Kontrolli shëndetësor bazë merret me konçesion 10-vjeçar. Dyshime për tenderin e fituar nga "Marketing&Distribution”

Raportimi i Tv Klan dhe dyshimi për tenderin
***
Një kompani që importon dhe tregëton cigare, pije alkolike, produkte shtëpiake si dhe paisje për zyra e kancelari është shpallur fituese në tenderin e zhvilluar për realizimin e projektit për kontrollin shëndetësor bazë për grupmoshat nga 40-65 vjeç. Tv Klan raporton se firma në fjalë është në pronësi të Vilma Nushit dhe nuk ka asnjë eksperiencë në fushën e shëndetësisë, ndërsa hedh hije të forta dyshimi mbi mënyrën si është fituar tenderi prej 730 milionë lekësh. Sipas këtij raportimi “Marketing&Distribution” fitoi tenderin e shpallur nga Ministria e Shendetesisë ku ofroi 730 milionë lekë ndonëse në kriteret e vlerësimit çmimi vlerësohej me 45 pikë dhe oferta e saj nuk ishte më e ulëta. Një tjetër kompani ofroi rreth 617 million lekë. Në dokumentin e Agjencisë së Prokurimit Publik për këtë konçesion “Marketing & Distribution” nuk është e vetme. Ajo është bashkë me “Trimed” shpk. Një kompani që në procedurën e tenderit nuk paraqitet si pjesëmarrëse dhe që duket se është shtuar më pas, gjë që bie në kundërshtim me ligjin. Sipas Tv Klan shkelje do të ishte edhe nëse “Trimed” do të kishte marrë pjesë e vetme në tender. 5 0% të aksioneve të saj i ka Vilma Nushi, aksionerja e plotë e “Marketing & Distribution” ndërsa ligji ndalon konkurimin në një tender të dy kompanive me pronësi të njëjtë.
Reagimi i ministrisë
Ministria e Shëndetësisë reagoi përmes një emaili ku mbron idenë se ky partneritet është fuqizim i aseteve publike dhe kurrësesi i ngjashëm me privatizimet e dikurshme “me një të rënë të lapsit”. Ajo sqaron se përsa i përket proçedurave të prokurimit ato janë kryer tërësisht në përputhje me dispozitat e ligjit “Për konçesionet dhe partneritetin publik, privat,” dhe në zbatim të plotë të parimeve të transparencës me publikun duke shfrytëzuar mjetet e prokurimit elektronik online pranë APP-së.
I kontaktuar nga ResPublica, këshilltari i ministrit Beqaj, Thanas Goga konfirmoi se kontrata me kompaninë private është 10-vjeçare, por duke nënvzuar se nuk ka një vlerë totale të gjithë projektit pasi paguhet për njësi ekzaminimi, duke u përllogaritur mbi bazën e grupit demografik 40-65 vjeç, i cili është i ndryshueshëm vit për vit si dhe në varësi të shkallës së pjesëmarrjes së këtij grupi demokrafik në kontrollin bazë. Sipas tij, kostoja e nje ekzaminimi është 1 537 lekë+TVSH.
Çfarë do të kryejë firma private?
Në emailin zyrtar Ministria e Shëndetësisë ka dhënë edhe disa detaje se çfarë do të kryejë kompania private që ka fituar tenderin.
“Në mënyrë, që të 415 qendrat shëndetësore publike të ofrojnë këtë shërbim të përditshëm për qytetarët shqiptarë, ato duhet të furnizohen përditë me materiale mjekësore; duhet të kenë përditë pajisjet që mirëfunksionojnë dhe mirëmbahen; duhet të ofrojnë përditë transportin e mostrave biologjike për analiza laboratorike; duhet të ofrojnë informacion të përditshëm në rrjetin e informacionit kombëtar shëndetësor, duke i bërë mjekët tanë të familjes më në fund pjesë të këtij informacioni kombëtar shëndetësor. Mjekët tanë të familjes, më në fund, do të kenë në dorë të gjithë instrumentat dhe njohuritë e nevojshme për t’i ofruar më shumë shërbime të reja dhe për të rritur cilësisht kujdesin ndaj qytetarëve në zonën e tyre të mbulimit”
l.m
Comments
E cuditeshme se si
<p>E cuditeshme se si perseriteet nje lajm i Sandrit pa u informuar nese eshte i plote!!?</p><p>Kjo firme eshte dhe disstributori kryeor i ilaceve ne farmacite e Shqiperise me nje flote te madhe mjetesh te vena ne dispozicion per kete punë.Pse nuk thuhet kjo gjë?</p>
Add new comment