Pak dritë mbi të vërtetën historike të kishës së Dhërmiut*

Postuar në 28 Gusht, 2015 23:51
Sokol Çunga**

Çdo student i historisë dhe çdo studiues që punon me dokumentet burimore të historisë e ka të qartë ligjin e heshtur se çdo dokument ka një parahistori, një histori, dhe një pas-histori. Keqkuptimi apo shpërfillja e këtyre fazave, pa apo me dashje, krijon pashmangshmërisht keqkuptim ose ngatërrim të informacionit historik që buron prej dokumentit. Këto mendonim këtyre ditëve, teksa ndiqnim në mjetet e informimit publik çështjen e tempullit të Shën Athanasit në Dhërmi dhe projektin për kthimin e asaj kishe në faltore për të nderuar Peshkopin e Durrësit, Nilo Catalano.

Parahistoria

Për misionin e atë Nilo Catalano-s në Himarë, emërimin e tij Peshkop të Durrësit dhe Vikar të Himarës, për kontributin e tij në arsimin shqip dhe në shkrimin e gjuhës shqipe folën dhe shkruan jo pak personalitete dhe persona. Ca më pak u fol për Misionin Bazilian në Shqipëri dhe Himarë. Aspak nuk u fol për karakterin që kishte ky Mision. Meqenëse historia nuk fillon me misionin dhe vdekjen e atë Catalano-s në Dhërmi, ndejmë se këtu lind nevoja për të vërtetën.
Pas mallkimeve të dyanshme që lëshuan prelatët e Kishës së Perëndimit dhe asaj të Lindjes në vitin 1054, ndodhi ajo dukuri që në historinë e Kishës quhet “skizmë”, që do të thotë “çarje” e Kishës, shqyerja e trupit të Krishtit, që janë besimtarët. Për arsye të pastra politike, dy kishat zgjodhën të baresin në udhët e tyre të veçanta. Rrjedhimisht, edhe zonat e influencës së tyre u ndanë. Në këtë rast, këto zona të juridiksionit kishtar korrespondonin me pushtetin administrativ të perandorive përkatëse, asaj të Lindjes dhe asaj të Perëndimit. Me gjithë shkëputjen e kungimit mes dy kishave, fijet lidhëse nuk u prenë përfundimisht. Zonat kufitare gjithmonë kishin kontakte mes tyre, duke bërë që edhe pushteti kishtar të mos ishte aq i qëndrueshëm sa edhe pushteti politik.
Nga shek. XI deri në shek. XV, dhe me mbërritjen e osmanëve pranë Konstandinopojës, juridiksioni kishtar në Ballkan, dhe specifikisht në zonën e Himarës, njeh tkurrjet dhe zgjerimet e veta, sa nën varësinë e Patriarkanës së Konstandinopojës, aq edhe nën varësinë e Patriarkanës së Ohrit. Periudha pak para rënies së Konstandinopojës është e ngjeshur me komunikime të vazhdueshme diplomatike mes Romës dhe Konstandinopojës, të cilat shtoheshin me ritmin e shtrëngimit të darës osmane. Me shumë vështirësi, dy Kishat që kishin anatemuar njëra-tjetrën, arritën të ulen në një Këshill të përbashkët, atë që njihet si i Firence-Ferrarës (1438-1445), për të diskutuar mundësinë e bashkimit të kishave. Veç karakterit teologjik, Këshilli kishte edhe një karakter diplomatik: arritja e bashkimit nënkuptonte mbështetjen e Perëndimit në para dhe ushtarë për qëndresën e Bizantit kundër osmanëve, me kusht që Kisha e Lindjes të vihej nën tutelën e Papatit. Përfundimisht, partia bizantine që ishte kundër bashkimit triumfoi dhe nuk u mor asnjë vendim konkret. Vijimi, dihet: Konstandinopoja nuk u rezistoi dot osmanëve, Patriarkana e Konstandinopojës u kthye në institucion të administratës osmane.
Pavarësisht përfundimit të Këshillit të Firence-Ferrarës, ëndrra e bashkimit mes kishave nuk u shua në mendjet e të krishterëve të cilësdo palë. Dikur u mishërua si ndjesi e pastër shpirtërore, dikur si nevojë e diktuar nga rrethanat, apo dhuna. Rastet episodike mund të jenë të shumtë, por ai më përfaqësuesi është rasti i Polonisë. Me Këshillin e Brest-Litofsk-ut (1595), filloi përndjekja e të krishterëve protestantë dhe ortodoksë, si dhe nënshtrimi i dhunshëm i ortodoksëve ndaj Romës. Më 1596, pas Këshillit të dytë të Brest-Litofsk-ut, me ndikimin e fuqishëm të murgjve Jezuitë, mbreti i Polonisë, imponon përmes dhunës njohjen e primacisë Papale tek ortodoksët polakë, lituanë dhe ukrainas. Miliona ortodoksë iu nënshtruan atëkohë Romës, ndërkohë, sa refuzonin, përndiqeshin si kurrë më parë. Bashkimi i të krishterëve të ritit lindor ndodhi, dhe kjo dukuri u quajt uniatizëm. Ky emërtim, në kohën tonë, ka kuptim fyes për të krishterët katolikë të ritit lindor, prandaj dhe do ta shmangim në këto radhë.
Me themelimin e Kongregacionit të Propagandës së Fesë (Congregazione de Propaganda Fide) më 1622, parimi i bashkimit filloi të përdorej gjithnjë e më shpesh. Klerikë apo murgjër të urdhrave të ndryshëm katolikë dërgoheshin në çdo anë të botës, qoftë ishte apo nuk ishte shpallur ende Ungjilli. Atëherë kur misionarët shkelën territoret e Kishës së Lindjes, hasën në kundërshtimin e këtyre të fundit, dhe epitetet ofenduese nuk munguan mes dy palëve. Me të njëjtin parim u dërgua edhe Misioni i Murgjve Bazilianë në Himarë. Por, ishte apo nuk ishte Himara vend i ungjillëzuar? Sipas të dhënave historike, në shek. XVII Himara është një nga peshkopatat e Mitropolisë së Janinës, ndodhet në jug të peshkopatës së Apollonisë, Bylisit, Vlorës, Gllavenicës dhe Kaninës, në perëndim të Mitropolisë së Beratit dhe në veri të peshkopatës së Drinopojës. E gjithë krahina ka një numër të madh kishash bizantine dhe pasbizantine, si dhe kler vendas. Të gjitha këto janë shenja se është zonë që e ka pranuar Ungjillin dhe ka një kishë të vetën aktive.

Historia

Sigurisht, Perandoria Osmane nuk ishte mjedisi më i përshtatshëm për zhvillimin e lirë të besimit. Pengesat ideologjike dhe praktike vështirësonin ekzistencën e komuniteteve të krishtera të ndodhura nën pushtetin e saj. Njëkohësisht, të krishterët nuk ishin të barabartë në status me nënshtetasit myslimanë të Perandorisë, çka i bënte të ndjeheshin inferiorë, në rastin më të mirë, apo ta kishin jetën e pasigurt, në rastin më të keq. Pikërisht në këto rrethana, banorët e Himarës i dërgojnë më 1577 një letër Papës së Romës, duke i kërkuar mbrojtjen e tij, në këmbim të njohjes së Romës si qendër e tyre shpirtërore. Ca vite më vonë, më 1581, gjithë krahinat e Himarës (ku përfshihet edhe Labëria) i dërgojnë Papës një letër më konkrete: kërkojnë ushtri dhe para, në këmbim të njohjes së tij si primat, me qëllim që t’i kundërvihen Perandorisë Osmane. Në rast fitoreje, mbreti Filip i Spanjës do të jetë prijësi i tyre shtetëror, kurse Papa prijësi shpirtëror. Teksa është për t’u lavdëruar një guxim i tillë nën hundën e Perandorisë së rreptë Osmane, për fatin e keq të himarjotëve, asnjë nga kërkesat e tyre nuk u përmbush, për arsye që nuk lidhen me palët. Këto korrespondenca vazhdojnë gjatë deri në shek. XVIII dhe nuk do të ndalemi në to. Ajo që ndodhi është se, vite më vonë pas letrës së parë, më 1633, misionari i parë bazilian në Himarë, Neofito Rodinò, mbërriti në zonë dhe filloi misionin e përhapjes së Ungjillit në një vend tashmë të ungjillëzuar.
Çfarë nënkuptojmë, konkretisht me mision? Pasi popullata e zonës, në rastin tonë, Himara, ka pranuar dhe ka kërkuar të renditet nën udhëheqjen shpirtërore të Romës, misionarët kanë qëllim të katekizojnë besimtarët duke përdorur tekstet e miratuara nga Kongregacioni i Propagandës. Sipas nevojave, kryheshin edhe Sakramentet e nderuara, si pagëzimi, krezmimi, kungimi, rrëfimi, etj. Një element thelbësor në procesin e katekizmit ishte, siç është lehtësisht e përfytyrueshme, gjuha e përdorur. Punët ishin fort të thjeshta në këtë pikë, pasi që më 1592 Vatikani kishte miratuar përdorimin e E Mbsuame e Krështerë në gjuhën shqipe, hartuar nga arbëreshi Lukë Matrënga. Pyetja që ngremë, është: këta misionarë, vallë, kishin mision të drejtpërdrejtë përhapjen e gjuhës shqipe? Sigurisht që jo. Gjuha ishte mjeti për të arritur qëllimin kryesor, konvertimin, pranimin e Doktrinës Katolike nga të krishterët ortodoksë. Kongregacioni i Propagandës u këshillonte misionarëve të saj, që vepronin në vende të huaja, të mësonin gjuhën lokale dhe paralelisht, për ata që vepronin në Turqinë Evropiane, duhet të njihnin gjuhën greke, bullgare ose armene. Në rastin e misionarëve arbëreshë, për ta gjuha ishte e njohur. Ky fakt vërteton pa asnjë pikë dyshimi se banorët e Himarës dhe të krahinave që u bënë objekt i misionit nuk ishin katolikë, përndryshe, nuk do të ishte i nevojshëm misioni. Kemi, këtu, të qartë edhe dallimin mes kishave, të cilin asnjë tekst i shkruar apo deklaratë e këtyre ditëve nuk e tha shkoqur. Po ashtu, nuk u tha se ka një ndryshim mes Peshkopit të Durrësit dhe Vikarit Papnor të Himarës, tituj të cilët mori Catanalo më 1693, dhe Mitropolitit të Janinës, autoriteti tradicional dhe i ligjshëm kishtar nga i cili varej Himara në po atë vit.
Shkëputemi për pak nga çështjet e misionit, dhe u hedhim një sy ca dokumenteve të tjera, të mëvonshme. Të ndodhur nën kërcënimin e përhershëm të pushtimit osman, Himara që më 1759 vazhdonte t’u rezistonte osmanëve, ka një korrespondencë, dritëdhënëse për temën tonë, me Perandorinë e Rusisë. Në dokumentet e Arkivit të Politikës së Jashtme të Perandorisë Ruse, ruhen 4 dokumente që lidhen me Himarën. Në dokumentin nr. 1 (sipas botimit të Gregory Arsh, Rusia dhe Pashallëqet e Epirit, 1759-1831, dokumente nga arkivat e Rusisë, Athinë 2007, fq. 35-36 – referenca arkivore: APJPR, inventari 95/1, 1759, Dosja 35, fl. 7-8), himarjotët dërgojnë dy të besuar të tyre që të bisedojnë me Ministrin e Jashtëm të Rusisë në Stamboll. Këtyre u japin edhe një kërkesë drejtuar Perandorisë së Madhërishme Ruse (sic.), së cilës i komunikojnë se nëpërmjet kësaj letre “dëshirojnë ta sigurojnë për nënshtrimin me dëshirë dhe të vullnetshëm të një populli që deri tani shquhet për shërbimet e tij ndaj të tretëve, dhe i cili do ta kishte edhe më shumë për lavdi që të jepte jetën e tij për një shtet që ka të njëjtin besim me të”. Duket haptazi se, teksa misioni bazilian është aktiv në Himarë, vendasit gjetiu deklarojnë se janë ortodoksë.... Ndërsa në dokumentin nr. 4 (Arsh, fq. 40-42 – referenca arkivore: APJPR, inventari 95/1.1759, Dosja 35, fl. 5-8), i së njëjtës kohë me të parin, përfaqësuesit e Himarës bëjnë një përshkrim të zonës së tyre, sa lidhur me historinë e vendit, aq dhe me trimëritë e tyre në beteja kudo ku kishte luftëra. Nga ky dokument, citojmë: “Republika e Venedikut .... gjithmonë i shpërblente familjet më të rëndësishme me pensione të veçanta, me qëllim që të ruante zellin e tyre dhe të siguronte përgjithmonë mundësinë e rekrutimit të çetave”. Ajo që deduktojmë nga këto dokumente është se himarjotët ishin tejet pragmatistë, elastikë dhe mendjehapur ndaj realitetit praktik të jetës së përditshme, marrëveshjet e tyre ishin të qëndrueshme apo fluide, sa dhe siç i diktonte nevoja. Nuk ishin të lidhur pazgjidhshmërisht me asnjë pushtet politik dhe, siç duket, deklarimi i besimit ishte mjet në aleancat e tyre me botën përreth.
Në artikujt e këtyre ditëve lexuam shpesh se “kisha e Dhërmiut është kishë katolike e ritit ortodoks”. Kjo, në fakt, mbeti në fjalë, sepse në formë të dokumentuar, askush nuk solli ndonjë argument. Informacione mbi kohën, themeluesit dhe ndërtuesit e tempullit të Shën Athanasit, nuk kemi. I vetmi dokument që na mbërrin gjendet në botimin e Theofan Popës Mbishkrime kishtare në Shqipëri, fq. 297-298, dokumenti nr. 811, dhe është një mbishkrim në prothesis, vendi ku përgatitet buka dhe vera, para se të shndërrohen në Trup dhe Gjak të Krishtit. Mbishkrimi në greqisht thotë: “Ττἔττε, νἰκολὸ λεκας, δῆμὁ, θοδὄρα, νικολὂ, ττἔττε καὶ τον τέκνον αὐτὄν, γγἤνι, κὄκαλι. ΑΧΟΑ”, përkthyer në shqip: “Dedë, Nikolo Lekas, Dhimo, Thodhora, Nikolo, Dedë dhe të bijtë e tyre, Gjini, Kokali”. Katër germat e fundit janë data: 1671. Sipas Popës, me mendimin e të cilit bashkohemi, mbishkrimi i përket një periudhe të afërt me ndërtimin e tempullit. Personat që përmenden ndoshta janë dhe kontribuuesit më të mëdhenj në ndërtimin e tempullit, pasi është krejt normale që emrat e dhuruesve të vendosen në këtë pjesë të tempullit. Gjuha e shkrimit, siç duket qartë, është greqishtja. Siç ndodh në pjesën më të madhe të rasteve të ngjashëm, greqishtja e këtushme vuan shumë në këndvështrimin drejtshkrimor, çka tregon se kemi një shkrues, zakonisht, vetë piktori, i cili nuk e njeh mirë gjuhën. Këtu mbetet në fuqi tradita bizantine, e cila përdor greqishten si gjuhë të adhurimit në kishë, dhe si gjuhë të teksteve fetare, pasi për miletin e rumëve kjo është gjuha e ligjshme e lejuar nga Porta e Lartë. Pse ndodh që, në një kohë kur himarjotët janë konvertuar në katolikë dhe bazilianët janë aktivë në zonë, përdoret greqishtja si shkrim liturgjik? Siç thamë, për misionarët bazilianë ishte shqipja gjuhë e misionit, as latinishtja, as greqishtja, argument mbi të cilin mbështeten fort mëtuesit e katolicizmit të Himarës dhe të tempullit në fjalë.
Ndërkohë, tempulli i Shën Athanasit ndodhej në një fshat i cili sot i përket besimit ortodoks, ku nuk rezulton të ketë asnjë shpirt katolik. Tempulli ndodhet edhe mes 18 tempujsh të tjerë ortodoksë (sipas një dokumenti të AQSh, viti 1922), të cilët u përkasin shekujve të ndryshëm dhe janë shumë në numër, duke pasur parasysh hapësirën fizike që zë fshati i Dhërmiut. Kjo tregon se, me gjithë përpjekjet e misionit bazilian, në Himarë nuk arriti të ndërtohej një Kishë (bashkësi) e qëndrueshme katolike e ritit bizantin. Po ashtu, duke e parë nga ana e kundërt, nëse Shën Athanasi është tempull katolik, po të tjerët rreth e rrotull, ç’janë? Nëse e gjithë zona pohoi katolicizmin, të gjithë tempujt e tjerë duhet të jenë katolikë... Vetëm një fantazi e çartur apo një mendje e fortifikuar ndaj çdo argumenti të ndryshëm nga i veti mund të mbrojë teorinë e Shën Athanasit katolik.
Duke pasur parasysh sa më sipër, të pohosh se Himara është katolike, është një e vërtetë e nevojshme, e fabrikuar nën hijen e pushtetit që flet me majën e matrapikut, apo akademizmave që flasin nga podiume pupuliti, për të justifikuar arbitraren. Gjeti ku të varet shprehja se në këtë vend nuk udhëheq arsyeja, por forca, dhe kur forca ndjehet e kërcënuar, atëherë qeveris barbaria. Në fund, nga gjithë ky gërshet barbarie dhe budallallëku, i humburi më i madh është... Nilo Catalano.

Pas-historia

Në kohët e sotme, mosmarrëveshjet që ndanë dikur Kishën e Krishtit janë zgjidhur në nivel teologjik, duke hapur rrugën për bashkimin praktik të kishave dhe sheshimin e ndryshimeve. Ndërkohë, mes të krishterëve të Shqipërisë, këto ndryshime nuk kanë lënë shenja të thella, as kanë ngritur ndonjëherë pengesa që nuk lejojnë komunikimin mes komuniteteve. Duke shprehur hapur mes tyre frymën e bashkëpunimit, Kisha Katolike e Shqipërisë dhe Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë kanë nënshkruar edhe një marrëveshje, në të cilën përmendet specifikisht varrosja një herë e mirë e prozelitizmit mes kishave, marrëveshje e cila është nënshkruar edhe nga Komisioni Ndërkombëtar për Dialog Teologjik mes Kishës Katolike dhe Kishës Ortodokse më 1993, duke e konsideruar uniatizmin si të papërshtatshëm për kohët e sotshme. Ndërkohë, dëshirojmë të theksojmë se kjo dukuri, duke pasur dëshmitare historinë, nuk është nxitur kurrë nga ortodoksët e Shqipërisë, por këta kanë qenë vetëm objekt i prozelitizmit.
Kësisoj, në realitetin shqiptar, ngritja e një përmendoreje për nder të atë Nilo Catalano-s, për të kujtuar kontributin e tij në dobi të identitetit (në atë kohë ende në formim e sipër) shqiptar, do të ishte, mendojmë ne, vepër e përkrahur edhe nga të krishterët ortodoksë të Shqipërisë. Misionit të tij, aq sa lidhet me gjuhën dhe kulturën shqipe dhe të Shqipërisë, nuk i ndryshojmë asnjë presje, madje mbështesim pa asnjë hezitim gjithë sa janë thënë më parë nga të tjerë, por më shumë nga sivëllai i Catalano-s, arbëreshi Nilo Borgia (shih: Murgjit bazilianë të Italisë në Shqipëri. Shënime mbi misionet në Himarë: shek. XVI-XVIII, Tiranë, 2014). Mirëpo, emri dhe figura e tij nuk ishte nevoja të molepseshin me epitetet që u thanë dhe veprat fyese që u kryen ndaj ortodoksëve shqiptarë, apo me histori varresh, eshtrash dhe zhvarrosjesh. Në fund të fundit, Catalano ishte një jabanxhi në truallin shqiptar, i cili ka vend më shumë se për një varr të huaji.
Lexuam dje frazën sarkastike se “kisha e Shën Thanasit do të rilindë”. Sot, fatkeqësisht, pamë gërmadhat e mbetura, teksa tempulli ishte shembur natën. E padëgjuar kjo që nga koha e Diktaturës së Proletariatit. Si do të vijë rilindja, duke shtërzyer mbi rrënoja? Me çfarë fytyre? Me çfarë autoriteti dhe prej kujt? Nëse do të investojë shteti, si do të bëhet kjo, për sa kohë shteti është laik dhe taksapaguesit e tij duhet të miratojnë një veprim të tillë. Kurse trualli i tempullit është, ligjërisht, pronë e KOASh dhe, siç thotë ligji, prona është e paprekshme, pavarësisht e kujt. Nëse do të investohet nga ndonjë organizëm tjetër, përsëri, mbi cilën pronë dhe me miratimin e kujt? As përfaqësuesit lokalë, as pushteti qendror nuk i përmendën këto “çikërrima” ligjore! E kthyen Nilo Catalano-n, nga një simbol të gjuhës dhe kulturës, në një sinonim të arrogancës shtetërore dhe të shpërfilljes ligjore.
Për ortodoksët, Kisha janë besimtarët, jo tempulli, vendi ku mblidhen është tempulli, shtëpia e tyre shpirtërore. Kur cenohet tempulli i tyre, është cenuar jo garazhi, por shtëpia. Për Kishën tempulli nuk është me vlera vetëm atëherë kur u përgjigjet disa shijeve të caktuara estetike, apo moshës së mureve. Tempulli është vendi ku kryhen Sakramentet, të cilat, për ata që besojnë në to, janë të shenjta dhe të shtrenjta. Vallë, a nuk duhet t’i dijë këto katoliku i vërtetë? Matanë kësaj, dhunimi i objekteve fetare është dhunim i lirisë së njeriut për të jetuar i lirë, të drejta të cilat shteti dhe shoqëria ka detyrë t’i mbrojë. Ndërtim pa leje? Vërtetë, të ishte kjo arsyeja...?!

*Titulli origjinal: Nevoja për të vërtetën dhe e vërteta e nevojës

**Autori është i krishterë ortodoks

Comments

Submitted by Edion (not verified) on

Koli, si je? Vras mendjen se ç'do një emër i tipit Dedë (Domenico) në Himarën e vitit 1671! Nuk besoj se gjërat janë aq të prera me thikë sa ç'duan t'i bëjnë të duken ata që kanë lexuar një a shumë-shumë libra copë dy në gjithë jetën e tyre.

Submitted by Ilia2 (not verified) on

Mos e vrit mendjen aq shume!
Dhermiu i ka pranuar ata qe kane ardhur! edhe Dede, edhe Kole! Fatkeqesisht edhe Koke dhimat edhe Averbahet edhe te tjeret! Edhe Nilo edhe Neofit! Nuk e kishte ne program ti quante me pushke nba vrima e frengjise!

Submitted by Edion (not verified) on

Ti je nga ata që kanë lexuar libra copë një apo copë dy? Dhe pse fut hundët në një diskutim që po bëj online me një shokun tim?

Submitted by And (not verified) on

Shkrim shume interesant dhe i bazuar ne fakte. er kete kemi nevoje. Prishjet e tempujve te shpirtit me nje histori kaq te gjate jane mekat para perendise dhe ajo le te merret me ta! Hidherim i madh te besh nje akt te tille te papare.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.