Pse jam kundër fesë në shkollë

Postuar në 11 Prill, 2016 13:30
Nebi Bardhoshi - Antropolog

Këto ditë po debatohet nëse duhet apo ajo të mësohet feja në shkollë. Menjëherë kemi një ndarje në mes atyre që janë pro dhe kundër. Ata që janë pro futjes së fesë në programet mësimore përdorin si teknikë intimidimi klasifikimin e kundërshtarëve si ‘ish-komunistë’ ose darvinistë. Nuk është nevoja të jesh as ish-komunist e as ish apo darvinist që të jesh kundër futjes të të mësuarit të fesë në sistemin arsimor shqiptar.

Shkolla, dija që programohet nga shteti për t’u përhapur në sistemin arsimor në çdo hallkë të tij, përfaqëson projektin më afatgjatë politik të një shteti. Aty projektohet qytetari dhe shoqëria e së ardhmes. Thënë ndryshe, ky sistem arsimor nuk është një gjë e rastit, as vetëm për të tashmen, nuk është as diçka e dhënë njëherë e përgjithmonë, por përfaqëson ose së paku duhet të përfaqësojë, një prej mekanizmave më të elaboruar për qëllim krijimin e imagjinatës personale dhe kolektive për veten, tjetrin dhe botën.

Ata që mendojnë që feja është element kyç në formimin e këtij modeli, apo kozmologjie specifike qytetare, duhet të ndajnë mendjen nëse janë që mësimi në shkolla do të jepet si besim, apo do të jepet si një histori civilizimesh. Nëse kërkesa për futjen e fesë në kurrikulat shkollore vjen si një dëshirë për të përhapur besimin fetar, atëherë shkolla shtetërore dhe ato që ngrihen bazuar në parimet e republikës, nuk kanë asnjë arsye të jenë pjesë. Pse, sepse përhapja e fesë si besim duhet të bëhet nga “mësues” që e besojnë atë që e predikojnë. Për më tepër, parimet e shkollës shtetërore do të duhej të ndërtoheshin mbi parimin e mendimit kritik, shqyrtues, e kësisoj krejt të kundërt me mendimin predikues. Dikush mund të thotë se këto dy pedagogji mund të pajtohen, unë mendoj se jo. E nëse dikush shqetësohet se po formohemi mangut se nuk do të bëhemi besimtarë, unë mendoj se dëm shumë herë më i madh shkaktohet nga të mosmësuarit e antropologjisë kulturore apo të mospasjes së një strategjie të qartë se përse zhvillohet një lloj matematike përkundrejt një tjetre.

 

Nëse do të duhej të binim dakord për futjen e fesë në sistemin arsimor, atëherë do të ishim dakord nëse kjo do të bëhej si një histori civilizimesh, apo thjesht duke e parë fenë si një pjesë të kulturës. Një pikëpamje e tillë e shndërron fenë si pjesë apo si sistem kulturor. A janë gati përkrahësit e fesë që ajo të trajtohet si e tillë në sistemin arsimor? Nëse po, ku janë të pakënaqur me atë që bëhet në ditët tona? Personalisht mendoj se në gjithë dijet që u jepen nxënësve për civilizimet në botë nëpër kurrikulat tona shkollore, ende ka një dominim të mendimit evolucionist. Këtu do të isha krejt dakord që këto programe të shqyrtohen dhe të plotësohen në atë mënyrë që qytetari shqiptar të ketë mundësinë e krijimit të një kozmologjie kritike. Mbi të gjitha, të një kozmologjie që dekurajon prirjen përulëse ndaj tjetrit dhe vetes.

Disa e relativizojnë shumë debatin, duke thënë se nuk ka ndonjë problem që një qytetar shqiptar të mësojë orën e parë mbi krijimin e botës prej Zotit dhe në orën e dytë të marrë dije mbi teorinë e relativitetit në fizikë. Dikush mund të rendë aq larg, sa të na bëjë me dije se dhe vetë Ajnshtajni ishte në një moment të jetës së tij besimtar, biles dhe Niçe, Marksi po e po, biles, biles edhe Frojd e kështu me radhë kalohet Dekarti e tëhu, duke mos e vënë fare në dyshim Aristotelin dhe Sokratin. Mos u çudisni se ky moment është gjithnjë nga fundi i jetës së secilit prej tyre, apo krejt në fund të jetës së tyre, bash në momentin e fundit.

A ka mundësi që po e teprojmë më kundërshtinë tonë ndaj futjes së fesë në sistemin arsimor, sepse dikush mund të provojë se këtu bëhet fjalë pikërisht për studimin apo njohjen e fesë si një histori kulturore? Mendoj se nuk është ngutje, sepse vetë palët që po merren vesh apo negociojnë janë institucionet fetare dhe qeveria. Dhe dihet mirë që institucionet fetare, të të gjitha llojeve, s’kanë pse të jenë të interesuara për futjen e fesë në programet mësimore nëse aty nuk bëhet fjalë për mësimin e vërtetë të besimit, të saktësojmë, të vërtetë sipas tyre.

Thënë shkurt, një shkollë e tillë, kaq plurale, sa të përpiqet të pajtojë të kundërtat absolute, mund të ishte ideali për një shoqëri që po themelohet për herë të parë dhe pa asnjë kokëçarje për produktin social të kësaj shkolle, pasi ajo do të ishte njëherazi themeluese dhe e vetme. Por jeta e shoqërisë sonë nuk është shprehje vetmie e as ahistorike.

Le ta lëmë, shkollën dhe fenë të ndarë, sepse kjo është ndër të vetmet fitore që ka arritur kjo shoqëri drejt një mendimi kritik. Të mos kërkojmë që as Kisha e as Xhamia t’u mësojnë ndjekësve të vetë mendimin laik. Por ndërkohë, as Kisha e as Xhamia të mos na kërkojë hapësira shkollore për mendimin fetar. Ndërkohë, askujt s’i mohohet mundësia që fëmija e tyre të edukohet prej fëmijëve, apo në moshë madhore kushdo prej nesh mund të zgjedhë të artikulojë si të dojë botën e vetë shpirtërore.

Sikurse ftoj përkrahësit e fesë për sistemin arsimor, të mos përdorin anti-komunizmin as për të intimiduar qeverinë, as shoqërinë, e as studiuesit. Sepse shkolla shqiptare, ose duhet të jetë laike, ose të mbyllet, kështu dhe shteti shqiptar, ose duhet të qëndrojë i ndarë prej implikimeve fetare, ose nuk na duhet. Dështimet tona shtetërore gjatë historisë dhe në të sotmen, s’mund të përdoren si argumente teorike për të na mbushur mendjen se na duhet futja e të mësuarit e fesë si besim nëpër sistemin tonë arsimor. S’mund jetë pjesë e marrëveshjeve të përkohshme politike në këmbim të mbështetjeve politike. Pse çështja e fesë në shkollë është më shumë sesa një shndërrim kushtetues.

Mapo

*Antropolog

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.