Grekët e pabesë, turq anadollakë, shkjau i urryer, shqiptarët e egër…

Postuar në 10 Mars, 2014 14:54

Diskutimi mbi marrëveshjet dy palëshe të Shqipërisë me vendet fqinjë e të rajonit për rishikimin e teskteve të historive që studjohen nëpër shkolla është rindezur nga lajmi se “edhe grekët kanë kërkuar të njëjtën gjë”. Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla ka qenë për një vizitë në Athinë, dhe aty i ka dhënë ok-in kërkesës së palës greke për të rishikuar disa tekste të historisë. Është fjala për ato pasazhe të këtyre teksteve, ku flitet për raportin mes dy kombeve tona gjatë historisë. Dhe kështu, Greqia (nëse ky lajm është i vërtetë) bëhet vendi i dytë, me të cilin bihet dakord mbi këtë argument. Vendi i parë është Turqia. U bë një zhurmë e madhe në mediat shqiptare në momentin që nga pala turke, në kuadër të këtij diskutimi, erdhi dhe kërkesa konkrete për të mos i kualifikuar otomanët si pushtues në periudhën që fillon me shekullin XIV e që mbyllet me shekullin XX.

Duhet thënë se një pjesë e kësaj zhurme është irracionale. Kjo përpjekje në thelb është e drejtë. Tekstet e historisë që studjohen nëpër shkollat tona (kuptohet, edhe në shkollat e Turqisë, Greqisë, etj) duhen riparë me synimin për të hequr prej tyre formulime raciste, nacionaliste, luftënxitëse. Çështja nuk është të mos flitet për historinë ashtu si ka ndodhur e ashtu si ka qenë, pasi kështu do t’i binte që në shkolla të mos studjohej më historia, por një version i trukuar i saj, dmth një rrenë. Çështja është që në tekstet e historisë të thuhen faktet, të bëhen dhe interpretimet, por pa gjuhë urrejtjeje e pa formulime përbuzëse. Në këtë kuptim, otomanët do të quhen pushtues, dhe ky përfundim nuk mund të çbëhet as prej rigjetjes së telave mes nesh e turqëve në kohët e sotme, as prej faktit që shqiptarët atëbotë nuk është se kanë dhënë prova se “mezi e kanë duruar këtë pushtues”. E thonë tekstet tona këtë të fundit? Po që kemi luftuar në ndonjë rast kundër fqinjëve në të mirë, e në krah, të otomanëve, e thonë?

Në këtë mes nuk ka nevojë të bëhet ndonjë shpikje. Mjafton të lexosh tekstet shkollore të historisë në vendet e emancipuara, dhe e kupton se për ç’prirje e për ç’praktikë bëhet fjalë. Në ato tekste nuk është fshehur e vërteta. Absolutisht jo. Në to thjesht mungon gjuha e urrejtjes. Historia nuk është trakt luftarak e propagandistik, e prandaj gjuha e urrejtjes nuk është hiç e nevojshme për ta shkruar atë. Në këtë kuptim, në tekstet tona mund e duhen thënë të gjitha të vërtetat (kjo po, që është e nevojshme), por duhet të heqim dorë nga emërtime të tilla, si “grekët e pabesë”, “turqit anadollakë”, “shkjau i urryer”, apo – kjo vlen për të tjerët – “shqiptarët e egër”.  Ku është e keqja e rishikimit të teksteve të historisë, atëherë?

 

Dita

Comments

Submitted by Kujtim (not verified) on

<p>Analist politik, sociolog, historian, shkrimtar, eseist, seksolog, etimiolog, njohes e kritik arti, poliglot je o Muci. Kompletoje qenien tende poliedrike me komente mbi sportin dhe astrofiziken, shmang sa me larg profesionin e diplomen tende, dhe do te mbetesh i paharuar kur te....</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.