Gazetat: Vritet drejtori i CEZ-it që ka qenë me precedentë penalë!!!

Ishte 47 vjeç. Quhej Viktor Skeja. Them ‘ishte’ e ‘quhej’, ngaqë qysh dje nuk jeton më. E ekzekutuan në stil mafioz teksa ishte duke dalë nga shtëpia e vet, a shtëpia e një miku. Ishte në makinën e tij ‘Audi’, të cilën ia bënë shoshë me plumba, dhe dy a tre nga 11 plumbat që u shtinë në drejtim të tij i sollën vdekjen.
Ky krim i shëmtuar ishte, me të drejtë, një nga lajmet kryesore të ditës së djeshme. Dikujt iu ndërpre jeta në mes, dhe ky fakt është mjaft për ta parë ngjarjen si një lajm të rëndësishëm të ditës. Por edhe sikur të mos ishte mjaft, lajmi do na tërhiqte vëmendjen edhe për shkaqe të tjera. Së pari, është lloji i krimit (vrasje në mes të ditës, me kallashnikov, më saktë me breshëri, në një zonë të populluar) që nuk të lë indiferent. Së dyti, është dhe fabula e gjithë ngjarjes, që pati për finale gjakderdhjen në rrugën ‘Riza Cerova’, pranë Shkollës së Kuqe. Kjo fabulë është një copëz autentike e historisë së Shqipërisë në 20 vitet e fundit, së karakterizuar nga një përzjerje e bandave dhe e krimit me politikën legale e institucionale. Ja thelbi i fabulës: “Viktor Skeja ka qenë i dyshuar për një vrasje në vitin 2006, por këto dyshime nuk u provuan asnjëherë. Ai ka qenë i dyshuar edhe për një krim tjetër (Mapo nuk e specifikon llojin e krimit), por edhe në këtë rast dyshimet kanë mbetur dyshime. Panorama citon burime të grupit hetimor që të kenë thënë se “Skeja ka patur konflikte të mbartura qysh nga kohët kur ka qenë në Itali, por edhe me persona të tjerë në Laç për çështje të trafikut të drogës jashtë Shqipërisë”. Për këtë arsye, Skeja ishte nën hetim nga drejtësia italiane. Atij i kishin bërë një herë një atentat në shtator të vitit të shkuar, në mjediset e një kazinoje, por ai kish qenë me fat në atë rrethanë. Plumbat nuk e zunë. Dhe pavarësisht namit e jetës së tij jo fort engjëllore, Viktor Skeja emërohet një ditë prej ditësh drejtor i CEZ-it në Laç.”
Dhe gazetarët janë familjarizuar aq shumë me fabula të tilla, sa e raportojnë fare pa të keq, në mënyrë krejt neutrale, si të jenë duke raportuar mbi motin. Me këtë ton të ftohtë e neutral flitej në të gjitha gazetat e sotme edhe për faktin që “Skeja ka qenë me precedentë penalë”, edhe për faktin tjetër që “Skeja ka qenë drejtor i CEZ-it në Laç”. Të gjitha gazetat pra bënin sikur nuk kishin vënë re asgjë të çuditshme në kombinimin e këtyre dy fakteve.
Add new comment