Nga “Kurban” te manari – mesazhe përmes fotopolitikës

Postuar në 18 Gusht, 2015 13:06

Të gjithë biem dakord, madje kjo është pranuar edhe nga kundërshtarët që nuk dinë të thonë njëherë një fjalë të mirë, se Edi Rama, është ndër politikanët me aftësitë më të mëdha për marketing dhe publicitet. Si i tillë, kryeministri tregohet shumë skrupuloz në paraqitjen e çdo aktiviteti ku merr pjesë – dhe kjo duket edhe nga postimi i fotoalbumeve në Facebook. Mirëpo nga viti në vit, me ndryshimin e statusit politik, ndryshon natyrshëm edhe pozimi, skena dhe mesazhi. Një element të këtij “evolucioni”, ka nënvizuar Ardian Vehbiu në blogun e vet, “Peizazhe të Fjalës”(http://peizazhe.com/2015/08/17/mish-qingji/), kur bën krahasimin mes fotos së kopertinës në librin e Ramës, “Kurban” dhe fotos me qingj në krahë, gjatë përmbytjeve në Jug, dimrin që shkoi. Dallimi është jo pa rëndësi. “Shumë vjet kanë kaluar, që nga botimi i librit “Kurban”, që tërhoqi vëmendjen jo vetëm për shkak të autorit, as thjesht për çfarë thoshte (dhe çfarë nuk thoshte), por edhe për imazhin dramatik në kopertinë – të kokës së një qengji që do të therej, në mos ishte therur tashmë, për arsye skaramantike. Rama e pat zgjedhur vetë atë imazh atëherë, së bashku me autoren, Jutta Bezenberg dhe pat kuruar në detaj deri edhe ngjyrën e pikave të gjakut, me një kujdes jo aq prej shkrimtari dhe politikani, sa prej piktori dhe komunikuesi me anë imazhesh”, shkruan Vehbiu. Dhe kuptohen mesazhet e ilustrimit të kopertinës së atij libri.
Kur vihemi përballë Ramës me qingjin në krahë, detyrohesh të ndryshosh regjistër. Dhe vëzhgimi në këtë rast i bashkon mendimet në një vlerësim: “Rama paraqitet atje i fotografuar nga poshtë, si të ishte statujë; dhe duke mbajtur në krahë një qengj – çka i mëshon efektit paternalist, ose prej prindi, në imazhin e politikanit...Politikani si baba i kombit – ky parim paternalist ka dhënë prova se funksionon mirë në shoqërinë shqiptare...”, shton Vehbiu, që shton pasthënien: “Nuk dua të them se Rama vetë, me qëllim, kërkon ta paraqitë veten si Mesian e shqiptarëve – por vetëm që disa mekanizma leximi të imazheve veprojnë edhe përtej vullneteve individuale”.
Në fakt kryeministri e ka deklaruar disa herë se nuk do ta mbyllë jetën në politikë, ndaj qoftë edhe si deklamim publik, jemi larg ambicies për të qenë Mesia. Por foto si kjo me manarin në krahë, është “e porositur” dhe e kuruar prej stafit, çka në çdo rast konfirmon vetëm pafajësinë e qengjit që plotëson një autoportret të realizuar jo keq.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.