Supozimi dhe subjektivizmi në rrënjët e kalamendjes ballkanase

Postuar në 06 Dhjetor, 2015 16:00
Elis Buba

Informimi dhe indoktrinimi nëpërmjet mjeteve primitive të komunikimit
Qartësisht hakmarrja është ndër më të zonjat për të udhëtuar në kohë. Fenomeni në vetvete është i trishtë, por mbush në kulm me eufori dhe energji mendjen dhe jetën e njerëzve që e lënë të lundrojë në ujërat e qeta të ndërgjegjes reflektuese. Sigurisht që ne sot, në 2015 nuk i shmangemi dot lavdisë së verbër të hakmarrjes. Është një fije e hollë floku, nga ato që nuk thinjen kurrë, nuk mpaken kurrë, nuk këputen kurrë as me forcë, ajo ndjenjë që kapërdin shekujt dhe rrëmben breza të tërë njëherësh dhe i motivon për gjueti gjaku. Por si ndërkallet konkretisht kjo ndjenjë somnambul, nga brezi në brez, nga ati te bijtë?
Dikur, në periudhën parahistorike, një rresht i gjatë ndjenjash, detyrash, normash, zakonesh dhe traditash trashëgoheshin me anë të gojëdhënave, përrallave, këngëve, rapsodive dhe formave të tjera të argëtimit pranë zjarrit. Më vonë vezulloi vullneti për të institucionalizuar diçka nga këto gojëdhëna, këngë, tregime e përralla. Në këto troje, në kohëra të tjera, shumë më të pakuptimta logjikisht, seç janë këto që po jetojmë, një pjesë e këtyre tregimeve të ravijëzuara në mënyrë të çartur, u shndërruan në histori me data dhe emra dhe një tjetër pjesë në teologji.
Edhe sot e kësaj dite në mendimin e amullt të njerëzve të pafuqishëm karshi diçkaje ose dikujt, gjenden mendime të llojit hakërryes, p.sh “i kam lënë Zotin!”. Në një pasazh kuptimplotë të Biblës thuhet; “Zoti gjykoftë mbi mua dhe mbi ty, Zoti u hakërreftë për mua mbi ty, por dora ime nuk do ngrihet kurrë kundër teje”. Shprehje të kësaj natyre tejet sugjestionuese kanë përcjellë mijëra breza njerëzim. Kurani është edhe më i drejtpërdrejtë në këtë pikë; “Zoti urdhëron të falësh e jo të hakmerresh”. Po kaq e drejtpërdrejtë është edhe Torah në lidhje me hakmarrjen; “Hakmarrja është një ves shumë i keq. Një person duhet të mësohet të sundojë ndjenjat e tij në çështjet tokësore”.
Në Ballkanin e blinduar me kisha dhe xhami, fjalët e tolerancës dhe faljes, diku i ka marrë Drini, Valbona e Osumi, diku Tigri, diku Vardari e Danubi, diku Evrosi dhe Nestosi. Çfarë ka mbizotëruar në vend të këtyre normave verbale ftilluese? Ka mbizotëruar një histori zyrtare, që mundet fare mirë të quhej histeri zyrtare. E enjtur pamatësisht nga paragjykime e ksenofobi antropologësh të vetëshpallur historianë që profetizojnë duke ndërthurur përralla, teologji, politikë, legjenda dhe mite, me spangon e supozimeve e të “sikur ashtu e kështu”. Spango shekullore që ka krijuar vetëm kasaphana të zëshme e të pazëshme, me natyrën e saj diferencuese, dalluese e ndasore.
Ndasia themelore e krijuar nuk është ajo e kufijve fizik, por ajo e kufijve ndërgjegjësor, ndijor e perceptor. “Ne dhe ata” do të ishte titulli ideal i parodisë histeriko-historike të shkruar në analet e Ballkanit përrallor. Në realitet është shkruar vetëm ky version “Ata, ata se ne jemi në rregull”. Të gjitha palët, shqiptarë dhe jo shqiptarë, që prej ndërthurjes së lumenjve Sava dhe Drava në veri, deri në gjirin e Artës në jug, që prej brigjeve adriatikase të Dalmacisë në perëndim, deri në ngushticën e Dardaneleve në lindje, proklamohen në të drejtën legjitime historike. Se për çfarë të drejte bëhet fjalë, nuk jam ende i sigurt. Di vetëm se historitë me nëntitull “Ne të mirët dhe ata të këqijtë”, duhet të marrin fund.
Logjika nuk mund të rrezatojë e depërtojë në faqet e Dimitrije Tucoviç, Ballkanicusit, Dimitrije Bogdanoviç, Miodrag Joviçiçit, Elefteria Manda etj, mbi idetë e të cilëve fëmijët e fqinjëve farkëtojnë vetëdijen kombëtare. Arsyeja nuk mund të shkëlqejë e të përforcojë qëllimet e emërimit të një jo shqiptari në krye të Kishës Autoqefale Shqiptare. Mendimi i pjekur dhe serioziteti shkencor nuk mund të mbivendosen e të bashkëjetojnë me historinë e LANÇ “të zbukuruar” nga Aleks Buda e Dhimitër Shuteriqi.
Shumëçka që për dikë mund të jetë vetëm një grumbull letrash të bëra vepër e rëndësisë së veçantë për qëllime të ndryshme, për dikë tjetër, për qëllime të njëjta, mund të shndërrohet fare kollaj në plumb pas qafe. Nga teoria në praktikë, kalohet me pak guxim e me raste edhe me pak hajvanëri. Nga historia si shkencë, në historinë si politikë kalohet vetëm me pak hajvanëri. Dikush mund të thotë se ne nuk jemi të parët që e bëjmë këtë, ndaj pse duhet të gjykohemi kaq shumë. Mendoj se në mënyrën se si ne e kuptojmë politikën dhe pushtetin, e kam fjalën ne ballkanasit, druaj se pikërisht mbi ne bie gjykimi për të zezat dhe fajet e tokës sonë. Ata që kanë kaq shumë dëshirë të gjykojnë të tjerët duhen gjykuar të parët. Mes nesh të vetmit kufij të pakapërcyeshëm janë ato të gjykimit e paragjykimit. Jetojmë me stereotipa të vidhosur thellë në ndërgjegje, për njërin apo tjetrin. Dhe e përsëris, e vetmja “politikë” që ne kuptojmë e që bashkon shumë më shumë se ç’do gjë tjetër zemrat tona, është politika “Ne jemi të mirë ata janë të këqij”. Kjo mendësi ka siguruar pushtet të madh në duart e disa burrave shumëdimensionalisht të vegjël. Po ashtu kjo mendësi ka dhënë kontributin e sajë në karbonizimin e herëpashershëm të Ballkanit.
Konceptualizimi i politikës dhe pushtetit
Si perceptohet të bërit politik mes nesh? Për Krajl Nikollën e Malit të Zi thonin se qe politikan i shkëlqyer. Një historian që hulumtonte dikur këto anë, pyeti me ngulm në Cetinë, se ku bazoheshin për të dhënë një definim të këtillë për krajlin. Një zotëri i dha një përgjigje hazdisëse. “Sa herë që krajli ynë e shkel fjalën e dhënë, ne nuk mund të shprehemi publikisht se krajli është mashtrues, pasi ai mundet edhe të na therë. Atëherë me finesë ne themi se krajli është politikan i zoti”.
Çfarë dua të them me këtë? Politikat e këqija përbuzëse, shoviniste, ksenofobe, ultranacionaliste, gjithnjë i kanë tërhequr për hunde popujt, jo vetëm të Ballkanit. Për interesa të ngushta të pak njerëzve, është përdorur si monedhë këmbimi gjaku i shumë të pafajshmëve. Për nallbanët që duan të saldojnë përfundimisht pushtetin e shkalafitur e të hapërdarë, nuk ka zjarr më të mirë se ai nacionalist. Por tek e fundit cili është kuptimi i nacionalizmit? S’vlen askush përveç vetes?! Si në Greqinë e hershme, kur konsiderohej barbare gjithçka e huaj. Nuk mendoj se është e shëndetshme të urresh gjithçka që nuk e njeh. Sepse është logjike të mendosh se është e pamundur që njerëzit, edhe me përkatësi e prejardhje të njëjtë, të mund të përmblidhen të gjithë në të njëjtën bashkësi vlerash dhe antivlerash. Por antropologët e hershëm e modern të këtyre anëve asgjë nuk i argëton më shumë se sa të kategorizojnë apriori vend e pavend, e të fusin njerëzit në një “thes” si zarzavate. Nga ato që sot konstatohen në buletinët informativë, rezulton p.sh se përcaktimet antropologo-historiografike të autorëve të hershëm e të herët serbë, turqë por edhe grekë, mundet fare mirë tu shkojnë për shtat shumë popujve të Ballkanit, përfshirë madje serbet, turqit dhe grekët.
Më konkretisht, primitivizmi dhe grabitqaria si tipare dominuese, paaftësia për një jetë të pavarur shtetërore. Më tej për shqiptarët, është thënë se nuk e kanë konstituuar kombin e tyre duke qenë se u mungojnë aftësitë civilizuese për organizimin e shtetit të pavarur. Po ashtu për popullin shqiptar është shkruar se i ka hyrë në gjak dhuna, por edhe urrejtja ndaj popullsisë fqinje, e cila është fajtore vetëm për faktin se është gjallë. Shqiptarët janë bartës të shovinizmit dhe racizmit agresiv. Ata nuk mundet assesi të ndërtojnë shtet e të konkretizojnë politika konstruktive pa mbikëqyrjen e enteve më të civilizuara. Nënçmime pafund e pa krye mbi njerëz të panjohur e mbi këto nënçmime nuk është vënë kurrë një pse. Për sa shtete në Ballkanin e sotëm, gjithashtu vlejnë konstatimet e mësipërme?

HR-povijesna-PODRIJETLO I SEOBA HRVATAInformacioni si një lojë interpretimesh
E vërteta gjysmake kënaq vetëm mendjet që shërbehen prej saj. Po i referohem serbëve, duke qenë se bibliografia e tyre kundërshqiptare është më voluminoze dhe eksplicite se e të tjerë fqinjëve. Serbët, Sorb-ët e vërtetë, (Balkan Worlds: the first and last Europe […]) nuk kanë prejardhje nga Rusia dhe nuk janë sllavë. Një pjesë e konsiderueshme e të mbiquajturve serbë të sotëm kanë po të njëjtën prejardhje ilire, si edhe shqiptarët. Janë asimiluar me “censuse” të përdhunshme vit pas viti (konkretisht në ish Jugosllavi). Më vonë, ndryshe nga shqiptarët në territorin amë, këta janë konvertuar në ortodoksë për të qetuar karakterin e tyre të konsideruar të sertë. U është ndaluar me ligj ruajtja e mbiemrit autokton të trashëguar e u është sugjeruar si mbiemër emri i gjyshit të fundit që kanë pasur ende gjallë. Këtij mbiemri të ri i është shtuar, me detyrim, një prapashtesë e llojit viç ose kov (Serbi, Mal i Zi), ovski ose evski (Rep. e Maqedonisë) itis ose otis (Greqi)
Kompleksi i inferioritetit por edhe frika, që i ka shoqëruar ballkanasit në faza të ndryshme të historisë, i ka shtyrë ata të vetëdeklarohen kështu e ashtu. Duke u mbrehur mbas qerres së këtij e atij, për arsye të mosdijes shkapetëse e duke u distancuar kuturu prej rrënjëve amësore. Si shembull mund të sjell edhe vetëdeklarimet a arvanitasve në territoret aktuale të fqinjit tonë jugor, të cilët masivisht vetëquhen helenë.
Sorbët e hershëm, në bazë të lëvizjeve masive migruese të popullsive të dokumentuara gjatë viteve 500 dhe 600 pas K., thuhet se janë një tribu e pashtunëve (fisit me popullatë më të madhe në Pakistan e Afganistan), të strehuar për një kohë relativisht të gjatë në veri të Gjeorgjisë së sotme, një shekull më vonë i gjejmë të pozicionuar në kufijtë mes Polonisë dhe Gjermanisë. Për këtë arsye të folurit sorb njihet edhe si dialekt gjerman. Historia e njësuar europiane njeh vitin 664 si datë e shpërnguljes së sorbëve në Iliri pranë Kroacisë së sotme.
Normalisht këtë pjesë të së vërtetës zgjedh unë për të ilustruar realitet historike, por dikush tjetër preferon të zgjedhë një tjetër version, të shndërruar në histori dekada më parë. Kjo për arsye se nuk dëshiron t’i lerë terren tolerancës në këtë çështje. Pika themelore e ngërçeve ballkanase është se gjithsekush beson atë që dëshiron të besojë, jo domosdoshmërisht të vërtetën, duke qenë se mbi këtë të vërtetë është spekuluar dekadë mbas dekade. Për Homerin, Pirron e Epirit, Aleksandrin e Madh, Skënderbeun, Nënë Tërezën etj kemi dëgjuar dy a tre versione të ndryshme mbi jetën, prejardhjen dhe përkatësinë etnike. Gjithçka në varësi të subjektivitetit të gjithsecilit. Falë mediave sot kemi një pasqyrim të drejtpërdrejt të gjithçkaje me interes. Por edhe aty ku faktet përputhen me figurë e zë, ndërhyn subjektivizmi. Pasi në këto troje mediat nuk janë thjesht raportuese të një lajmi, por edhe komentuese të këtij të fundit. Nuk janë thjesht pasqyruese të një opinioni gjithëpërfshirës, por janë ndërtuese të këtij opinioni. Në pazarin e rrjeteve të sotme sociale, kush krijon më shumë scoop nuk tërheq vetëm vëmendje, duke brumosur një reputacion të qëndrueshëm, por gjeneron edhe sasi të kënaqshme të hollash. Rrjedhimisht, qëllimi, në këtë mes, nuk është më e vërteta.
Në arenën ballkanase sot kërkohet prej shqiptarëve të Kosovës e të Çamërisë të harrojnë historinë e të ecin përpara. Kleçka është se ata që këmbëngulin në këtë harresë, kokëfortësisht i rikthehen supozimeve legjendare të historisë, që politika e tyre preferon ta quajë zyrtare. Duke luajtur me historinë dhe duke e bërë atë plaçkë oreksesh e asgjë më shkencore se kaq, i kemi bërë një dëm madhor vetes. Pasi kemi eliminuar të vërtetën duke e shmangur atë në mënyrë konstante, jemi armiqësuar verbërisht e shpellarisht. I jemi referuar historisë në formatin pedant, për të përligjur dëshirën tonë majoshe për hakmarrje, për të përligjur dallimet raciale që ndjejmë e që na i kanë trashëguar si një përrallë e bukur me mbret.
Të mos harrojmë që ne jetojmë sot. Gjithçka e të shkuarës na është rrëfyer në një mënyrë a në tjetrën. Ne si nën narkozë proklamojmë haqe që nuk kanë kuptim. Asgjë nuk mund ta kthejë në jetë një baba, vëlla, motër, nënë të vrarë. As lumenj gjaku të gjakësorëve as kurrfarë kasaphane e reprezalje. Historia ndodhi në të shkuarën nga ku ne nuk po i shkasim dot sytë edhe pse nuk po nxjerrim mësime prej saj. Duke ecur përpara me kokën pas, mes nesh urat e komunikimit, bashkërendimit e bashkëveprimit janë ngritur mbi terrene josolide cinizmi dhe hipokrizie. Duke ecur përpara me kokën pas jemi rrëzuar shumë herë. Pyetja është edhe sa herë kemi ndërmend të rrëzohemi.

"Postbllok.com"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.