“Rezervate” të ndërkombëtarëve në drejtësi, apo “rezervate” të partive?

Postuar në 01 Korrik, 2016 16:28
Eduard Zaloshnja

Dje ambasada amerikane në Tiranë u shpërndau deputetëve shqiptarë një kopje të Kushtetutës së Shqipërisë, në të cilën ishin integruar ndryshimet e miratuara nga komisioni i posaçëm për ndryshimin e kushtetutës më 14/06/2016.

Në kopertinën e atij dokumenti (shihni foton), krahas grafikës së ngjashme me logot zyrtare të qeverisë, bien në sy logot e Bashkimit Europian, EURALIUS, Komisionit të Venecias dhe OSBE. Ndërsa faqja e fundit mban logon me flamurin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, bashkë me mbishkrimin se ky botim u mundësua nga ambasada e SHBA-së dhe nga Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara (OPDAT).

Duke u futur në brendësi të dokumentit, shihet qartë se, në asnjë nga institucionet e reja të drejtësisë që do të krijohen sipas kushtetutës së re, partitë shqiptare nuk do të kenë “rezervate” të tyre në sistemin e drejtësisë, siç kanë patur në çerek shekullin e fundit.

Kështu:

1-Prokuroria speciale antikorrupsion do të përzgjidhet e do të jetë nën ndikimin e drejtpërdrejtë të Departamentit të Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara;

2-Byroja e hetimit që do të përgatisë dosjet për këtë prokurori do të përzgjidhet dhe do të jetë nën ndikimin e drejtpërdrejtë të FBI-së amerikane;

3-Këshilli i emërimeve në drejtësi nuk do të zgjidhet nga partitë, por do të zgjidhet çdo vit me short nga gjyqtarët e prokurorët;

4-Drejtuesit e lartë të gjykatave dhe të institucioneve kryesore të dretësisë, në qoftë se nuk marrin dot votat e cilësuara në Kuvend (pra, nqs nuk marrin konsensusin e partive të Kuvendit), zgjidhen drejtpërdrejt, bazuar në renditjen që ka bërë këshilli i emërimeve (i cili, nga ana e tij, nuk varet nga partitë);

5-Komisioni i verifikimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve aktualë, si dhe komisioni i apelit për këtë qëllim, do të përzgjidhen dhe do të jenë nën ndikimin e drejtpërdrejtë të një komisioni ndërkombëtar vëzhgimi, me ekspertë të dërguar nga Bashkimi Europian.

Dhe pikërisht këto komisione të fundit përbëjnë edhe gozhdën ku ka ngecuar sharra e konsensusit me opozitën, e cila kërkon që të ketë në to “vende të rezervuara”. Këto komisione janë jashtëzakonisht të rëndësishme, sepse do të kalojnë në shoshën e tyre të gjithë gjykatësit e prokurorët, nga më të lartët tek më të ultit (Nuk është e udhës të përdoret fjala “sitë” në këtë metaforë, sepse në sitë mund të ngelin ndoshta të gjithë gjykatësit e prokurorët shqiptarë. Në media është përdorur fjala anglisht “vetting”, por edhe fjala shqip “radiografi”).

Opozita është kapur tek rekomandimi 88 i Komisionit të Venecias, i cili sugjeron që, në qoftë se nuk arrihet konsensus për mënyrën e zgjedhjes së institucioneve drejtuese të drejtësisë, të gjehet një fomulë përfaqësimi proporcional të partive në to ose të gjehet një mënyrë sesi opozita të ketë ndikim në procesin e përzgjedhjes.

Në fakt, SHBA dhe BE u përpoqën ta gjenin konsensusin që partitë të mos kenë ndikim në shoshitjen e drejtësisë, por kur u bindën se nuk mund ta arrinin atë në nivel partiak, po përpiqen ta gjejnë në nivel individual. Në fund të fundit, Kushtetuta e Shqipërisë, si shumica dërrmuese e kushtetutave në botë, i njeh të drejtën secilit deputet të votojë sipas mënyrës që ai mendon se i shërben më mirë popullit (Deputetët përfaqësojnë popullin dhe nuk lidhen me asnjë mandat detyrues – shkruhet në nenin 70 të Kushtetutës së Shqipërisë).

Synimi i diplomatëve të huaj është bërë i qartë në deklaratën e kryediplomates europiane Mogherini – gjetja e konsensusit tek TË PAKTËN 94 deputetë shqiptarë, pavarsisht nga përkatësia partiake. Ambasadori amerikan ka filluar takimet me deputetë të veçantë të opozitës (dje u takua me Astrit Patozin e PD-së dhe sot Astrit Veliaj, po i PD-së, ka dhënë sinjale se do takohet me amabsadorin).  Por nga ana tjetër, eksponentë të veçantë të mazhorancës, si Përparim Spahiu i LSI-së dhe Koço Kokdhima i PS-së janë shprehur kundër ndikimit të ndërkombëtarëve në sistemin e drejtësisë shqiptare.

Mbetet të shihet nëse diplomatët e huaj në Tiranë do të arrijnë ta gjejnë konsensusin e të paktën 94 deputetëve, që në sistemin e drejtësisë të mos ketë “rezervate” të partive. Në të kundërtën, ata mund të pranojnë ndonjë “rezervat” partish, por shumica dërrmuese e shqiptarëve e kanë të qartë se ç’të këqia u kanë sjellë “rezervatet” e partive në drejtësi për çerek shekulli. Ndërsa kroatët, rumunët, bullgarët, ukrahinasit, guatemalasit etj. e kanë parë se ç’të mira u kanë sjellë kohët e fundit “rezervatet” e ndërkombëtarëve në drejtësinë e tyre – presidentë, kryeministra, ministra, e kryebashkiakë të korruptuar kanë përfundur në burg…

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.