“Panorama”: Shpëtim Gjika u prangos te restoranti pranë banesës. “Gazeta Shqiptare”: Para arrestimit drekoi me avokatin dhe zv/ministrin e drejtësisë

Postuar në 07 Shkurt, 2015 02:57

“Panorama” shkruan sot se arrestimi i Gjikes ndodhi rreth orës 14:00 në një restorant pranë banesës së kryebashkiakut 52­ vjeçar të Vlorës. Masa e arrestit ndaj Gjikës është kërkuar në gjykatë nga prokurori i rrethit Vlorë Ramadan Troci, i cili hetoi edhe vjedhjen e Bankës së Shqipërisë pak muaj më parë duke arrestuar 19 persona përfshi edhe Guvernatorin Ardian Fullani. Një skuadër policore është paraqitur në lokalin ku po drekonte Shpëtim Gjika dhe pasi ka marrë kontakt me të, i ka bërë me dije se kishte një vendim gjykate për arrestimin e tij. Para prangosjes, mësohet se kryebashkiaku ka qenë në zyrën e tij edhe ditën e djeshme, si çdo ditë tjetër pune në Bashki. Rreth orës 13:00 ai ishte larguar mesa duket për të drekuar diku pranë banesës së tij, ku edhe ndodhi arrestimi. Pasi ka dalë nga restoranti ku ndodhej me disa persona të tjerë, policët i kanë vënë prangat Shpëtim Gjikës, i cili është dërguar në Drejtorinë e Policisë së Vlorës. Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, arrestuar me tri akuza për “shpërdorim detyre”, “falsifikim dokumentesh” dhe “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, u prangos ne restorantin poshtë shtëpisë.

Ndërsa “Gazeta Shqiptare” shkruan se arrestimi nuk ka qenë një befasi për kryebashkiakun e Vlorës, Shpëtim Gjika. Burime të besuara dje pohuan se ai ka qenë në dijeni të hetimit të nisur ndaj tij që para një viti. Gjithsesi, ditën e djeshme ai e ka nisur normalisht. Mësohet se mëngjesin e djeshëm, Gjika ka pirë kafe me disa miq të tij në lokalin “Saint Tropez”, që ndodhet në zonën e Ujit të Ftohtë dhe që është në pronësi të kryebashkiakut të Selenicës. Më pas ai është larguar dhe në mesditë ka drekuar së bashku me avokatin e tij, Ardian Leka dhe zëvendës ministrin e Drejtësisë, Arben Isaraj. Pasi ka mbaruar drekën, kreu i Bashkisë së Vlorës ka shkuar në banesën e tij ku dhe u arrestua. Burime të sigurta për “Gazeta Shqiptare”, dje bënë me dije se tri ditë më parë, dy prokuror kanë trokitur te zyra e kryebashkiakut Gjika, por ky i fundit u ka mbyllur derën. Sipas burimeve të mësipërme, prokurorët kanë shkuar ta takojnë kryebashkiakun për çështjen për të cilën ai po hetohej. 

 

l.v

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.