Shqiptarët që luftojnë në Siri nuk janë mercenarë

Është raportuar në vijimësi nga media lidhur me një numër shqiptarësh që janë bërë pjesë e luftës civile në Siri. Këta shqiptarë janë kualifikuar si mercenarë, por nuk ka prova, që ata të jenë mercenarë. Kush ka shkuar në atë luftë të përgjakshme, e ka bërë me shumë gjasë në cytjen e besimit fetar. Të gjithë ata pra janë besimtarë myslimanë, dhe ai që motivohet prej besimit, nuk mund të quhet mercenar. Në ‘Oxford Dictionary’ thuhet se “mercenar është ai që i vë vetes si qëllim të bëjë pará pa u bërë merak për norma e parime etike”, ose “ai që ushtron profesionin e ushtarit duke u shërbyer ushtrive të huaja”. Ky version i fundit është marrë si kuptim i parë i termit edhe nga ata që kanë hartuar ‘Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe’.
Pse e sjell për ju këtë përkufizim? E sjell, pasi në Kuvendin e Shqipërisë janë duke hartuar a shqyrtuar një projektligj, që synon penalizimin e të gjithë atyre që kanë shkuar, apo kanë ndërmend të shkojnë, të marrin pjesë në këtë luftë. Dhe janë duke përdorur fare pa të keq termin ‘mercenar’. Janë ata që e kanë përpiluar këtë projektligj që, të intervistuar nga Top-channel-i, flasin për mercenarizëm. Madje, flasin dhe për ‘mercenarizëm modern’, pa shpjeguar se çfarë kuptimi shtesë, apo të ndryshuar, merr mercenarizmi në rastin që është modern. Por si zor që të ketë ndonjë gjë për të shpjeguar, pasi mercenarizmi është ai që ka qenë dhe ai që do të jetë.
Ne mund t’i marrim me mend motivimet e deputetëve në këtë nismë (në themel të kësaj nisme duhet të jetë një si sëkëlldi patriotike; “shqiptarët janë europianë e nuk ka pse të shkojnë nëpër luftra nën cytje fetare, si të ishin në shekullin e XI a XII” – kjo është ajo që duhet të kenë menduar deputetët), madje edhe mund ta mirëkuptojmë këtë gjest (gjendet një raison d’être që e sjell këtë mirëkuptim), por deputetët duhet të jenë më të sinqertë në këtë histori. Shqiptarët e Sirisë nuk janë mercenarë. Janë ç’të duan, por jo mercenarë. Madje, janë bash e kundërta e mercenarëve.
Post Scriptum: Përsa i takon thelbit të çështjes, duhet thënë se ka një ngutje në këtë mes. Nuk besoj se një shqetësim i tillë (ka vend për t’u shqetësuar?) mund të zgjidhet me ligje. Kjo që po ndodh është një arsye për të folur e diskutuar, e për të përfshirë në këtë debat komunitetin mysliman (siç është përfshirë në një farë mënyre e mase), por nuk besoj se është vendi e rasti për të bërë ligje.
Dita
Add new comment