Vendim i NATO-s: Forcë luftuese e Aleancës në Poloni dhe vendet e Balltikut për të parandaluar një sulm eventual rus

Postuar në 08 Korrik, 2016 23:36

Në ditën e parë të samitit të Varshavës, shtetet anëtare të NATO-s vendosën instalimin e një force shumëkombëshe të aleancës në Poloni dhe vendet e Balltikut, për të parandaluar çdo sulm të mundshëm të Rusisë.
Paralelisht me këtë vendim NATO ngarkoi misionet e saj diplomatike t'i shpjegojnë Moskës arsyet e këtij vendimi. "Forcat që do të zhvendosen do të jenë të konsiderueshme dhe shumëkombëshe. Në këtë mënyrë e bëjmë të qartë se çdo sulm ndaj një vendi anëtar do të konsiderohet sulm ndaj aleancës"-deklaroi shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg gjatë konferencës për shtyp.
"Por teksa forcojmë mbrojtjen tonë, vazhdojmë të synojmë një dialog të hapur me Rusinë. Rusia nuk mund dhe nuk duhet të rrijë e mënjanuar, do ta informojmë për vendimin që morëm"- shtoi Stoltenberg.
Më herët presidenti amerikan Barak Obama deklaroi se 1 mijë ushtarë amerikanë do t'i bashkohen njërit prej batalioneve që do të jetë i përbërë me ushtarë polakë. Bëhet fjalë për njësi të lëvizshme luftarake, çka nënkupton përdorimin e mjeteve të blinduara dhe tankeve për transportin e ushtarëve. Nga ana e saj Britania u angazhua të dërgojë 650 trupa, 500 në Estoni dhe 150 në Poloni, ndërsa Gjermania dhe Kanadaja morën përsipër komandën e një batalioni në Lituani dhe Letoni.
Kanadaja do të dërgojë 1 mijë ushtarë, ndërsa Belgjika e Franca nga 150 trupa. Qëllimi i NATO-s është të shmangë një skenar Ukrainas dhe ndërvarësinë e vendeve të ish-Republikës Sovjetike nga Rusia. NATO është po ashtu shmë e përqëndruar në sigurinë e Rumanisë dhe Bullgarisë në Europën Juglindore, pas shtimit të prezencës ushtarake ruse në Detin e Zi. Marrëveshja parashikon instalimin e trupave të NATO-s edhe në këto dy vende. Ndërkaq Shtetet e Bashkuara të Amerikës parashikojnë të shpenzojnë 3.4 miliardë dollarë për sigurinë e aleatëve të saj, ndërsa brenda vitit 2017 Pentagoni do të dërgojë më Europën Lindore 4 200 trupa, baza te të cilave do të jetë në Poloni.

Vendimi i NATO-s dhe prezenca e Shqipërisë

Ndërsa NATO mori ndoshta një prej vendimeve më të rëndësishme të saj që prej krijimit, ky lajm nuk u përcoll për publikun nga Ministria shqiptare e Mbrojtjes. Zyra për shtyp e kryeministrit dhe ajo e ministres së Mbrojtjes përcollën pjesë nga fjala e kryeministrit dhe takimet e ministres Kodheli me homologun e saj turk, por jo vendimin që mori Aleanca dhe rolin që do të ketë Shqipëria në këtë forcë shumëkombëshe.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.