Si të shpëtojmë nga morsa faturë-kupon tatimor

Postuar në 24 Shtator, 2015 20:20

Me fillimin e fushatës qeveritare kundër informalitetit, bizneset e vogla u gjetën para një misioni të vështirë – si të justifikonin produktet që kishin gjendje pa faturë. Për mëse dy dekada, shumica dërrmuese e tyre furnizoheshin me produkte të pashoqëruara me faturë tatimore – praktikisht, produkte që kalonin pjesërisht ose asfare nëpër sitën fiskale. Të përballur me këtë mision të vështirë të bizneseve të vogla (bëhët fjalë për ato të regjistruarat, sepse të paregjistruarat janë një histori më vete ilegaliteti), qeveria u la kohë atyre deri më 31 dhjetor, që t’i rregullojnë inventaret në përputhje me legjislacionin tatimor.

Po çdo të ndodhë pas 31 dhjetorit?

Në qoftë se një dyqan e ka me fatura tatimore 100% të inventarit të mallrave gjendje, do të detyrohet të lëshojë kupon tatimor për çdo mall që shet, sepse përndryshe, nuk do të ketë si të justifikojë diferencën midis furnizimit 100% me fatura dhe shitjes pjesërisht me kupona. Por nga ana tjetër, në qoftë dyqani shet 100% me kupona tatimorë, shumë shpejt do ta kalojë kufirin e xhiros që e klasifikon si biznes të vogël. Dhe kjo është gjëja që i druhen më shumë bizneset që janë regjistruar si të vogla…

Për t’i shpëtuar morsës faturë-kupon , e cila do t’i klasifikonte automatikisht shumë biznese të vogla si të mëdha, ato do të bëjnë manovra bishtimi nga më të ndryshmet. Dhe nga bisedat konfidenciale me disa shitës, kam konstatuar se manovrimet kanë nisur tashmë.

Nga ana e furnizimeve, dyqanxhijtë i bëjnë manovrimet duke mbajtur në shtëpi mallin pa faturë dhe duke e rifreskuar inventarin e dyqanit përditë, në mënyrë që, nëse kontrollohen befasisht, inventari të justifikohet me faturat e pakta tatimore që kanë në dyqan. Nga ana e shitjeve, manovrimi kryesor është ai i mosdhënies së kuponit tatimor fqinjëve dhe njerzve të njohur, me të cilët kanë marrëdhënie të mira. Me objektivin e vetëm që të mos e kalojnë kufirin e xhiros që do t’i klasifikonte si biznes i vogël…

Me fjalë të tjera, edhe pse pas 31 dhjetorit do të paksohet, informaliteti në sektorin e shitjeve me pakicë do të vazhdojë në mënyrë të kamufluar. Dhe shkak për të do të bëhet kufiri artificial i xhiros që ndan biznesin e vogël nga ai i madh, ose më thjeshtë, biznesin që shet me TVSH nga ai që shet pa TVSH.

Tatimi i Vlerës së Shtuar  (TVSH) është dizenjuar për të tatuar vlerën që shtohet në çdo hallkë ekonomike të zinxhirit nga prodhuesi/importuesi deri tek konsumatori përfundimtar.  Moszbatimi i TVSH-së në hallkën e fundit – në mijra dyqanet e shitjes me pakicë – krijon mundësinë për evazion në të gjitha hallkat paraardhëse. Importuesit mund të fusin një pjesë të mallrave kontrabandë e t’i shesin pa faturë tek pikat e shumicës (falë mitave të majme që janë në gjendje të paguajnë). Nga pikat e shumicës, mallrat pa faturë shkojnë nëpër dyqanet/shtëpitë e shitësve të pakicës, të cilët mund t’ua shesin pa kupon të njohurve/fqinjëve.

Për këtë arsye, dallimi “biznes i vogël - biznes i madh” nuk duhet të lidhet me zbatimin ose jo të TVSH-së. Të gjitha bizneset (me përjashtim të shitësve ambulantë apo zanatçijve të vegjël, si berberë, rrobaqepës, orëndreqës, syzendreqës, etj.) duhet t’i shesin mallrat apo shërbimet e tyre me TVSH, në mënyrë që ky lloj tatimi të funksionojë.

Ndërkohë, mund të zbatohen skema për t’u lehtësuar barrën fiskale apo për të subvencionuar  bizneset e vogla familjare, si për shembull, nëpërmjet uljes së taksës së sigurimeve shoqërore, uljes së tatimit mbi të ardhurat personale, ndihmë me kredi të garantuara, etj. Në këtë mënyrë, bizneset e vogla nuk do të kenë më stimulin negativ që krijon kufiri artificial i xhiros, për t’i fshehur furnizimet pa fatura nëpër shtëpi dhe për t’u shitur pa kupon fqinjëve apo të njohurve të tyre.

Duke mbullur kështu dhjetra mijra vrima të vogla nga rrjedh evazioni i madh…

 E.Zaloshnja

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.