Luftë pallatesh mes Bashkisë së Tiranës dhe qeverisë. Padi dhe akuza...

Postuar në 28 Janar, 2015 09:08

Ekonomia e vetme në Tiranë duket se janë pallatet. Më mirë sesa te numri i tyre, kjo mund të vihet re te lufta politike që zhvillohet mes Bashkisë dhe qeverisë, që edhe në rastin e fundit lidhet me një pallat. Sot Artan Lame dhe Artan Shkreli, dy protagonistë të asaj që quhet “trashëgimia e Tiranës” kanë dalë në një konferencë për shtyp, përmes së cilës kanë denoncuar ndërtimin e një pallati në rrugën e Elbasanit. “Në muajt e fundit të kësaj qeverisje të qytetit Bashkia e Tiranës me kryetarin e saj po japin lejet e ikjes. Do të konsideroja të gjitha ato që po ndodhin në kryeqytet këto ditë si leje ikjeje. Është një situatë e njëjtë me atë të muajve prill, maj, qershor të vitit 2013 kur qeveria “Berisha” në ikje dha të gjitha koncensionet e fundit, firmosi gjithçka ç’mund të bënte përpara ikjes. A ka vend për të përdorur politikën, a ka vend për të thënë a mund të ndërtohen pallate midis dy shkollave dhe pastaj flasim për politikë”, tha Lame. Lidhur me këtë çështje, para disa ditësh gazeta “Dita” botonte një reagim të pronarëve të pallatit, që pretendonin se leja është konform rregullave dhe se bëhet fjalë për 9 kate dhe jo 11. Një pretendim ky që nuk u përgënjeshtrua nga qeveria që ka nxitur një konflikt me bashkinë në këtë drejtim, me siguri në funksion të zgjedhjeve lokale që po vijnë(http://www.gazetadita.al/varreja-mbi-mize-e-qeverise-per-bas...). Që e gjitha kjo është politike mund të kuptohet nga reagimi i Bashkisë së Tiranës që sot ka depozituar një padi për ministrin e Mirëqenies Sociale, Erjon Veliaj. Akuza? Ndërtim pa leje në rrugën e Kavajës. Vetë ministria thotë se ndërtimi i “përket taksapaguesve shqiptarë”, por pa thënë nëse ka leje apo jo. Basha dhe Veliaj janë emra të përfolur si kandidatë në Tiranë dhe kjo lloj mësymjeje me çështje pallatesh është në stilin e njohur të fushatave elektorale në Shqipëri që nis me akuza, vijon me shirita inaugurimesh dhe postera HD dhe mbyllet me yçkëla komisionerësh.
s.z

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.