Lajm me 5 yje/Fatmir Toçi turpëron Kuçin dhe Vlorën. Spiunon Koçon te Gramozi që reagon me një kryevepër ironie: “Nuk është etike të flasim për kolegun kur nuk është mes nesh”

Postuar në 25 Janar, 2016 17:37

U zunë sot në PS. U zunë “të mëdhenjtë”, deputetët. Lajmi mori dhenë edhe për vërejtjet statutore të shokut Gramoz, që i paska tërhequr vërejtjen deputetëve të Vlorës, se “janë jashtë linjës”. Shoku Gramoz madje, ka folur edhe për përgjegjësi për moszbatim të vendimeve të Asamblesë. Me siguri që do të jetë kënaqur shumë kur ka marrë këtë përgjigje nga Fatmir Toçi, deputeti kuçiot në PS: “Koço Kokëdhima është kthyer në beun e Jugut duke mos përfillur kolegët, madje nuk i fton në takime të zonës”.

Shoku Gramoz, si usta i vjetër i tavolinës, i ka gjuajtur me rromuze Toçit kaçurrels: “Nuk është etike të flasim për çështje kur kolegu deputet nuk është mes nesh”. Të na lejohet të shtojmë këtu nëntekstin: “O Fatmir, vërtet je nga Kurveleshi, e të kam nga anët e mia, po kur s’lëviz ti, unë ç’a të bëj”, duket sikur ka dashur të thotë shoku Gramoz.

Problemi merr natyrë patologjike: Fatmiri nuk e ka hallin te shokët e partisë, te baza, që vuan e që jeton me bujqësi me ‘B’ të madhe siç kanë ardhur kohët,  e siç e ka sistemuar Barba Koço, por te fakti se ai nuk del më në vend të parë. Po pse, me autobusin e Kuçit do merren akoma njerëzit mo?

Barba kur e mori vesh këtë ankesë të Fatmirit, thuhet se është shprehur: “Ky është një vari leshtë. Unë e solla Kuçin në breg të detit, kurse ky ankohet se nuk e ftoj në takime”.

Tani pyetja pse nuk reagojnë lebërit që Barba Koçoja po bëhet kumandar si Zaho Koka e shoku Fatmir nuk po di nga të rrotullohet, ka disa arsye tepër finoke: Një është puna e madhe në Bujqësi, fronti i ri që është hapur nga Barba. Së dyti, thuhet se çdo zyrë të hapur nga Barba Koçoja, është e varur, përveç portretit të Ismail Qemalit edhe autointervista e tij, e prillit 2013, pikërisht pjesa ku ai shpjegon se është me origjinë nga Tërbaçi. Pra edhe Zaho edhe Hysni. Ose Hysni+Zaho=Koço. O Fatmir, ku ke hyrë o lumëmadh! 

Shaptilografisti

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.