KLD-ja është problemi? Jo, është thjesht një problem

Postuar në 08 Prill, 2014 05:24

Para disa ditësh pata një takim me një gazetar zviceran, që kish ardhur të shkruante diçka për Shqipërinë, dhe takimet që kish bërë në Tiranë e kishin bindur se reformat e nevojshme në këtë vend janë të pamundura për shkak të rezistencës që bëjnë institucionet reaksionare. Me fjalë të tjera, reformat janë shumë të nevojshme, ngaqë institucionet janë të korruptuara, por janë këto të fundit që bëjnë çmos, duke u mbrojtur e duke vepruar me statusin e institucioneve të pavarura e kushtetuese, për të penguar realizimin e reformave. Dhe në këtë bisedë e sipër më përmendi KLD-në.

Po KLD-në përmend dhe Joshua Rozenberg, një britanik që ka qenë në Tiraë për të marrë pjesë në një forum mbi drejtësinë (shih linkun http://gazeta-shqip.com/lajme/2014/04/08/gjyqtaret-e-papreks.... Takimet që ka pasur në Tiranë dhe informacioni që ka marrë e kanë bërë të ikë nga ky vend me idenë se sëmundja e sistemit të drejtësisë e ka emrin KLD-në. “Një herë rë vetme [në këtë botë], politikanët shqiptarë nuk janë problemi”, shkruan ai në një artikull. Problemi është, sipas tij, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, i cili “është përgjegjës për punësimin, trajnimin, promovimin, disiplinimin e shkarkimin e gjyqtarëve”.

Është e vërtetë që KLD-ja është problemi? E thënë kështu, nuk duket se është e vërtetë. KLD-ja është një problem, por jo problemi. Por këtu është vendi për të thënë dy gjëra. Së pari, nuk është se KLD-ja është bërë problem sot. KLD-ja ka qenë gjithnjë një problem. Madje, në rrethana të tjera ka qenë më i madh se sa sot. Në ditët e sotme, fjala vjen, nuk ka emërime në sistemin e drejtësisë në këmbim të parave, gjë që ka qenë praktikë punë deri para ca kohësh; dhe këtë më mirë se të gjithë e dinë vetë gjyqtarët. Dhe kjo është një arritje e madhe, s’ka gjë se kjo nuk mjafton e se kjo nuk na bën të themi se KLD-ja nuk është problem. Është problem që ç’ke me të për arsye të tjera po kaq të rëndësishme. Së dyti, nuk duhen dëgjuar ata këshilltarë të këqinj që kanë zënë të pëshpërisin si me pafajësi e naivitet idenë e “ndërhyrjeve brutale” në sistemin që nuk funksionon, dhe me “ndërhyrje brutale’ nënkuptojnë dhe ndërhyrje që bien ndesh me kushtetutën apo me ligjet. Mund të jetë e vërtetë se institucionet aktuale janë pengesë për një numër reformash (Berisha i ka ngritur këto institucione me merakun e strategjinë për t’i patur të vetat), dhe ky fakt i bën këto institucione të paefektshme, ndoshta dhe të rrezikshme. Por është më e rrezikshme, sipas meje, të rrëzosh e të çbësh në rrugë jo kushtetuese institucione “të gabuara” të ndërtuara në rrugë kushtetuese (Berisha i ka ngritur me logjikë të mbrapshtë institucionet, por këtë e ka bërë pa e dhunuar kushtetutën). Nuk mendoni edhe ju se është më i gabuar një institucion “i drejtë” i ndërtuar në rrugë të gabuar se sa një institucion “i gabuar” i ndërtuar në rrugë të drejtë? Unë, po. Institucioni i gabuar e ka një fund. Ndërsa rruga e gabuar krijon një precedent, dhe precedenti është vetëm fillimi.

Zgjidhja është: Të pritet fundi natyral i mandateve kushtetutuese të krerëve, apo anëtarëve, të këtyre institucioneve. Një, dy a tre vjet në krye a në brendësi të institucioneve i një, dy a tre vetëve që e kanë në mendje t’i shërbejnë padronit të tyre politik janë veç një alibi e një maxhorance që s’ka vullnetin për të bërë reforma, e jo një pengesë në rrugën e reformave. Një maxhorancë mund ta mundë, neutralizojë a shkurajojë me shembullin e me entusiazmin e vet vullnetin e mbrapshtë të kytyre “një, dy a tre …”. Le ta demonstrojë këtë shembull e këtë entusiazëm për të bërë gjëra të mira në këtë vend, dhe do ta shohë se këta “një, dy a tre ..” kanë për të qenë gjithnjë e më të ndrojtur në rezistencën e tyre për të penguar e në gatishmërinë e tyre për t’i shërbyer padronit të tyre politik.

Comments

Submitted by reformer (not verified) on

<p>jam dakord me gjithcka qe paraqet dhe mbron autori, me perjashtim te fjales : te pritet. Nuk mund te presim Duhet bere cdo gje qe eshte e mundur dhe e lejueshme brenda kufijve te ligjit dhe te kushtetutes, duke ushtruar nje presion te forte publik, mediatik dhe madje edhe politik mbi ato institucione konservatore qe duan te frenojne ose te dekurajojne reformimin.</p>

Submitted by Delli USA (not verified) on

<p>Lere censuren Muc,ballafaqohu me komentet,ky stan kete bulmet ka deri sa ke hapur nje gazet online&nbsp;per publikun.</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.