Ushtria ndërton 16 km rrugë në zonën elektorale të ministres Kodheli. Zyrtarisht nis stërvitja “Mirdita 2016”

Postuar në 13 Qershor, 2016 14:17

Ministria e Mbrojtjes ka shpërndarë sot një njoftim mbi zhvillimin e një stërvitjeje në Mirditë dhe në Mat, por që quhet “Mirdita 2016”. Njoftimi nis me parashtrimin se stërvitja bazohet “në objektivin e deklaruar të Aleancës”, por edhe “nën kujdesin direkt të Ministres së Mbrojtjes znj. Mimi Kodheli”, e cila është deputete e qarkut Lezhë ku bën pjesë edhe zona e Mirditës dhe vijon me sqarimin e detyrave të saj: “...Me stërvitjen në ndihmë të komunitetit për ndërtimin e rrugëve dhe veprave të artit, për ta kthyer këtë zonë të aksesueshme nga ana turistike dhe të jetueshme për banorët”. Janë fjalë që i shkojnë më shumë deputetes Kodheli sesa Ministrisë së Mbrojtjes, e në to, vështirë se mund të hulumtosh edhe përmes imagjinatës “objektiva të deklaruar të Aleancës”.

Konkretisht stërvitja do të angazhojë ushtrinë, njësitë e saj për të ndërtuar 16 km rrugë në zonën elektorale të ministres së Mbrojtjes. Kjo sqarohet në pjesën e njoftimit që flet për punën konkrete që do të bëjën njësitë e ushtrisë.  “Forcat e Armatosura në këtë stërvitje do të angazhohen në ndërtimin e 16 km rrugë që fillon nga Rrësheni dhe përfundon në Ulëz, si dhe ndërtimin e një ure 27 ml në fshatin Klos, Sholth mbi lumin Fan”, thuhet aty. Një gjë shumë e mirë për këto zona të cilat janë lënë pas dore. Por ndoshta mund të bënte diçka më shumë qeveria, duke investuar direkt dhe jo përmes një stërvitjeje ku rezulton si kontributore ministrja deputete e zonës. Hera e fundit kur ushtria u angazhua në ndërtim masiv rrugësh është kur kryeministër ka qenë Ilir Meta, i cili mbylli aksin Llogora – Palasë me punën e xhenjios. 

Më poshtë njoftimi i plotë i shpërndarë nga Ministria e Mbrojtjes:

Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura, bazuar në objektivin e deklaruar të Aleancës dhe nën kujdesin direkt të Ministres së Mbrojtjes znj. Mimi Kodheli, starton në Mirditë me stërvitjen në ndihmë të komunitetit për ndërtimin e rrugëve dhe veprave të artit, për ta kthyer këtë zonë të aksesueshme nga ana turistike dhe të jetueshme për banorët. Për këtë qëllim, në zonat e Bashkisë Mirditë dhe Mat filloi stërvitja në ndihmë të komunitetit “MIRDITA 2016”, ku në pikën e nisjes në Mirditë, fshati Rrushkull, është ngritur kampi fushor i cili që tani ka marrë pamjen e një qyteze, ku bashkohen ushtarakë dhe banorë. Në ceremoninë e fillimit të stërvitjes morën pjesë shefi Shtabit të Komandës Mbështetëse Kolonel Shkëlqim Çela, kryetari i Bashkisë Rrëshen z.Ndrec Dedaj, përfaqësues të njësive administrative, komandantët e reparteve dhe banorë të zonës. Kjo stërvitje e kombinuar trupash, është e para e këtij lloji, ku strukturat e Komandës Mbështetëse nën drejtimin e Detashmentit CIMIC, elementët e batalionit të Xhenios, batalionit të Furnizimit, kombinohen në veprimtari ndihmuese për komunitetin e zonës.Stërvitja synon rritjen e nivelit operacional dhe bashkëveprimin ndërmjet strukturave të Komandës Mbështetëse, konsolidimin e procesit të vendimmarrjes, planëzimit, organizimit të stërvitjes sipas procedurave standarte, si dhe mbështetjen e FA dhe autoriteteve civile me kapacitetet operacionale të disponueshme në shërbim të komunitetit. Forcat e Armatosura në këtë stërvitje do të angazhohen në ndërtimin e 16 km rrugë që fillon nga Rrësheni dhe përfundon në Ulëz, si dhe ndërtimin e një ure 27 ml në fshatin Klos, Sholth mbi lumin Fan.Stërvitjen e hapi shefi Shtabit të KM, kolonel Shkëlqim Çela, i cili e deklaroi këtë stërvitje si shumë të rëndësishme për KM si dhe tregimin e vlerave menaxhuese dhe drejtuese të detashmentit CIMIC si objektiv i deklaruar në strukturat e Aleancës. Kryetari i Bashkisë, z.Ndrec Dedaj falenderoi efektivat e Komandës Mbështetëse të angazhuar në stërvitje. Ai gjithashtu falenderoi ministren e Mbrojtjes znj. Mimi Kodheli për nismën e marrë pasi kjo që po kryen Komanda Mbështetëse, do t’i japë një zhvillim të madh zonës sidomos turizmit dhe zhvillimit rural. Më pas u vizituan ambientet e kampit fushor të ngritur për këtë stërvitje, ku janë vendosur dy module fushore të batalionit të furnizimit rreth 17 çadra me të gjitha elementet e fushimit, me kapacitet për 50 efektivat pjesmarrës në këtë stërvitje.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.