Ndarja e thellë ShBA-Europë

Postuar në 12 Shtator, 2015 23:51

Foreign Affairs i ka kushtuar një shkrim tensioneve mes Europës dhe ShBA-së, të cilat sa vijnë e po shfaqen si pjesë e pandarë e marrëdhënieve mes dy anëve të Atlantikut. Konrad H. Jarausch i mëshon idesë se dallimet mes të dyja poleve të botës Perëndimore, burojnë nga diversifikimi i përvojave të tyre historike, që po prevalon ndaj së përbashkëtës që është referimi ideologjik ndaj të njëjtave vlera. Kjo ndarje përherë e më e theksuar, ka çuar shkruan autori, në interpretime të ndryshume të koncepteve dhe kufijve të jetësimit të tyre në shoqëritë respektive: liria, privatësia, imigracioni, solidariteti, reagimi përmes forcës. Këto janë disa elementë ndaj të cilëve Europa dhe ShBA, edhe si shoqëri, kanë qasje të ndryshme. Shembujt nuk mungojnë: ShBA e sheh imigracionin si element të qenësisë së vet që sanksionon mandej diversitetin, Europa është më e tërhequr. Solidariteti social në Europë e çon më tej konceptin e lirisë, duke i shtuar “mungesës së shtypjes dhe shansin e një jete me dinjitet”. ShBA reflekton ekspansionin në Perëndim si kulturë në politikë kur adreson kriza me forcën e armëve. Viti 2003, me ndërhyrjen në Irak, pa Francën dhe Gjermaninë është një vijë ndarëse në këtë drejtim. Privatësia shihet ndryshe në të dy anët e Atlantikut, kjo siç shkruan Jarausch, për shkak edhe të faktit se Europa ka përjetuar dy sisteme totalitare që e bëjnë shumë të vyer privatësinë. Kjo lloj ndarjeje priret të polarizojë shumë raportet dhe kuptimet saqë mund të çojë në probleme sistemike për shkak të tyre. Le të shohim p.sh sesi shumëçka ndryshoi me 11 shtatorin, kur Patriot Act vuri priotet Sigurinë. Madje në emër dhe mbi liritë. Këtu vetë ShBA përballet me një kundërthënie dhe pse jo mohim të trashëgimisë së vet më të mirë në ruajtjen dhe kultivimin e lirive. Janë disa presidentë të saj, edhe në kulmin e Luftës së Ftohtë, me një kundërshtar tepër kompleks dhe të organizuar si Bashkimi Sovjetik, që nuk lejuan që kërkesa dhe ankthi për siguri të çonin në kufizimin e vlerave bazë të ShBA. Mjafton të kujtojmë fjalimet e Kennedyt dhe Reganit, asokohe ende një politikan i ri. Sot një tjetër ish-president, Jimmy Carter deklaron se ShBA është oligarki, jo demokraci. Ky nënvizim e bën të qartë largimin mes dy aleatëve. Në këtë prizëm dhe në kontekstin e këtyre zhvillimeve, sugjerohet dialog. “Intelektualët në të dyja anët e Atlantikut kanë për detyrë të diskutojnë kuptimin e të drejtave të njeriut në shekullin e 21-të. Çfarë do të thotë liri: mungesë e shtypjes, apo edhe shansi për një jetë me dinjitet? Deri ku shkon solidariteti për bashkëqytetarët, apo edhe për të huajt? Në vend të stereotipizimit reciprok, media transatlantike duhet të raportojë me më shumë saktësi në mënyrë që të informojë qytetarët më morë për njëri-tjetrin...ShBA she Europa ndajnë të njëjtat interesa dhe vlera themelore; ato duhet të punojnë bashkë për të adresuar problemet e pazgjidhura civile të botës. E ardhmja e tyre e përbashkët varet prej kësaj”, konkludon autori.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.