Isa Mustafa: Trepça pronë e Kosovës, do vlerësohet nëse shteti duhet të jetë menaxher i saj

Problemet me Trepçen vazhdojnë të trazojnë ujrat. Kryeministri Isa Mustafa përmes një statusi në profilin e tij në Facebook, ka thënë për Trepçën se ky gjigant ekonomik i Kosovës vlen të vlerësohet pasi të jetë kompletuar një strategji e veçantë, nëse shteti duhet të jetë menaxher i saj apo vetëm pronar i pasurive nëntokësore. Mustafa thotë se deri më tani, është vërtetuar se shteti ka dështuar të jetë menaxher i atyre firmave të cilat nuk prodhojnë produkte që janë në interes të publikut dhe ku zbatohet ekonomia e shkallës. Ai tha gjithashtu se e vlerëson të nevojshme të sqarojë se ka paqartësi te vendorët por edhe te ndërkombëtarët lidhur me ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Ndërmarrjet Publike. “Është propozuar që Trepça të rregullohet me Ligj të veçantë. Me ligjet në fuqi të gjitha pasuritë minerare nëntokësore janë pronë e shtetit, kurse në forma të tjera të pronësisë (private, publike dhe ato që kanë mbetur shoqërore) janë ato sipërfaqësore. Prandaj është shumë e qartë se pasuritë minerare të Trepçës janë pronë e shtetit të Kosovës, për të cilat shfrytëzuesit i paguajnë shtetit një taksë të veçantë”, ka thënë Mustafa.
l.v
Add new comment