Eurodeputetët japin “sihariqin”. Opozita dhe shumica janë dakord të votojnë rezolutën e “pajtimit”

Ndërmjetësimi ndërkombëtar “pajtoi” më në fund dy forcat politike më të mëdha në vend. Drafti i propozuar nga dy të deleguarit e Parlamentit Europian për kthimin e opozitës në Kuvend, Eduard Kukan dhe Knut Fleckenstein tashmë është në tryezën e demokratëve e socialistëve dhe ka marrë dakordësinë e tyre për t’u votuar në formën e një rezolute parlamentare.
Pas negociatave disa ditore me liderët e politikës shqiptare, dy eurodeputetët kanë dalë këtë të martë me një deklaratë të përbashkët në lidhje me ecurinë e bisedimeve. Ata vunë përpara përgjegjësisë të dyja forcat politike më të mëdha në vend, për të zhvilluar dialogun politik në Kuvend, ndërsa kërkuan konfirmimin e marrëveshjes së tyre në formën e rezolutës.
Nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla i cili shprehu gatishmërinë për ta përkthyer në një rezolutë të Kuvendit tonë marrëveshjen e propozuar nga PE. Balla ftoi opozitën që të jetë e pranishmë në seancën e së mërkurës, që është edhe e fundit për këtë sesion parlamentar, për ta votuar bashkarisht. Fakti që dokumenti do të ketë formën e rezolute dhe jo “marrëveshjeje”, duket se e bën elastike pikën ku opozita kërkon që mazhoranca t’i përdorë 84 votat vetëm me konsensusin e saj.
a.k
Add new comment