprës së Fishtës, në raport me letërsinë kroate, apo si studiuese të aspekteve të caktuara të veprës poetike të Martin Camajt, po ashtu edhe si përkthyese e veprës poetike të Ali Podrimjes në italisht etj..

"Mapo"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.