Donald Lu: SHBA-të mbështetje Shqipërisë në forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve hetimore dhe pavarësisë institucionale

Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla priti sot ambasadorin e ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu. Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka dhënë një ndihmesë shumë të rëndësishme në forcimin e kapaciteteve hetimore dhe në rritjen e pavarësisë institucionale, u shpreh Llalla. Gjatë diskutimit, Llalla i bëri një prezantim të përgjithshëm diplomatit amerikan mbi projektet e asistencës së projektit OPDAT, të cilat nisin me kontributin për ngritjen e Gjykatës dhe Prokurorisë për Krime të Rënda, duke vijuar më tej me hartimin e kuadrit ligjor dhe ngritjen e Njësive të Përbashkëta Hetimore. “Falë kontributit të ekspertëve amerikanë, Prokuroria për Krime të Rënda dhe njësitë antikorrupsion janë dy ndër strukturat më të rëndësishme dhe më frytdhënëse në prokurorinë shqiptare”, u shpreh Llalla. Po sipas ATSH, në vijim të takimit, Prokurori i Përgjithshëm dhe Ambasadori i SHBA diskutuan mbi forcimin e luftës së autoriteteve ligjzbatuese shqiptare kundër krimit të organizuar, kriminalitetit transnacional dhe korrupsionit. Ambasadori Lu garantoi se qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të vijojë të mbështesë me projekte dhe trajnime prokurorinë shqiptare për forcimin e kapaciteteve hetimore dhe institucionale.
l.v
Add new comment