Një histori(jo dhe aq e sajuar) me qen dhe pushtetar

Postuar në 21 Tetor, 2015 15:27

Ai e ka preferuar përherë fshatin, gjelbërimin kundrejt qytetit. Të paktën për të ngrysur ditën e për t’u gdhirë. Pas P., ku kalonte me miq e shokë, i erdhi radha S. Një fshat më i mënjanuar e në rrëzë të malit. Netët e para ishin të qeta, po të heqim faktin që nuk e dimë mirë, se çfarë kanë përjetuar fshatarët. I pari i vendit ishte një banor mes tyre. Por problemet nuk vonuan të shfaqeshin. Dhe nuk kishin të bënin me njerëzit, por me kafshët. Po, ngjan e çuditshme, por kështu është. Tregojnë se një natë u dëgjua një e bërtitur. Gati një ulërimë. Dikush thotë se doli me vrap në verandë dhe veshët i zunë fjalën “gjel” apo “kokosh”. Si dhe urdhrin: “Pushoni”. Ora ishte diçka mbi 4 dhe nuk kishte dyshim, personi në fjalë e kishte kapur me gjelat që këndojnë në atë orë. Të nesërmen kjo diskutohej në gjithë fshatin, që siç ndodh rëndom në kësi rastesh, ka aftësinë të prodhojë një version të gjithëpranuar, edhe pse askush nuk e dinte me siguri si ishte puna. Cili ishte versioni? Inati me gjelat që këndonin ishte se për dreq ata kishin kënduar në të njëjtën kohë, një kor fatal gjelash dhe...fëmija i vogël që banonte në shtëpinë e të sapoardhurit ishte trembur dhe zgjuar. Fshatarët i dhanë karar: Është i ardhur nga qyteti dhe nuk është mësuar.

 Mirëpo nga ky incident gati për të qeshur, nuk vonoi fatkeqësia. Pas gjelave, mallkimi ra mbi qentë e fshatit. Të cilët siç e dimë kanë zakonin se lehin e kuisin sapo zë nata. Kjo nuk durohej. I sapoardhuri u dha urdhër rojeve që e shoqëronin të vrisnin të gjithë qentë se kështu nuk mund të vazhdohej. Teksa jepte këtë urdhër një e qeshur ironike e kapi përbrenda. Iu kujtua lajmi që kishte lexuar dikur për një ish-president - që ishte edhe ish-ushtarak që kishte tentuar të vriste veten 4 herë – i cili dha urdhër të vrisnin qenin e vilës fqinje me atë ku pushonte, se nuk i duronte dot të lehurat. Por mendimi i fundit e rehatoi: “Në rastin tim bëhet fjalë për një fëmijë të vogël dhe për një lukuni qensh që të çmendin. Pastaj unë jetoj këtu, nuk jam vetëm një natë”.

Rojet nuk e bënë dysh llafin. U lëshuan në fshat dhe me armë në dorë kryen një plojë qensh. Gjithë murrot, balot, gjithë soji i qenve denbabaden në fshat, ranë atë natë të lidhur ashtu siç ishin, me zinxhirë.  Nëse historia do të regjistronte dikur edhe fatin e kafshëve, pra nëse ajo vepra e Aristotelit, “Historia e Kafshëve” do të kishte një vëllim të dytë me titull: “Historia e veprave, bëmave dhe të pësuarave të kafshëve anembanë botës”, e Mira e do që fatkeqësia e qenve të S. të përfshihet në të.

***

Qetësia mbuloi fshatin. Qetësia nga qentë, por edhe një heshtje e banorëve. Ku ishte parë ndonjëherë një fshat pa qen? Ja që ndodh. I sapoardhuri u rehatua dhe çdo mëngjes e çdo darkë bënte itinerarin hyrës e dalës në fshat. Ai ishte lajmi i fshatit, por jo haberi i tij, përderisa e kishte çnderuar atë. Dikush duhet t’i thoshte një gjë. T’i bënte të ditur se kushdo të ishte nuk mund të sillej si padron harbut në një fshat që i kishte hapur derën. Dhe dikush ja tha...

Rojet tregojnë se një mëngjes, para eskortës u hodh në mes një grua plakë. U mbërthye te makina dhe nuk ikte. Se çfarë thoshte me zë të lartë e bënte shenja me dorë. I sapoardhuri u tha rojeve ta linin dhe hapi derën ta dëgjonte. Ja si e tregojnë rojet bisedën:

“Plaka: Qofsh mirë!”

“Më thuaj çfarë ke?”

“Ke ardhur në fshat dhe si i ri as na ke bërë një vizitë në shtëpi se tani do jemi komshij. Po mirë kjo, por ti na vrave edhe qenin e shtëpisë. Pse xhanëm?”

“O none, s’ka gajle. Nuk e shikon(dhe këtu u kaloi një vështrim rojeve) se çfarë qensh u kam sjellë? Rrini rehat”. Dhe mbylli derën. Rojet po zgërdhiheshin duke parë nga plaka, e cila ndenji duke menduar se çfarë emrash do t’u vinin qenve të rinj që as lehnin e as kusinin. 

 

"Shaptilografisti"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.