Portret: Frederik Ivanaj, një mik i kujtesës

Postuar në 02 Nëntor, 2015 13:19
Luan Rama

Frederik Ivanaj është një mik. Një mik kujtese, që e rigjeta pak ditë më parë në krah të Duomo-s, në qendër të Firences, në Piazza Elisabetta 6, dy hapa nga shtëpia e Dantes dhe Beatrices, të cilat t’i tregon me dëshirë, pasi Ivanaj është një pinjoll dashurie e arti. Është një kujtesë si qelqi i Baccara-së, është pasionanti i kinemasë që kam njohur në korridoret e Kinostudios kur bisedonim për kinematografinë dhe regjisorët e mëdhenj, Ejzenshtaini, Jean Renoir, Rosellini, Fellini … Flisnim për kamerën, pas së cilës ai u lidh aq shumë, nga një film në tjetrin, në kërkim të dritës dhe njeriut të thjeshtë të shtëpisë përdhese prej balte, fytyrës së gëzuar e të trishtë, pasi aty ishte piktura, arti i kompozimit dhe drita e figurës, ajo e artit. Një djalosh tepër simpatik dhe i uritur pas arteve. Pasi të uriturit shpesh vdesin urie. Jo pak artistë kanë ikur kështu nga dashuria për artin.

Në shtëpinë time në Tiranë është ende një tablo e tij, një buzëdet i jugut të Vlorës me ca shtëpi të braktisura, një penelatë e hedhur që ka lënë pas erë, dallgë, dhembjen e një bukurie peizazhi të shkretuar. Ivanaj e donte shumë poezinë. Kjo dashuri më kujton tani “Zanoret” e Arthur Rimbaud, zanoret e tij ishin ngjyra dhe ngjyrat e Ivanaj-t shpesh ktheheshin në zanore poetike. Frederik Ivanaj-n e gjeta në Firence të dashuruar, në Piazza Elisabetta 6. I dashuruar pas Anarita-s, piktore dhe ajo, dashuri e lindur që në vitet ‘90 në sheshet e Firences, nga arti, për artin, duke punuar bashkë dhe humbur në botë ngjyrash, ndjesish, ëndrrash.

Kur kishte zbarkuar në Firence më 1989-n, në sajë të një vize të rastit, Ivanaj ishte ngarkuar me pikturat dhe penelat e tij. Katër shokë të tij piktorë e ndihmuan dhe e kishin përcjellë në tragetin e Durrësit, Muharremi, Deliaj, Bregu, që të gjithë piktorë që dhe ata janë sot në shtegtim, edhe ata në qiejt e botës, por që gjithnjë peneli sjell të kaluarën e tyre, dhembjen, nostalgjinë, ngjyrën e dheut ku u rritën, vdekjen e atit. Peizazhet e portretet e para ai i ekspozoi atje, para kangjellave të Palazzo Vecchio e Dumo-s, ndoshta që t’i shikonte dhe Davidi i madh. Menjëherë u shfaqën policët dhe me mirësjellje i thanë se mund të ekspozonte gjetiu. Por për artistin, gjithë qyteti bëhet i tij, pasi është arti që e shtyn të vendosë tablotë e tij. Artisti shqiptar jetonte kështu me ëndrrën e artit, pikturonte, dashuronte, ndërtonte jetën e tij të artistit. Jo pak shqiptarë që zbarkuan pas viteve ‘90 gjetën strehë në dhomën e tij, një dhomë që çuditërisht zgjerohej shumë nga humanizmi i tij, aty flinin, aty hanin, aty flinin, një zemër e hapur në formën e një atelieje gati për të hedhur ngjyrat në të. Frederik Ivanaj është fisnik. Është pinjoll i një familjeje fisnike. Mirash Ivanaj nuk e kishte menduar që një nga nipat e tij do të udhëtonte kaq larg për të ekspozuar një ditë tablotë e tij në Firence dhe do të kishte një galeri të tij aq pranë botës së Rinascimento-s, sepse kur bisedon me Fredin, nuk mund të mos flasësh për piktorët e “cinquecento”-s apo “seicento”-s si Leonardo, Raffaello, Tiziano, Boticcelli e më pas Caravaggio etj. Shpirti i tyre ka shumë nga aroma e Rinascimento-s. Mirash Ivanaj kur ta dëgjojë, do të ngrihet nga varri dhe do të marrë udhën e largët drejt galerisë së tij, thjesht për ta përgëzuar pinjollin e tij që iku para se dyert shqiptare t’i hapeshin botës.

Një cikël i vjetër i tij me peizazhet dhe imazhet e Duomo-s apo Santa Croce-s më risjellin në mendje poetikën flu të serisë së Claude Monet rreth katedrales së Rouen-it në Normandi. Imazhe flu, poetike, ajrore, ashtu si në një varg të Rimbaud që shkruante për “katedrale në qiell” …

Frederik Ivanaj është një djalosh pasionant, edhe pse nuk është më ai i viteve ‘80, kur zbarkoi në korridoret e Kinostudios. Shumë vite kanë kaluar me ethen e krijimit. Tani që po shkruaj këto dy rreshta është mesnatë dhe duke lënë penën mënjanë pyes veten: Përse duhej të shkruaja tani në mesnatë? … Ndoshta pse doja ta përshëndesja dhe se më ishte larg tashmë? … Ndoshta tani ai fle … si lumi i Arno-s që dremit nën Ponte Vecchio. Përkulur nën harqet e tij, Ponte Vecchio fle dhe ai …

"Shqip" 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.