Një imazh trinitar në kambanën e Shelcanit, Shën Ana, Shën Maria dhe Krishti

Postuar në 13 Mars, 2016 12:29
Dorina Arapi

Shpati është një zonë etnografike me interes në shumë aspekte. Në mesjetë është për t’u theksuar se Shpati kishte një rëndësi në organizimin kishtar. Nga kronikat e kohës, në shekujt XIII-XIV rezulton peshkopata e Ispatisë. Gjithashtu, në gojëdhënat e shpatarakëve përmenden kisha e katedrale, si katedralja e madhe e Galigatit. Zona e Shpatit kishte rëndësi për princat arbërorë, si një vend strategjik e rezidencial për ta. Ndonëse të banuar me pak familje, këto fshatra ishin vende të duhura për të ndërtuar kisha e për t’i afreskuar ato. Fshatrat Valsh e Shelcan figurojnë në kadastrat e kohës me shumë pak familje. Shelcani rreth viteve 1431-1432 ka 17 familje, ndërsa Valshi me 18 familje. Pikërisht në këto zona me numër të paktë banorësh, piktor Onufri duket se pati dhe aktivitetin e tij më të shtrirë, ndoshta nga dhe ku mund të ishte vendi i tij i origjinës, ndonëse kishat ku pikturoi ai janë kisha të vogla njënefëshe.

Një nga elementet më të rëndësishme për një kishë është kambana. Kambanat zinin një vend të rëndësishëm në jetën qytetare në mesjetë. Ato lajmëronin qytetin e fshatin për çdo lloj situate, duke qenë një orientim për të gjithë jetën shoqërore, por kishte dhe një domethënie shpirtërore e teologjike për besimin fetar.
Sot, në Muzeun Historik Kombëtar, në pavijonin e mesjetës, është e ekspozuar një kambanë, ku sipas të dhënave, e ka prejardhjen nga fshati Shelcan i zonës së Shpatit. Ajo mban datën e vitit 1455. Kjo gjë dallohet nga numrat romakë, të gdhendur mbi të në pjesën e prapme të saj.
Në kambanë, e gdhendur në reliev, paraqitet një skenë e veçantë. Aty paraqitet Shën Ana, nëna e Shën Mërisë, Shën Maria më e vogël në trup dhe Krishti fëmijë. Shën Ana paraqitet e ulur në fron e në duart e saj mban dy flamuj me kryq. Ajo mban pranë saj Shën Mërinë e ndërsa Shën Mëria mban në prehrin e saj Krishtin fëmijë, i cili është paraqitur gjysmë i zhveshur. Kjo gjë të kujton ikonografitë e rilindjes italiane. Mjafton të shohim pikturat e mjeshtërve fiorentinë, për të vënë re ngjashmërinë në konceptin artistik.

Kjo temë ikonografike nuk ekziston në Shqipëri, në ikona apo afreske pasbizantine. Për mungesë të dhënash të plota, këtë gjë e pranojmë me rezervë. Të njëjtën gjë mund të themi për ikonografinë bizantine në Shqipëri. Kjo, për faktin se mungesa e shumë kishave të kësaj periudhe nuk e lejon një studim më të detajuar. Ato kisha që ende trashëgojmë janë kisha e Shën Mërisë së Maligradit në Prespë (1345 dhe 1369), kisha e Ristozit në Mborje, kisha e Shën Triadhës në Berat etj. Nga konsultat në terren apo dokumentacioni vizual, nuk disponojmë një imazh të tillë. Por s’mund të përjashtojmë idenë se kjo temë mund të ketë qenë e paraqitur diku apo dhe e përdorur. Këtë temë ikonografike, që njihet ndryshe si ikonografi “Shën Ana trinitare”, gjendej mjaft e përhapur në Europën e Mesjetës dhe në epokën humaniste italiane.

Figura e Shën Anës kishte një përhapje të madhe në të gjithë Italinë. Këtë gjë e dallojmë në mjaft piktura të Rilindjes, që u përkasin shekujve XIV-XVI, si Leonardo da Vinci, Masaccio etj. Shën Ana, si figurë e veçantë, merr më shumë vlerë në Firence, kur ajo zgjidhet si mbrojtësja e qytetit, por dhe mbrojtëse e familjes së Mediçëve. Në piktura e afreske të periudhës së Rilindjes në Itali, kjo temë është e paraqitur dhe një nga më të njohurat ndër to është “San Anna Metterza”, një bashkëpunim artistik midis Masaccio-s e Masolino-s. Skena quhet ndryshe Shën Ana e vendosur si e Tretë, çka nënkupton vendosjen e saj në ikonografi, midis Shën Marisë e Krishtit.

Një tjetër pikturë interesante është “Maria con bambino, Sant’Anna e i patroni di Firenze” (Shën Maria me fëmijë, Shën Ana dhe patronët e Firences, 1510-1513, Firence) e Fra Bartolomeo-s. Sot, e ekspozuar në muzeun San Marco në Firence. Studimet tregojnë se kjo pikturë, për temën ikonografike të Trinisë së Shenjtë që është paraqitur, lidhet me idetë rreth Trinisë të mbështetura nga prifti dominikan Savonarola. Kjo vepër në fakt paraqet disa aspekte të veçanta për sa i përket ikonografisë. Aty paraqitet jo vetëm Trinia e Shenjtë me tri fytyra, që gjendet sipër Shën Anës, por gjithashtu poshtë Trinisë me tri fytyra, paraqitet një imazh ose një grup trinitar, siç është Shën Ana, Shën Mëria e Krishti fëmijë ose ashtu siç thamë më sipër Shën Ana trinitare. Për këtë arsye është e rrallë paraqitja e dy imazheve trinitare, të vendosura në një vepër.

Po të rikthehemi në kishën e Shelcanit, gjithmonë duke pasur parasysh kishën e Shën Kollit ku pikturoi Onufri, jo vetëm që sot gjendet kambana e saj ku paraqitet një imazh trinitar, por dhe më vonë Onufri do të pikturojë një imazh trinitar trefytyrësh në afresket e kishës. Për momentin, duke mos pasur më shumë të dhëna, kjo gjë mund të na bëjë të mendojmë lidhjet që kjo zonë mund të ketë pasur me vendet e Italisë. Dhe e dyta, duke mos ditur më tepër rreth kronikave të ndërtimeve e ndryshimeve që mund të ketë hasur kisha e Shelcanit, para pikturimit të saj nga Onufri, d.m.th. para shek. XVI, e kemi të vështirë të hedhim hipoteza. Dimë se kisha e Shën Kollit në Shelcan ka pasur një rindërtim rreth pas 100 vjetësh nga koha kur e ka pikturuar Onufri. Ashtu siç daton piktura e një ikonografi të dytë në këtë kishë, ku dhe ka lënë mbishkrimin e tij një piktor anonim në pikturë që daton vitin 1625. Rindërtimi i saj u bë me shpenzimet e një arkondit Gjika nga Shpati.

Sot në Shqipëri nuk ruajmë ikona apo afreske, të cilat të tregojnë nëse kjo temë ikonografike ka qenë e përhapur apo jo. Ajo çka dimë është se Shën Ana trinitare nuk figuron as në ikonografinë pasbizantine në Shqipëri, në afreske e as në ikona. Kjo gjë përforcon edhe më tej hipotezën tonë se kambanë mund të ketë ardhur nga Italia apo nga ndonjë vend tjetër perëndimor, me të cilat Arbëria mesjetare ka pasur lidhje kulturore, tregtare, si dhe politike. Të paktën në fillimet e shekullit XV, tregtarët fiorentinë ishin të ftuar të tregtonin lirshëm në Vlorë (shih: Zija Shkodra, Esnafët shqiptarë shek. XV – XX, 1973). Por nuk duhen harruar dhe marrëdhëniet e ngushta që gjatë mesjetës, princat arbërorë kishin me mbretërinë e Napolit. Kështu përmenden fisnikët arbërorë me prona në Shpat si Arianitasit, të cilët më 1451-shin lidhën marrëdhënie me Alfonsin e Napolit apo dhe shumë princa të tjerë arbërorë.
Sot në muze të ndryshëm janë ekspozuar tri kambana që i përkasin shekullit XV. Dy prej tyre janë ekspozuar në Muzeun Historik Kombëtar. Njëra është kambana e Shelcanit dhe një kambanë tjetër që daton po në të njëjtin vit, 1455, vjen nga kisha e Karpenit në Kavajë. Kambana e tretë gjendet në muzeun “Gjergj Kastrioti” në Krujë, që mendohet se i përket familjes së Kastriotëve, me prejardhje nga kisha e Shën Kollit, që daton viti 1462.

Përgjatë mesjetës, fisnikët e monarkët europianë, shpesh i luteshin Shën Anës për të sjellë prosperitet në familje. Shtresat më të larta të aristokracisë europiane e adoptuan figurën e saj në lutjet e tyre devocionale, gjë që legjitimizonte dhe e shenjtëronte linjën e tyre të trashëgimisë fisnikërore.
Por në skenën që paraqitet në kambanën e Shelcanit Shën Ana, nuk paraqitet në rolin e edukueses së Nënës së Zotit, së Shën Mërisë apo në rolin e mbrojtëses së familjes. Qëndrimi i Shën Anës në fron, jep idenë e një figure monumentale dhe me pamjen e një mbretëreshe. Kjo gjë përforcohet nga dy flamujt me simbolin e kryqit që ajo mban në duar. Shën Ana në këtë rast, ka rolin e mbrojtëses së krishterimit, duke lartësuar kryqin, simbolin e shpëtimit.
Nëse do të vërtetohej se kjo kambanë vërtet ka qenë pjesë e një kambanoreje të një kishe (para asaj pasbizantine. Megjithëse kambana daton dy vjet pas rënies së Kostandinopojës) që mund të ketë pasur kisha e Shën Kollit në Shelcan, atëherë do të paraqitej me interes të studiohej se përse aty gjenden dy tema ikonografike të veçanta, Trinia me tri fytyra dhe grupi trinitar i Shën Anës, Shën Mërisë e Krishtit fëmijë.

"Shqip"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.