Falja e kamatave të sigurimeve, vetëm një pjesë e emigrantëve përfiton

“Gazeta Shqiptare” bën me dije se nga amnistia e kamatëvonesave mund të përfitojnë vetëm ata emigrantë, të cilët kanë qenë të vetëpunësuar në bujqësi dhe jo pjesa tjetër. Burime të kësaj të përditshmeje konfirmojnë zyrtarë të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Ata thonë se: “Emigrantët e tjerë nuk klasifikohen në ndonjë kategori të veçantë e për pasojë nuk mund të përfitojnë nga falja e kamatëvonesave. Ata mund të paguajnë kontributet e sigurimeve shoqërore, që janë të vlefshme për vitet e pensionit si të gjithë të vetëpunësuarit e tjerë në vendin tonë”. Prej fillimit të muajit nëntor, qeveria vendosi faljen e kamatëvonesave të kontributeve të sigurimeve shoqërore për të vetëpunësuarit në bujqësi, ndërkohë që në daljen publike pas miratimit të vendimit, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj tha se prej tij mund të përfitonin dhe emigrantët. Ai shtoi gjithashtu se ishte zgjedhur enkas periudha e fundvitit, që njihet për kthimin e tyre me rastin e festave. Falja e kamatëvonesave të sigurimeve shoqërore për fermerët do të jetë në fuqi deri në datën 31 dhjetor 2014.
l.v
http://www.balkanweb.com/site/falja-e-kamatave-te-sigurimve-ja-cilet-emigrante-perfitojne/
Add new comment