PD nxjerr dokumentet: Thellohet skandali, drejtoresha e Veliajt detyroi specialisten të firmosë korrupsionin EAG

Postuar në 20 Dhjetor, 2014 11:46

“Skandali me kompaninë EAG po thellohet çdo ditë me faktet e reja që po dalin në dritë”. Kështu u shpreh të shtunën në një konferencë për shtypin, deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi. Sipas saj kompania EAG po pasurohet me bekimin e qeverisë. “Drejtoresha e Erion Veliajt ka detyruar specialisten e prokurimit me presione dhe kërcënime që të firmosë proçedurën e paligjshme sepse paratë i duheshin kaluar me çdo kusht kompanisë EAG. Drejtuesja e agjencisë për mbrojtjen e fëmijëve që varet nga Erion Veliaj ka vendosur t’i kalojë plot 25 milionë lekë firmës me një tender fiktiv, pasi fituesja ishte shpallur ndërkohë dhe produkti ekzistonte. Pra thjeshtë duheshin sajuar letrat që kompania të merrte nga Erion Veliaj 25 milionë lekë”, tha Vokshi. Nga ana tjetër sipas deputetes së PD-së, “specialistja e prokurimit Luiza Gjonaj e ka kundërshtuar drejtoreshën duke thënë se kjo proçedurë është e paligjshme. Por Ina Verzivolli ka insistuar dhe shantazhuar specialisten deri në largim nga puna në rast se nuk do t’i firmoste paratë që do të shkonin për EAG”, ka thënë më tej Vokshi. Gjithashtu u shpreh se nuk ka pasur asnjë reagim nga ana e kryeministrit dhe ministrit Erion Veliaj lidhur me këtë rast korruptiv, pasi kjo kompani po bekohet nga qeveria duke përfituar në kurriz të taksave të qytetarëve.

 

l.v

Comments

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.