Gati projektligji i qeverisë për hapjen e dosjeve. Shqyrtimi do të nisë në Kuvend me fillimin e sesionit të ri

Qeveria ka gati projektligjin e shumë debatuar atë të hapjes së dosjeve. Ky projektligji do të nisë të shqyrtohet në Kuvend me fillimin e sesionit të ri parlamentar në janar. Ministri Erjon Veliaj tha pas mbledhjes së qeverisë se drafti është gati. Procesi do të bëhet nga Autoriteti i Informimit Publik të të dhënave të sigurimit, që do të ketë në përbërje 5 anëtarë dhe do të jetë strukturë në varësi të Parlamentit. Shqipëria në këtë proces do të ndjekë modelin gjerman. Drafti merr parasysh vendimet e Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje dhe është në respekt të plotë të parimeve të Komisionit të Venecias, tha ministri Veliaj. Qeveria harton këtë projektligj në një moment kur shoqëria civile, e mbështetur edhe nga deputetë të opozitës, kanë depozituar një tjetër në Kuvend. Qeveria përmes këtij drafti thotë se nuk do të ketë dënime kolektive, e shpallur kjo si antikushtetuese nga gjykata. Shqipëria, që është e fundit në këtë proces nga vendet e Lindjes, me këtë tentativë që nuk është e para beson se do t’i japë fund njëherë e mirë këtij procesi që ka shërbyer më së shumti për të shantazhuar kundërshtarët në të kaluarën, siç tha ministri Veliaj.
l.v
Add new comment