“Ligjin për Gjykatën e Lartë është antikushtetues”. Presidenti Nishani e kthen në Kuvend

Postuar në 09 Janar, 2015 09:11

Presidenti Nishani ka kthyer sot ndryshimet në ligjin për Gjykatën e Lartë. Në këtë mënyrë shënohet një tjetër përplasje me mazhorancën. Nishani e ka cilësuar antikushtetues miratimin e këtij ligji vetëm me votat e mazhorancës. Presidenti sqaron se grupi i deputetëve propozues ka justifikuar propozimin për ndryshimet ligjore, me arsyen se objektivi për të normuar sa më saktë dhe ekuivoke këtë proces të rëndësishëm, rezulton të mos jetë përmbushur plotësisht dhe se konkretisht nga koha e miratimit të ligjit nr. 151/2013 e deri më sot, në 5 raste, procesi i konsultimit mes Presidentit të Republikës dhe Kuvendit, edhe pas ndryshimeve ligjore më të fundit nuk ishte konstruktiv referuar të shkuarës. “Grupi i deputetëve në relacion i referohet dhe progresraportit më të fundit lidhur me vendet e paplotësuara në Gjykatën e Lartë, si rezultat i rrëzimit të dekreteve presidenciale për emërimin e tre anëtarëve të saj. Në vijim të kësaj, deputetët propozues kanë propozuar ato ndryshime ligjore me qëllim që të përforcojnë rolin e kritereve objektive dhe shtesë në përzgjedhjen e kandidaturave për t’u emëruar në detyrën e anëtarit të Gjykatës së Lartë, si dhe të shmangë në maksimum ndikimet e mundshme politike, duke parashikuar një trupë këshillimore pranë Presidentit të Republikës siç është Këshilli për Emërimet në Gjykatën e Lartë, përveç ndërhyrjeve të karakterit parimor dhe teknik, që synojnë rritjen dhe forcimin e kritereve objektive që do të duhet të plotësohen nga ana e kandidaturave potenciale për Gjykatën e Lartë”, thuhet në shpjegimin që shoqëron dekretin e kreut të shtetit. “Konstatoj se edhe në këtë rast ashtu si edhe në tre ligjet në fushën e drejtësisë të miratuara nga Kuvendi në muajin korrik të këtij viti, iniciativa është e përshpejtuar dhe jo e konsultuar paraprakisht herët në kohë nga Euralius, OSBE dhe për më tepër Komisioni i Venecias. Progresraporti thotë qartë se reforma në Gjykatën e Lartë duhet të paraprihet nga ndryshimet kushtetuese dhe për më tepër është i nevojshëm një rishikim gjithëpërfshirës i kuadrit legjislativ të zbatueshëm”, ka shpjeguar Presidenti në arsyetimin tij.

 

l.v

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.