Blloku Bota
Rusia po përpiqet të gëlltisë Bjellorusinë
Presidenti lituanez, Gitanas Nauseda ka deklaruar gjatë samitit të fundit të NATO-s, se Rusia po përpqiet të gëlltisë Bjellorusinë.
Bjellorusia po humbet elementët e fundit të pavarësisë dhe këto prirje janë shumë të rrezikshme. Do të prisja që presidenti amerikan Biden të dërgojë një mesazh të qartë rreth vendosmërisë dhe unitetit të NATO-s dhe se do të reagojë me mesazhe shumë të qarta për atë që po ndodh
Bashkë për të larguar Netanjahun, një qeveri e brishtë merr drejtimin e Izraelit
Parlamenti izraelit i dha sot votëbesimin një qeverie të re koalicioni, duke shënuar kështu largimin e Benjamin Netanjahut pas më shumë se një dekade në drejtimin e vendit. Megjithëse me mbështetjen minimale të Parlamentit (60 pro, 59 kundër dhe 1 abstenim), qeveria e re e kryeministrit Naftali Bennett merr detyrën.
Yair Lapid (aktualisht ministër i Jashtëm), një lider centrist, do të zërë vendin e z. Bennett pas dy vitesh, nëse qeveria e dy aleatëve do të qëndrojë në këmbë deri atëherë.
Përplasje ligjore mes BE-së dhe Gjermanisë
Komisioni Evropian ka ndërmarrë hapa ligjorë ndaj Gjermanisë, pas një vendimi që ka dhënë Kushtetuesja në këtë vend në lidhje me blerjen e bonove. Në maj të vitit 2020, gjykata më e lartë e Gjermanisë, me seli në Karlsruhe, vendosi që Banka Qendrore Evropiane (BQE) kishte tejkaluar kompetencat së saj me blerjet e bonove.
Por Gjykata Evropiane e Drejtësisë ndërkohë i kishte hapur dritën jeshile blerjes së bonove nga BQE-ja, pasi kishte dalë në përfundimin se programi i blerjes së obligacioneve të BQE ishte në përputhje me ligjin e BE.
Raporti/Mesdheu po bëhet det tropikal
Një raport i World Wide Fund for Nature paralajmëron se Mesdheu po shkon drejt shndërrimit në një det tropikal. Temperaturat në detin ku hyn edhe vendi ynë po rriten 20% më shpejt sesa mesatarja botërore çka ka sjellë për pasojë e ndryshimin e regjimit migrator të peshqve. Barrakuda p.sh, një peshk i Mesdhut jugor ka lëvizjr drejt veriut, ndërkohë që nga Kanali i Suezit kanë hyrë 1000 specie invazive që kanë zëvendësuar speciet origjinale.
Kina i kundërpërgjigjet G7-s: Botën nuk mund ta sundojnë grupe të vogla
Ndërsa liderët e G7-s po përpiqen të arrijnë në një qasje të unifikuar ndaj Kinës, kjo e fundit kundërpërgjigjet. Pekini ka zgjedhur zëdhënësin e ambasadës kineze në Londër, për t’iu përgjigjur krerëve të 7 ekonomive më të mëdha të botës.
Pulitzer vlerëson autoren e videos së vdekjes së George Floyd
Bordi i çmimit kryesor për gazetarinë në SHBA, Pulitzer, ka vlerësuar këtë vit një adoleshente amerikane, Darnella Frazier, e cila filmoi me celularin e vet arrestimin dhe mandej vdekjen e George Floyd, amerikanit me ngjyrë që provokoi aq shumë reagime. Bordi ka cituar në mënyrë të posaçme adoleshenten Frazier duke shënuar kështu një rast shumë të rrallë që një juri e specializuar njeh meritat e dikujt pa formim gazetaresk dhe që nuk e ushtron profesionin.
Po i drejtohemi një pike të moskthimit
Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres ka paralajmëruar vendet e pasura se po humbasin atë që ai e quajti një “mundësi të pafalshme” për të adresuar krizën klimaterike. Guterres ka folur për “The Guardian” pak para takimit të samitit të G7 duke theksuar se megjithë pandeminë e CoVid-19, vendet e pasura kanë investuar miliarda dollarë më shumë në industrinë e hidrokarbureve sesa në energjinë e pastër, shenjë kjo e qartë për drejtimin e botës.
Serbia ndryshon Kushtetutën, Kosova nuk lëviz nga Preambula
Kosova do të mbetet në premumbëln e Kushtetutës së Serbisë që pritet të ndryshojë në kuadër të atij që quhet si Plani i Veprimit për Kapitullin 23. Lajmi është bërë i ditur nga ministrja serbe e Drejtësisë, Maja Popoviç gjatë një interviste në Tv Prva ku ajo ka folur për krijimin e një sistemi të sigurisë juridike.
Betonizohet edhe Akropoli
Në Greqi, një ndërhyrje e re në zonën e Akropolit është pritur me shqetësim nga një pjesë e admiruesve të kulturës helene. Fjala është për një rrugicë të shtruar me beton, e cila supozohet t’ua bëjë më të lehtë kalimin personave me aftësi të kufizuara. Por nuk mjafton vetëm rrugica që zbret përgjatë kodrës.
Sindroma e Havanës, përgjim që gjeneroi një armë të re?
E ashtuquajtura sindroma e Havanës mund të jetë pasojë e përpjekjes për të mbledhur informacion nga pajisjet elektronike të punonjësve të qeverisë amerikane. Së fundmi, nën administratën Biden, inteligjenca amerikane ka hetuar intensivisht, por nuk ka arritur të shpjegojë dëmtimet e trurit të diplomatëve dhe zyrtarëve të tjerë brenda dhe jashtë vendit.
Brenda radhëve të punonjësve të inteligjencës nuk ka konsensus lidhur me "teknikën, qëllimin, kush është në shënjestër dhe atë që mund të ketë qenë thjesht një rastësi".
